Kopi Prifti: Si e larguan kuzhinierin e Enverit, pas vdekjes së djalit të tij

1253
Bardhyl Berberi
Fare pranë qendrës së qytetit të Pogradecit ndodhet një restorant i thjeshtë, por tepër i frekuentuar, aq sa është e vështirë të gjesh një tavolinë bosh dhe më pas të shijosh gatimet speciale dhe të rralla të të mjeshtrit të madh të kuzhinës shqiptare, ish – kuzhinierit të ish- Kryeministrit Mehmet Shehu. Kopi Prifti u ka shërbyer mbi 20 vjet si kuzhinier që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut, Adil Çarçanit, Abdyl Këllezit deri tek delegacionet e larta qeveritare, si: Çu En Lait apo Hrushovit. Kopi Prifti pranon të rrëfejë ekskluzivisht për gazetën “Telegraf” preferencat dhe tekat e personave VIP të asaj kohe, që u ka shërbyer mbi 20 vjet në Bllok në Tiranë dhe në vilat e Pogradecit.
Po çfarë hanin udhëheqësit e lartë komunistë?
Enver Hoxha ka patur kuzhinier personal Stafi Laçi, nipin e Heroit të Popullit Vasil Laçi, kurse unë kam qenë kuzhinier personal i Mehmet Shehut, por ne në Bllok gatuanim së bashku me Stafi Laçin, sidomos kur vinim në Pogradec, së bashku me udhëheqjen e lartë. Siç dihet Enveri vuante nga diabeti dhe ai hante çdo mëngjes dy thela pjepër dhe një copë djathë me pak kripë të pjekur në skarë. Mëngjesi vetëm kaq ishte më pas pinte një kafe turke pa sheqer. Në drekë preferonte të parën një supë shpesh herë me barishte dhe fileta peshku ose mish viçi të gatuar në furrë më salcë të bardhë. Më pas përdorte fruta pa sheqer si mollë të tharta ose kumbulla, ndërsa në darkë hante vetëm një biftek të skarës dhe vetëm kos. Bukë pothuajse nuk përdorte fare, mund të përdorte vetëm dy feta të holla që peshonin 20gr. Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë që komunikonin me ne vetëm Enveri komunikonte nëpërmjet Sulo Gradecit. Desha të theksoj se Enverit i pëlqenin jashtë mase ëmbëlsirat, por nuk hante dot, pasi ishte i sëmurë nga diabeti. Pëlqente ëmbëlsirat gjirokastrite, petë të holla të mbushura me krem pastiçerie dhe shurup.
Fillimi si kuzhinier, te Mehmet Shehu
Sapo fillova kuzhinier pranë Mehmet Shehut në vitin 1973, pas largimit të Fatmir Gjelit më thirrën mjekët e tij dhe më thane: Kopi, me familjen e kryeministrit duhet të jesh shumë i kujdesshëm, pasi shoku Mehmet dhe Fiqireti vuajnë nga kolesteroli, prandaj ki shumë kujdes me lyrën. Por që ditën e parë më vjen në kuzhinë Mehmeti dhe më thotë: Dëgjo unë çdo mëngjes dua palçinka të mbushura me gjizë dhe vetëm me të bardhë veze se e verdha ka kolesterol. (Pallaçinka ishte një petë tepër e hollë e mbushur me gjizë). Ndërkohë që në drekë Mehmeti donte një supë dhe gjellë me zarzavate. Në darkë vetëm një kos dhe konsumonte shumë fruta nga ato që kishte rreth vilës së tij. Mehmeti dilte shumë për gjah dhe i pëlqente gatimi i shpendëve dhe kafshëve të egra si lepuri, derri i egër, thëllëzat apo fazanët, për të cilët kisha receta të veçanta gatimi… Mehmet Shehu kishte hije shumë të rëndë, por ishte shumë njerëzor, po ta njihje nga afër ishte shumë i dashur. Kur kishte kohë të lirë më vinte tek kuzhina dhe më thoshte: Po hë, more Kopi pa na llafos pak për andej nga Pogradeci. Bënim muhabet e shaka të ndryshme. Një natë isha duke punuar në kuzhinë, kur dëgjoj që i thirri me inat shoqëruesit: Çfarë po bëni ju? Ja, i thanë ata, po shikojmë Festivalin e Gjirokastrës. Po Kopin ku e kini, thirreni këtu! Dhe më mori në sallonin e tij të vilës, me pjesëtarët e familjes e ndoqëm festivalin së bashku. Sa herë që Mehmeti ishte i shqetësuar ecte me hap të shpejtë në korridorin e vilës. Kishte raste që dilte jashtë vilës dhe ecte zbathur në një pjesë rrugice që e kishte lënë me zhavorr; kjo ndodhte kur ishim tek vila në Dajt. Një natë mbarova darkën dhe po shëtitja pak rreth e rrotull vilës në praninë e rojeve. Befas fare pranë meje kalon Mehmeti i veshur me tuta sportive, por shikoj që ishte zbathur nga këmbët dhe ecte mbi një copë rruge që ishte me zhavorr. – Eja Kopi, më thotë, hiqi këpucët dhe ec këtu mbi këtë zhavorrin se të bën shumë mire, të heq stresin dhe të çon në tru impulse shumë pozitive. Më pas urdhëroi edhe shoqëruesit rreth vilës edhe ata hoqën këpucët dhe filluan të ecin zbathur në zhavorrin mbrapa vilës. Çuditërisht ai Mehmet, sa i hekurt e skrupuloz që ishte në qoftë se dëgjonte zërin e kukuvajkës që këndonte rreth vilës, ai jepte urdhër qoftë dhe në mesnatë dhe largoheshin në vilën e Durrësit… Shoqëruesit e dinin këtë zakon dhe kur shikonin ndonjë kukuvajkë e qëllonin me snajper pa zhurmë, duke i vrarë ato. 
Beqir Balluku
Ish-Ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku ishte i dhënë pas peshkut. Jo vetëm që konsumonte shumë peshk, por kishte qejf që ta zinte vetë, rrinte me peshkatarët në gjueti me orë të tëra. Një ditë kishte kapur me rrjetë një peshk të vogël që quhet pllasica rreth 10 cm i madh. – Eja Kopi, më tha mua, e na i piq se edhe këta peshqit e vegjël kanë lezetin e tyre. E poqëm në një skarë dhe e hante peshkun direkt nga skara. Një ditë tjetër kishte kapur me peshkatarët një krap të madh, rreth 10kg. Ia gatova dhe hëngri një sasi të madhe peshku. Hapi më pas një shishe me verë, por ajo i doli e prishur. U shqetësuan të gjithë. -Ndodh edhe kështu, u shpreh Beqiri, duke qeshur. Ishte tip shumë popullor Beqir Balluku dhe kur vinte me pushime më tepër merrej me gjuetinë e peshkut. Një herë, thotë Kopi, Haki Toska sapo hëngri drekë i filluan dhimbje të gjoksit.Vjen mjeku i tij dhe i thotë do të kesh ndonjë helmim nga peshku që hëngre në drekë. Hakiu nxehet dhe i thotë e kam të keqen nga zemra dhe jo nga stomaku. Pas çdo gatimi, thotë Kopi, ne linim një kampion ushqimi për analiza që ata kishin konsumuar gjatë ditës. Kur erdhi Çu En Lai më thirrën me urgjencë. Kopi do t`i gatuash ti Çu Ee Lait. Erdhi një nga shoqëruesit e tij në kuzhinë dhe më tha se preferonte shumë pulën me pilaf dhe frutat e detit si të ftohta dhe ato të zgarës. I gatova për ato ditë që qëndroi Çu En Lai në Pallatin e Brigadave. Pasi bëri një foto me të gjithë pjesëmarrësit dhe shoqëruesit më thirrën në një paradhomë, më dha dorën me përzemërsi dhe më fali një këmishë, një mbulesë tavoline dhe një stilograf… Dhurata më ka bërë edhe Sianuku me Monikën. Medaljone të bukura, varëse si dhe disa copa basmash shumë të bukura për gruan nga e shoqja e Sianukut, Monika. Nga udhëheqësit e lartë thotë Kopi Prifti që kanë ardhur në Shqipëri në atë kohë kur unë punoja në kuzhinën e bllokut vetëm Hrushovi nuk ka ngrënë prej nesh. Ai kishte sjellë me vete kuzhinierët e tij, madje edhe ushqimet që gatuan. Kur ata gatuanin për Hrushovin ne na nxirnin jashtë nga kuzhina. Madje ishin shumë të kujdesshëm, shoqëruesit e tij edhe kur ia servirnin ushqimin ata vëzhgonin pjatat e Hrushovit, se mbase kishte ndonjë ngatërresë në tavolinë. Kjo më ka mbetur në mëndje…
Të veçanta nga Blloku 
Qumështin që e merrnim për Bllokun sigurohej çdo ditë në Korçë tek një lopë e veçantë. Një ditë shoferi dhe shoqëruesi u vonuan 5 minuta nga koha që duhej të ishin në Bllok dhe u pushuan nga puna. Gruaja e Abdyl Këllezit ishte shumë tekanjoze në ushqim. Ne kuzhineritë e Bllokut me njëri – tjetrin thoshim: Kush kënaq atë është njëshi i kuzhinës botërore. Ne, thotë Kopi, nuk duhet të shoqëroheshim me asnjeri, pas orarit të punës. Flinim tek disa dhoma tek klinika e udhëheqjes. Dhe kur dilnim ndonjë shëtitje, në ditët e pushimit oficerë të Sigurimit na ndiqnin këmba- këmbës deri sa futeshe në dhomë për të fjetur. Kuzhinierit të Enver Hoxhës, Stafi Laçit i ndodhi një fatkeqësi, i vdiq djali dhe ai filloi që të pijë në ndonjë lokal nga dëshpërimi. Kjo binte në kundërshtim me porositë që na jenin oficerët e Sigurimit dhe atë e hoqën nga puna si kuzhinier i Enverit. Po të shikosh albumin tim, kam foto me të gjithë, vetëm me Enver Hoxhën nuk kam bërë foto, jo se nuk mund të bëja se kur dilnin ata nëpër ambientet e bllokut po të afroheshe ai thërriste vetë eja na bëni një fotografi. Por dëshira ime për të mos patur foto me Enverin vinte nga një eksperiencë e hidhur e një shoqes tonë që punonte në Bllok, në vilën e shërbimit të Enverit. Një ditë Enveri ishte me humor të mirë dhe i thotë asaj punonjëses: Eja ta bëjmë bashkë një foto. Pasi bën foton nga gëzimi që kam dalë vetëm me Enverin, kjo e shumëfishon këtë foto dhe ua shpërndan të gjithë të afërmve të saj në Devoll dhe në Tiranë. E thërret një mëngjes një nga shefat e shërbimit dhe i thotë: – Kush je ti që e ke shpërndarë surratin tënd në gjithë Shqipërinë, që nga ky moment je e pushuar nga puna.
Kuota e ushqimit
Kuota e ushqimit për të gjithë funksionarët e lartë ishte 360 lekë në ditë ushqim, kur një punëtor që bënte punë fizike merrte 140 lekë. Vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk kishin kuotë, ata mund të konsumonin sa të donin. 
Enver Hoxha: Pushimet e mia në Pogradec
Ditari i panjohur familjar i ish-udhëheqësit komunist. Copëza rrëfimesh nga jeta e udhëheqësit, që drejtoi me dorë të hekurt vendin për katër dekada
E shtunë, 16 tetor 1976
Sot kisha datëlindjen. Çdo vit e “mblidhet lëmshi”, siç thoshte Aneja, por jam mirë dhe do të rrojë më shumë se Aneja dhe xhaxhai për t’i shërbyer Partisë dhe popullit. Erdhën shokët e Byrosë Politike, të Presidiumit dhe të Qeverisë më uruan. Më erdhën dhe Valbona me Ermalin, si dy pëllumba. Valbona mbante në të dy duart peshqeshin e parë që i bënte gjyshit, një sahat që e ka ndërtuar Sokoli, si dhe një metro nga ana e saj. Ermalushi si pionier, erdhi më dha letrën dhe peshqeshin e tij, një radio të vogël zhaponeze. I putha xhanet dhe u kënaqëm. Morën fotografi dhe film në sallon. Për drekë kishim Munimenë, Haxhon me çupat e saj dhe këto me fëmijë, Dhurin dhe Zamirën. Nga Sanoja vanë po ashtu njerëz për urim.
Pogradec, e enjte 17 gusht 1978
Po mbarohen edhe pushimet tona në Pogradecin e bukur. Nesër në mëngjes, më 18 gusht kemi vendosur të shkojmë në Durrës. Kaluan afro 5 javë, në qoftë se nuk gabohem, në qytetin e bukur të Pogradecit. Si çdo vit tjetër ne bëmë këtu një pushim të këndshëm nga çdo pikëpamje. Nuk u mërzitën për asnjë moment, për arsye se me ne ishin me radhë të gjithë fëmijët, të mëdhenjtë dhe të vegjlit. Të mëdhenjtë erdhën njëri pas tjetrit, sipas kohës së pushimit që merrnin. Sidoqoftë, të vegjlit i kishim marrë me vete ne, pse ata janë gëzimi ynë më i madh: Valbona, Ermali, Dritani, kurse Shpati i vogël, “picirruku” ose “miushi”, siç e thërret Sokoli, erdhi më vonë, ai erdhi më Liljanën dhe me Sokolin. Këta erdhën të fundit dhe po ashtu u larguan të fundit…
Pogradec, e shtunë 14 korrik 1979
U bënë 8 ditë që tok me Nexhmijen dhe me Sanon po pushojmë në qytetin e bukur të Pogradecit dhe në këtë vend klimaterik të mrekullueshëm. Shtëpia ku rrimë është ndërtuar në një vend të zgjedhur, në mes të një parku të gjelbëruar me lule, pisha, shelgje lotonjës dhe përpara saj shtrihet liqeni i bukur i këtij qyteti. Çdo ditë shëtisim, veçanërisht në mëngjes para se të hamë bukë, si dhe para drekës e në mbrëmje. Shëtitja më e mirë është ajo e mëngjesit dhe e mbrëmjes, kur në rrugën e madhe të rrethuar nga të dyja anët me dru bliri, kundërmon era e luleve të tij. Në parkun përballë kanë bërë një besedkë të bukur me një shatërvan në mes, të ndërtuar me gurë të skalitur prej mjeshtërve korçare. Nganjëherë, pasdreke, rrimë atje me Nexhmijen e diskutojmë çështje të ndryshme politike e probleme të brendshme, gjë që për ne është një shlodhje, pavarësisht se diskutimet janë për probleme të rëndësishme. Diskutojmë me Nexhmijen, sidomos në lidhje me librin që jemi duke përgatitur për eurokomunizmin, por edhe për vëllimin tjetër të librit “Shënime mbi Kinën”, të cilat duhet të përgatiten për botim.
E mërkurë, 15 tetor 1980
Nesër kam ditëlindjen, mbush 72 vjeç. Kujtoj me dashuri të thellë plakun dhe Anenë, prindërit e mi të dashur, që më lindën, më rritën dhe më edukuan, që u kujdesën që në vegjëlinë time të isha i ndershëm dhe i drejtë si ata, të doja njerëzit, siç i donin ata, t’i shërbeja popullit dhe atdheut me besnikëri. Ata më mësuan me sjelljet e tyre të përditshme të isha i thjeshtë, të mos isha kurrë fodull, pse “fodullëku është gjë e keqe, më thoshin, nuk ekziston në gjakun tonë. Xhaxhai dhe aneja nuk ishin njerëz me kulturë, por që të dy u përpoqën që unë të mësohesha. Të varfër ishin, por nga goja e hoqën kafshatën e gojës që të më mësonin. Gjithë jetën time unë jam përpjekur dhe kam luftuar të ec në këtë rrugë të nderit, në këtë rrugë të popullit dhe për popullin, të cilit ia kam kushtuar dhe do t’ia kushtoj gjithë jetën time, derisa të jem gjallë. Mirënjohja dhe besnikëria ime, derisa të rroj, do t’u kushtohet Partisë sime të dashur, Mëmës së madhe e kurdoherë të re, që më edukoi dhe më edukon, që më qartësoi dhe më qartëson mendjen, që më tregon çdo ditë rrugën e lavdishme nëpër të cilën duhet të ecim të gjithë, që më mësoi marksizëm-leninizmin dhe si ta zbatoj atë drejt për ndërtimin e socializmit dhe begatinë e popullit tonë.
Pogradec, e martë 7 korrik 1981
Sot mora letër nga shoku Ramiz. Çdo gjë ecën mirë brenda. Korrjet vazhdojnë, po kështu vazhdon edhe punimi i direktivave të 5-vjeçarit. Ai më dërgoi po ashtu një artikull të gazetës së kosovarëve “Liria”, një letër nga Bujar Hoxha dhe artikullin për marrëdhëniet ekonomike serbo-sovjetike. Do t’i studioj dhe do t’i përgjigjem, po të kem vërejtje. Koha është e këndshme. Ca erë në liqen, por “Skriveci” ka pushuar.
Sigal