Mbi të vërtetat, emocionet dhe vlerat që përcjell kënga e popullit

93
Nga Ibrahim VASJARI
Mendime rreth esesë “Shemo Brahimi”, të publicistit dhe shkrimtarit Gëzim Zilja
Kohët e fundit po ndiqet me interes angazhimi në këtë fushë i shkrimtarit dhe publicistit Gëzim Zilja. Në trajtesat e tij, veçanërisht në ato të epikës historike, autori evidenton vlerat e këngëve të cilat përjetësojnë ngjarje e bëma trimash. Në fokusin e tij studimor ka hyrë dhe figura e Shemo Brahimit (Hajdutit). Pa pretenduar të jem profesionist në këtë fushë, dua të shpreh disa mospërkime të këndvështrimit tim me autorin, kurrsesi për ta hedhin poshtë, por për ta zgjeruar diapazonin interpretues të kësaj tematike. Fabula e trajtuar, në vështrim të parë, të duket krejt e rëndomtë: Shemua kishte vrarë Muhedinin. Para se të ndodhte kjo, me gjithë aftësinë profesionale si hajdutë (qoftë Shemua apo Muhedini), asnjëri prej tyre nuk ishte i denjë për t’u kënduar. Por ai konflikt i egër që çoi deri në vrasje, realisht ngjalli reagim publik. Sipas këngës kryesore të ngjarjes (Shih: “Këngë popullore të Labërisë’’, vol 8 T 1991 fq 1281), gjëma jepet kështu: “Grebenesë iu vëntë zjarri/U vra Muhedin Vasjari”. Po ç’gjë të veçantë pati kjo vrasje që bëri bujë e frymëzoi shumë këngë? Është pak e besueshme që opinioni të prekej aq thellë nga një konflikt tejet personal midis një hajduti ordiner dhe vëllamit të tij ish kaçak. E veçanta e kësaj ndodhie, ajo që zgjoi ndjeshmëri publike pati disa arsye e, kryesisht, ngaqë ‘’vrasja e gjakut’’ u gjykua e rëndë si krim, sepse u thye një kod i lashtë moral, vrau vëllai vëllanë, pavarësisht autorësisë së fajit. Mëkati është i rëndë, i lashtë sa Kaini dhe i dënuar qysh në lindje nga gjithë kodet njerëzore. Pati indinjatë ndaj autorit të krimit. Madje, kënga i jep të drejtë xhaxhait për hakmarrje: “Muke, mos të hajë halli/ Se hakën ta merr xhaxhai/Përpiqu, xhaxha, përpiqu/Një këllëç të mirë hiqu!/Një këllëç të mirë u hoqe/Ç’i bëre koqe më koqe”. Tradita e gjakmarrjes çirret kështu. Por, në përgjithësi, opinioni e vuan shpirtërisht dramën e dy vëllamëve, zemërimi zbutet në keqardhje, ngaqë mëkatin e përjeton me dhimbje edhe vet Shemua. Vrasja e gjakut i dhëmb Shemos. Populli e vlerëson këtë ind fisnikërie, të panjohur ndër vrasësit zanatçinj, por që tek Shemua gjallon ende, fshehur thellë në ndërgjegjen e tij të rënduar. Poeti e shpreh kështu dialogun me Shemon e vrarë shpirtërisht: “O Shemo, ç’bëre kështunë?/Vrave turq, preve kaurë/Vrave Muhedinë me vulë/Qëkur vrava Muhedinë /dyfeku s’më vajti mirë /Më theu plumbi kërcinë. Fjalët e Shemos të prekin thellë. Në të vërtetë, plumbi i ka vrarë të dy. Ai e ndien se duke vrarë Muhedinin, vrau vetveten, vrau gjakun dhe shëmbëlltyrën e vet. Kënga dënon edhe dorën intriguese të futur mes dy vëllamëve. Për këtë, studiuesi M. Kokalari, njohës i mirë i folklorit dhe historisë së trevave të Jugut, shkruan: ‘’valiu i Janinës u hodh në fushën e intrigave. Me anën e agjenturës së tij, ai arriti ta fusë në grindje Shemon me shokun e tij të ngushtë, Muhedin Vasjarin’’. Ndryshe nga Kokalari, Gëzim Zilja shprehet se Muhedini donte ta vriste ‘’për llogari të turqve’’. Ndofta…, por preja e një intrige zakonisht është viktimë, jo kurdisëse e saj. Në të mirë të versionit të vet, autori nuk gjen dot mbështetje tek ndonjë këngë as jep ndonjë referencë tjetër. Fjali të tilla që nisin me fjalët: “Thuhet se…”. nuk i shkojnë për natyrë disiplinës studimore. Ajo e vërtetë nuk u shkoqit kurrë, u varros bashkë me ta. Motivi më i fortë që e rëndonte shqiptarin deri sa të vriste vëllanë, mund të ishte vetëm cenimi i nderit familjar. Një rreze drite hidhet kur përmendet Dule Zhapokika që, me sa duket, nxiti intrigën dhe e nxori Muhedinin në pritë: “More Dule Zhapokika/Kurrë mos të daltë frika!/Ky Duleja, bir Dervishi/Tertipnë e Mukes ç’e prishi/Mukeja njëzet vjeç djalë/Haka s’i mbetet pa marrë”.

Por le të ndahemi nga ‘’e mistershmja’’ për të kaluar më tej. Edhe pse të dy personazhet janë objekt këngësh, mos të na gënjejë mendja se me ‘’kallëpin’’ Shemo-Muhedin mund të derdhim buste heronjsh. Ka një faktor që nxit për ta ndjeshmërinë publike: i këndohet trimërisë. Në traditën ballkanase është i njohur kulti i trimave e i trimërisë. Populli gjithnjë u ka kënduar trimave, bile pa bërë dallime mes tyre e pa ia ngrënë hakun askujt, qofshin këta komitë të lirisë apo kaçakë ordinerë, belaxhinj e hajdutë. Edhe pse disa prej tyre përmenden për një lloj trimërie ‘’malinje’’, kulti i trimërisë ka vazhduar të sugjestionojë emocionalisht bashkëkombësit tanë për një kohë të gjatë. Për mirë apo për keq, ata janë pjesë e shpirtit tonë etno-historik. Ballkanasit, siç vëren G. Meyer, kanë shpirt të kultivuar epik. Këta popuj, thotë E. Çabej, janë edhe sot më afër qëndrimit epik të shpirtit sesa p.sh popujt e Perëndimit. Nderimi i trimave dhe lartësimi i tyre në këngë është në Ballkan edhe tash një dukje e shpeshtë. Në trajtesën e vet, Gëzim Zilja e lë mënjanë ‘’pjesën e kalbur’’ të Shemos, por anashkalimi i saj e çon në disa keqinterpretime. Krejt ndryshe nga historitë e kaçakëve të tjerë që ishin në konflikt me padrejtësitë e shtetit shtypës otoman, Shemo Hajduti ishte kusar ordiner, sulmonte karvane, grabiste tregtarë e rrëmbente fëmijë pasanikësh, për lirimin e të cilëve merrte gjoba të kripura. Ai ishte në konfliktin e përhershëm që ka krimineli me rendin, me çdo rend dhe çdo sistem politik që nga koha e Hamurabit e deri sot. Asnjë ‘’lavatriçe’’ klasore apo nacionaliste nuk ia heq dot këllirën hajdutërisë, e cila nuk fisnikërohet dot as kur konfrontohet me sistemin turk. Ai sistem, e donim apo s’e donim ne, funksiononte prej 400 vjetësh në krejt Ballkanin. Dhe të mos harrojmë se në shumë nga këto institucione deri në instanca të larta kanë shërbyer mjaft shqiptarë, të cilët kurrsesi nuk mund t’i konsiderojmë ‘’kolaboracionistë’’. Nëse i përmbahemi pohimit kategorik se çdo marrëdhënie me superstrukturën otomane konsiderohet ‘’bashkëpunim me turqit’’, kemi dalë jashtë realitetit të gjërave. Në një këndvështrim të tillë, duhet t’i përmbysim konceptet tona për Ali Pashën me kapedanët, taksidarët dhe krejt sistemin e tij të hekurt të sigurisë publike. Po kështu, nuk do t’i shpëtojnë dot këtij ‘’inkuizicioni’’ as shumë nga rilindësit tanë. Shndërrimi i konfliktit ‘’kriminel-rend’’ në konflikt ‘’shqiptaro-turk’’ sjell disa konkluzione paradoksale. Për kohën kur zhvillohet kjo ngjarje, duhet thënë se, pavarësisht Valiut, në Janinë kishte një komunitet të rëndësishëm shqiptar, kishte zyrtarë, ushtarakë, juristë e deri deputetë të mexhlisit turk, të cilët nuk mund t’i etiketojmë si të vënë ‘’në shërbim të turqve’’. Në Janinë ishin edhe ata ithtarë rilindës që hodhën themelet e Lidhjes së Prizrenit, midis tyre edhe xhaxhai i Muhedinit, Myslim Vasjari, për të cilin flet më mirë historia. (Shih: Xh. Cana, ‘’Myslim Vasjari’’ gazeta ‘’Telegraf’’ datë 28 shkurt 2017).