Sigal

“E zymtë është fjala me të cilën e asocioja unë Shqipërinë.

Kam dëgjuar natyrisht për bandat e kriminelëve shqiptarë në Londër. Por kur them Shqipëria, mendoj komunizmin dhe komunizmin e lidh me pamjet që kam parë nga ish Bashkimi Sovjetik.”

Me këtë paragjykim e ka nisur udhëtimin e tij në Shqipëri, komediani i famshëm britanik Romesh Ranganathan i cili shfaqi mbrëmë në BBC 2 episodin e tij të tretë të serialit të tij të përjavshëm ku kësaj herë eksploronte vendin tonë. Vetë komediani thotë se për arsye të panjohura, britanikët mesatarë e konceptojnë Shqipërinë nga klipet e bardh e zi të epokës së komunizmit, pjesa më e madhe e të cilave gabimisht janë xhiruar në Moskë.

Ishte detyra ime që të zbuloja pse Xhejms Belushi është përpjekur të bindë botën se Shqipëria është një alternativë e mundshme.

Me të mbërritur në Shqipëri, Romesh Ranganathan zbulon në fakt se ky nuk është aspak një vend i zymtë dhe i mjerë, megjithëse bie shi dhe moti është gri. I drejtuar përgjatë gjithë udhëtimit të tij nga gazetarja e Erjona Rusi, Romesh nis eksplorimin e tij nëpër Shqipëri por pasi është ftuar në studion e emisionit “Rreze Dielli” ku madje provon jo vetëm rakinë por edhe të gatuajë me Zonjën Tefta.

Udhëtimi i komedianit britanik vijon më pas në fshatin Shën Gjergj ku mikpritet nga banorët e zonës e madje kalon natën në shtëpinë e Fatmirit, një bari i fshatit.

Zbulimi i Shqipërisë vijon me bregdetin, pamjen spektakolare në Kepin e Rodonit ku pavarësisht temperaturave të ulëta Romesh dhe Erjona zhytën në ujin e ftohtë të detit Adriatik. Dokumentari vijon më pas në një prej pikave më të bukura në veri të Shqipërisë, në Theth ku aventura bëhet edhe më e rrezikshme dhe argëtuese pas një udhëtimi rraskapitës prej 7 orësh.

Pavarësisht paragjykimeve të tij përpara se të mbërrinte në Shqipëri, komediani britanik Romesh Ranganathan zbulon në fakt përgjatë këtij udhëtimi se Shqipëria është një destinacion i veçantë pushimesh.

Erdha në Shqipëri me një mendim të caktuar, e lidhja Shqipërinë me komunizmin,  dhe me krimin, një vend krejtësisht të zymtë. Kur sheh për mundësinë e vendeve që do të udhëtosh, natyrisht që zymtësia  komuniste por edhe kriminaliteti e heqin Shqipërinë nga lista por Shqipëria ka ecur përtej kësaj. Do të jepja të gjithë argumentat që duke ecur këtu ndjehesh i sigurt njësoj si në Londër. ky vend ka gjithçka mund të kërkosh nga një udhëtim në varësi të llojit të pushimeve që dëshiron të bësh. Do të bësh një pushim në qytet, ke Tiranën, do plazhin, Shqipëria e ka. do të shkosh në mal, Shqipëria e ka. I ka pra të gjitha këto. Po, është paksa pas për shkak të komunizmit. Po, është paksa e ashpër around the edges, por nëse nuk e ke problem dhe do të vish në një vend që vuan nga paragjykimet historike, atëherë ky është një vend i mrekullueshëm për ta vizituar.

Romesh e mbyll udhëtimin e tij në Shqipëri me një kujtim tepër të veçantë, në një bunker në Shkodër ai përjetëson Shqiponjën dy krenare me anë të një tatuazhi në krahun e tij.