Kontrolli i Lartë i Shtetit jep mesazhe drite me librat që i dhuron Bibliotekës së Universitetit të Vlorës

645
Nga MSc. Albert HABAZAJ 

Biblioteka Universitare “Nermin Vlora Falaschi”, si vatër e dashur dhe ngrohtë e diturisë, klasifikuar në 10 klasa dhe si strehëza e studentëve, pedagogëve apo studiuesve të tjerë, kryen detyrat në përbërje të Sektorit të Shërbimeve të Librit (shtypshkronjë dhe e/book), që është një sektor i ri, miratuar me Vendimin Nr. 10, datë 27. 01. 2017 të Senatit Akademik të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë “Për miratimin e strukturës organizative dhe organogramës së Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë” (UV) dhe funksionon si njësi ndihmës akademike me karakter administrativ mësimor në këtë institucion. Struktura e punës së sektorit është për funksionimin e tij si qendër lokale informimi dhe institucion kulturor brenda institucionit të UV, duke vënë në dispozicion të përdoruesve të tij të gjitha llojet e dijeve dhe të informacionit. Koleksionet, menaxhimi i tyre, burimet elektronike për UV, në kuadrin e aksesit të burimeve elektronike për Shqipërinë, ku jemi përfshirë, realizohen në përmbushje korrekte të detyrimeve kundrejt kuadrit ligjor në fushën e sektorit të shërbimeve të librit me bibliotekonominë, shkencën e bibliotekës, në zbatim të vendimeve të Senatit Akademik të UV dhe urdhrave të rektorit prof .dr. Roland Zisi, sipas misionit, detyrave dhe përgjegjësive të detajuara për Sektorin tonë, mbështetur profesionalisht në udhëzimet e standardet e IFLA-s (International Federation of Library Associations), ndihmesës kualifikuese teorike – praktike të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe përvojës së bibliotekave simotra. Koleksionet e dy bibliotekave të UV janë burime informacioni dinamike. Zhvillimi i koleksioneve përfshin procesin e krijimit, pasurimit të vazhdueshëm dhe seleksionimit të tyre nga literatura e panevojshme. Pasurimi i koleksioneve të bibliotekave realizohet me dy lloje pasurimi: pasurim korrent dhe pasurim retrospektiv. Burimet e pasurimit janë blerja, dhuratat, shkëmbimet e materialeve midis bibliotekave (fondi për shkëmbim). Një botim shumë i rëndësishëm është edhe libri – epope i Kontrollit të Lartë të Shtetit me titull “4 vjet Auditim i Jashtëm Publik (Dokumente të Kryetarit: 2012-2015)” me autor dr. Bujar Leskaj në 857 faqe, ku trajtohen çështje të Administrimit publik, të Financave publike, të Kontrollit në tërësi dhe Kontrollit të lartë të shtetit, në veçanti, platforma, raporte etj. Vëmendje ndaj Bibliotekës së Universitetit tonë ka treguar periodikisht i përkushtuari ndaj librit Gëzim Zilja, drejtor i drejtorisë së linjës në KLSH, njëkohësisht publicist dhe shkrimtar mbresëlënës, sidomos me letërsinë e tij etnologjike. Falënderimi dhe mirënjohja jonë është shumë e lartë dhe përcillet si një ndjenjë nderimi e pastër për lexuesin e zellshëm, për mikun e librit, qysh në fillimet e shkollimit në Vlorë e pafundësisht në vijim, për studiuesin serioz dhe autorin e mbi 20 titujve historikë e universitarë të fushës (në disa libra edhe recensues apo përkthyes) klasifikuar në Bibliotekën Kombëtare, për veprimtarin e dalluar shoqëror, të spikaturin ndaj dashurisë për vendlindjen dhe atdhetarin e zjarrtë, për bujarin e kulturës shqiptare, Bujar Leskaj. Me librat që i dhuron Bibliotekës së Universitetit të Vlorës, Kontolli i Lartë i Shtetit jep mesazhe drite, që të përmirësohemi duke lexuar, mësuar e përparuar. MIRËNJOHJE!
Sigal