Nadire Buzo:Ja si i kam realizuar 25 filma dokumentarë

617
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisorja dhe skenaristja, Nadire Buzo: Janaq Paço, një personalitet me virtyte të rralla njerëzore

Janaq Paço mbetet një ndër skulptorët më dinjitoz në Shqipëri. Veprat e tij dhe sot shikohen dhe komentohen në trajta nga më të bukurat. Mund të themi se ai qysh në monizëm ka bërë skulptura nudo që dolën në dritë vetëm pas vdekjes. Ndër veprat e tij më të bukura që nuk mundën të realizoheshin në sistemin monist ishin dhe “Gladiatorët”.

 -Si ju lindi ideja për të realizuar një dokumentar për skulptorin Janaq Paço?

-Ekskursionet dhe vizitat në qytetin e Krujës, për të parë monumentet e mëdha ngritur për Heroin tonë Kombëtar Skënderbeun, ishin  të vazhdueshme nga të gjitha krahinat e vendit,edhe nga të huajt që vizitonin Shqipërinë. Në të gjitha rastet flitej dhe tregohej, për luftërat, trimëritë dhe jetën e heroit, ndërkohë, nuk flitej absolutisht asnjë fjalë se kush ishte autori i kësaj vepre madhështore, e asnjë fjalë për jetën e tij. Dhe kjo nuk qe e rastësishme, ashtu si për shumë artistë të veçantë, që u bënin hije disa të tjerëve edhe vetë sistemit në të cilin jetuan. Pas viteve `90, me ardhjen e mendoja se kishte ardhur koha për t’i vënë në pah këto vlera, ndaj jam përpjekur për ta bërë këtë.

  – Kush ishin vështirësitë më të mëdha në këtë film?

-Skenat, e improvizuara, si ajo e fëmijërisë së Janaq Paços, ku mungonin pjesët filmike dhe materiale. Inskenimi i momentit dramatik vetëvrasës, kur skulptori theu me duart që i ndërtoi,disa nga kryeveprat, nudot femërore, të cilat kishte vite që punonte për realizimin e një projekti të tij për qendrën e Tiranës, si dhe skena e çasteve të fundit të jetës, kur skulptori i madh Paço, me duart e dridhura zhubroste çarçafin sikur të qe plastelinë. Vështirësi patëm për të realizuar momentet e hetuesisë, dhe të spiunëve që me marifetet e tyre të neveritshme zhbironit edhe të paqenat. Të gjitha këto për të krijuar imazhet e kohës së vështirë, ku është po aq e vështirë t’i tregosh dhe t’i besosh, megjithëse është thënë dhe është shkruar shumë për to.

 -Cilat ishin vendet kryesore, ku xhiruat?

-Së pari, na duhej predispozita e familjarëve për të na thënë dhe për të na dhënë të vërtetat e jetës dhe veprës së skulptorit. Pasi ishin nisur më parë të tjerë dokumentarë dhe nuk ishin realizuar. Një vend kryesor për filmimet ishte Qyteti i Krujës ku ndodhet monumenti i Skënderbeut, kryevepra monumentale e vendit tonë si dhe Muzeumi i Heroit Kombëtar, ku në hyrjen e tij ndodhet një tjetër grup skulptural “Skënderbeu me popullin”.  Më pas vendet, ku strehoheshin disa nga veprat e shpërndara të Janaq Paços, si dhe në Galerinë e Arteve Figurative. Në Universitetin e Arteve dega skulpturë, nën drejtimin  e skulptorit Sadik Spahia, me ndihmën e skulptorit të ri Vladimir Llakaj dhe studentëve të tyre. Në ambientet e vila Goldi etj..

 -Çfarë të veçante ka pasur Janaqi në karakterin e tij dhe si është nxjerrë në film?

 -Ndodh rrallë herë, që përsosmëria e artit të jetë përputhur me madhështinë e personalitetit me virtyte të rralla njerëzore si tek Janaq Paço. Shumë nga ata që e kishin njohur, e  punuar apo ish nxënësit e tij, flisnin e tregonin me një adhurim të veçantë. Shumë është shkruar dhe treguar, për veprat ashtu edhe për vlerat e karakterit të tij. Jam e bindur se edhe në të ardhmen do të bëhet shumë më shumë për këta njerëz me vlera të rralla artistike dhe njerëzore. Në këtë rast e kisha të vështirë të zgjidhja intervistuesit pasi kishte shumë artiste profesionistë, kolegë e bashkëpunëtorë, ish- nxënës të tij, që donin të tregonin për artistin dhe njeriun Janaq Paço. Kjo e bën akoma më të gjallë dhe të pavdekshëm artistin dhe më të vështirë përzgjedhjen brenda një dokumentari.

 -A mendoni se me këtë film figura e tij ka dalë e plotë?

-Për njerëz të përmasave të tilla artistike dhe njerëzore nuk mendoj se mund të përmblidhen në një dokumentar, rreth 60 minutash. Pasi jeta e J. Paços është e ngritur në piedestalet e veprës së tij. Në një kohë të vështirë kur ndjeshmëria e artistit ishte në kundërshtim me arsyetimet absurde te asaj kohe. Mendoj se për artiste dhe njerëz të përmasave të tilla duhet bërë shumë më shumë në të ardhmen. Ky problem ngrihet edhe përmes dokumentarit nga studiuesit e artit. Zoti Gjergji Frashëri është në përfundim të një monografie të plotë, pasi ai posedon dokumentacionin e plotë të besuar nga vetë skulptori i madh Paço. Shpresoj se në të ardhmen do të bëhet shumë më tepër, pasi edukimi artistik dhe shpirtëror i shoqërisë nëpërmjet këtyre vlerave të larta është i pazëvendësueshëm.

 -Sa filma dokumentarë keni realizuar?

-Prej vitit 1995 e deri më tani, kam realizuar rreth 25 filma dokumentarë, këto më së shumti me TVSH, TV-Klan dhe TVA, kur e drejtonte z. Ardit Gjebrea. Aktualisht me TVSH-Satelit. Madje, shumë prej tyre janë shfaqur me dhjetëra e dhjetëra herë. Si p.sh. dokumentari “Trashëgimi” mbështetur mbi jetën dhe veprën e poetit L. Poradeci, “ Në një cep të Ilirisë së Poshtme” me jetën e veprën e shkrimtarit “ Mitrush Kuteli”, “ Realitete Përtej Detit” me emigrantët që bënë emër në vendin fqinjë Itali, “Magjistratët Shqiptarë”, mbi veprimtarinë e Shkollës së Magjistraturës,“Kambanat e Kujtesës”, historia dhe traditat e përbashkëta  dhe integrimi i Ballkanit në BE, kjo me pjesëmarrjen në një interviste të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadare, “Udhëtim në qendër të qenies” me piktorin Gazmend Leka, “Frrikë Harrimi” me poeten Flutura Açka, “Një ëndërr në Krujë” me poezi të poetëve tanë etj.. Tani së shpejti promovoj dokumentarin me titull “Artistja Rebele” me piktoren Lumturi Blloshmi.  Puna si bashkëpunëtore (e jashtme) konsiston në zgjedhjen time të deritanishme, pasi puna që bëj si bibliografe në Shkollën e Magjistraturës më jep kënaqësinë, vlerësimin dhe mundësinë e duhur për t’u marrë me art.

  -Keni ndonjë peng në jetë?

-Sigurisht që kam shumë (por nuk thuhen të gjitha.)  Më ka munguar në jetë një vëlla. Si dhe dua të realizoj patjetër disa nga skenarët e mi, si dhe një film artistik mbi një vepër madhore të Kutelit.

  -A ndihet e vlerësuar femra shqiptare, dhe a mendoni se politika shqiptare a ka lënë hapësirat e nevojshme për femrat?

-E rëndësishme është që ajo të ndihet mirë me veten me atë që bën, dhe ti krijojë mundësi vetes të ndihet e dobishme për veten ambientin që e rrethon dhe shoqërinë. Më pas vjen edhe vlerësimi shoqëror, kuptohet kjo me vështirësi, me shumë punë dhe sakrifica. Unë njoh shumë gra vërtet të zonja, me integritetin e tyre kanë arritur shumë vlera dhe pozita të forta shoqërore të merituara. Shembulli i tyre duhet të rrezatojë më tepër tek të tjerat.  Deri më tani, janë të pakta femrat me vlera të larta të integruara në politikë dhe drejtim që rrezatojnë kulturë dhe qytetërim. Me sa duket disa nga femrat e integruara dhe intelektuale, nuk guxojnë nga frika e politikës së egër që shoqëroi tranzicionin e vështirë të postkomunizmit më të egër.