Modelja Rovena Domi: “Djali i guximshëm”, ende sekret!…

1463
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish “Miss Shipëria 2009”

Tani ajo ka pushtuar skenat dhe ekranet. Domosdo kështu do të ndodhte, pasi kurorëzimi i titullit të bukurisë “Miss Shqipëria 2009” ishte vetëm hapi i parë i saj i suksesit, të tjerat më durim e këmbëngulje erdhën më pas si pasojë e punës dhe pasionit. Ja ç’thotë ajo ndër të tjera për veprimtarinë e saj.

Do të ecim disa vite më pas në bisedën tonë, atë vit kur ju morët çmimin më të lartë në “Miss Shqipëria 2009”, si u ndjetë pas çmimit?

Çmimi që mora ishte “Miss Fotozhenia” në Gjermani, ndërsa në eventin ndërkombëtar të bukurisë mora “Miss Queen of the World”, si përfaqësuese e Shqipërisë. U ndjeva shumë e vlerësuar nga pikët e jurisë si dhe çmimi.

Ku e kaloi verën Rovena?

Verën e kam kaluar pothuajse gjithë kohën me pushime në bregdet dhe e kam shijuar plotësisht.

Ku të pëlqen t’i bësh pushimet?

Pushimet më pëlqen t’i kaloj në bregdetin e Jonit në jug, por sigurisht edhe jashtë vendit si p.sh, në plazhet e mrekullueshme të Saint-Tropez, Sardenja, Gjermani, Dubai etj..

Cilat janë rrobat e banjës të preferuara?

Rroba banjoje të preferuara janë D&G ngjyrë të zezë dhe rozë.

A të ngacmojnë çunat në plazh dhe si reagon

Ngacmimeve në plazh nuk i kushtoj fare rëndësi. Janë gjëra normale që mund t’i bëjnë çunat dhe reagimi im ndaj tyre është indiferent.

Çfarë bën në plazh gjatë kohës që jeni e shtrirë në rërë apo shezlong?

Në plazh shumicën e kohës e kaloj duke marrë sa më shumë rreze, pasi më pëlqen shumë të marr ngjyrë (nxihem), por sigurisht edhe të bëj xhiro me motor në det apo të notoj.

A të pëlqen të të ngacmojnë paparacët?

Ngacmimet e paparacëve, kur abuzojnë sigurisht, bëhen të bezdisshme dhe nuk më pëlqen, por në Shqipëri nuk ka ende paparacë të mirëfilltë.

A është e dashuruar momentalisht Rovena?

Kjo pyetje më step paksa. Dua të them se disa herë kjo pyetje  ne disa raste është  keqkuptuar dhe po e them sërish që “ndjenjat” i vlerësoj shumë, pa ato një femër nuk është plotësisht e lumtur dhe unë momentalisht e di rëndësinë e tyre.

Çfarë cilësish ka i dashuri yt?

Nuk dua të rrëfej detajet e një lidhje apo të ngulmoj tek cilësitë e tij, pasi i përkasin privatësisë së çdo personi, por sigurisht që janë cilësi pozitive.

Çfarë pëlqen më shumë tek një mashkull Rovena?

Tek një mashkull vlerësoj shumë “arritjet në jetë”, krahas aparencës së jashtme që është subjektive dhe varet nga shijet e çdo personi.

Me kë preferon të kesh më shumë miqësi me femra apo me meshkuj?

Miqësi krijoj me një shoqëri që ndjehem mirë dhe e vlerësuar pa dallim meshkuj apo femra.

Sa kohë i kushtoni look-ut?

I kushtoj një kohë të konsiderueshme look-ut në tërësi madje më është kthyer në ves. Më pëlqen të merrem me kujdesin e duhur të flokëve, lëkurës, grimit dhe pa harruar palestrën.

Ngjyra juaj e preferuar?

Ngjyra e preferuar e bardha.

Në ç’moshë i kanë propozuar për herë të parë Rovenës dhe çfarë të ka thënë djali i guximshëm?

Nuk e mbaj mend se çfarë ka thënë konkretisht “djali i guximshëm”, siç po e quajmë në këtë rast, por propozimi i parë, sigurisht në moshën e adoleshencës dhe fjalët kanë qenë pozitive, romantike.

Kuzhina e preferuar e verës?

Pa dyshim “spageti”. I adhuroj frutat e detit si ushqim i verës që nuk më mërzitet asnjëherë.

Jeni supersticioze?

Supersticioze aspak, besoj në gjërat reale dhe objektive.

A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Vlerësimi është subjektiv, varet sa e aftë je t’i arrish vlerësimet pozitive. Por mendoj që ka mjaft femra të suksesshme në karrierë dhe në jetën e tyre private. Në Shqipëri çdo gjë është në progres.

A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Në disa aspekte ka ende tipare maskiliste shoqëria shqiptare. Kjo evidentohet kryesisht në fshatra apo zonat e thella. Disa nga format shprehëse janë mungesa e lirisë për të dalë, e vendimmarrjes, kufizimi i tyre duke i angazhuar vetëm me punë shtëpiake etj.

Kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni inteligjente po jeni e bukur?

Ndihem kur më thonë fillimisht inteligjente, pastaj së dyti “e bukur” apo simpatike.

Pas pushimeve verore me se po merreni?

Aktualisht po merrem me shqyrtimin e një oferte në një emision që fillon së shpejti. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.