Kantautori Aleks Micka, jeta artistike është një sfidë dhe kërkon sakrifica

2334
Kantautorin e muzikës popullore të jugut, Aleks Micka, nga emrat më të njohur të profilit polifonik dhe asaj të përpunuar të muzikës popullore e gjejmë në studio duke punuar për dy realizime të reja. Shkëputet nga provat dhe bisedon paksa me ne në përgjigje të interesit tonë. Flet shkurt dhe prerë. Malet kreshtëthepisura të Tepelenës kanë lënë gjurmët në karakterin e tij. Aty mori frymëzimin; tek fjollat e dëborës, zhaurima e lumit të Drinos dhe Vjosës, shpërthimi i lofatës me të cilat ujdisnin pipëzat, kënga e bilbilave dhe kanarinave, vërshimi i kudondodhshëm pranveror, ndaj dhe kur flet sytë i hedh maleve, lumit dhe valëve të tij, luleve dhe pemëve. Ka rreth 30 krijime të interpretuara si kantautor, dhe dhjetëra interpretime të krijuesve të tjerë, me qindra interpretime të koncerteve të ndryshme brenda e jashtë vendit. Është një artist me profil të veçantë. Po le ta dëgjojmë se çfarë thotë vet Aleksi për gazetën”Telegraf”: 

1- Zoti Aleks përshëndetje! Pyetja jonë e parë është sot kur ju shohim nga emrat më të spikatur të interpretimit dhe krijimit të këngës popullore, kryesisht asaj të jugut, se kur keni filluar të këndoni? 
Përshëndetje edhe juve dhe falënderime për vëmendjen ndaj interpretimeve dhe krijimeve të mia. Po të pyesësh një lab, edhe nga trevat e tjera shqiptare po se po, se kur ka filluar të këndojë, përgjigja është që në barkun e nënës, mëkuar me qumështin e sajë dhe ninullat e djepit, në odat e gëzimeve dhe në vajtimet e hidhërimeve. Por për të qenë korrekt me pyetjen tuaj po ju them se fillova të këndoj qysh në moshën 10 vjeç, fillimisht në gëzimet plot atmosferë të ngrohtë familjare e më pas në shkollë ose në angazhimet e aktiviteteve të ndryshme. 

2- Sa këngë regjistron repertori juaj? 
Mbi 30 këngë që janë në rrjetet sociale me identitetin tim, sepse, po të llogarisim ato të koncerteve shifra është me shumë zero pas numërorit. Është një ecje, edhe pse e mundimshme, njëkohësisht edhe një udhëtim i bukur artistik. Kuptohet, edhe një sakrificë. Arti do mundim, do frymë, do motiv, do shpirt, ndjenjë dhe më shumë dashuri… 

3-Në cilat shtete keni dhënë koncerte?
Përveç qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, qytetet ku kam shfaqur koncerte me krijimet e mia janë Belgjika, Italia, Gjermania dhe Greqia, ndërsa për koncerte festive jashtë repertorit tim, por thjeshtë interpretues, janë të shumta. Kam ende shumë ftesa nga shtete të ndryshme. 

4- Kush ka qenë momenti më i bukur dhe më i vështirë i jetës suaj artistike? 
Momenti më i bukur ka qenë kur kam marrë medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1983 në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, kurse vështirësi në punën tonë ka gjithmonë. Është e kotë ti përmendim se dihet ku noton arti sot. 

5- Cili është pengu juaj në jetën e përditshme dhe atë artistike, po hobi përveç këngës? 
Pengu janë kushtet për të realizuar projektet e mia, kjo në referencë edhe të pyetjes suaj më lart. Hob kam shëtitjet në natyrë, marr frymëzim për krijime të reja, thith poezinë dhe muzikalitetin nga horizontet dhe peizazhet e natyrës së bukur shqiptare. Jetoj momente frymëzimi deri në dalldisje artistike. Përhumbem në muzën e krijimit. 

6- Interpretoni Turbo-folk dhe këngën popullore të traditës. Ku qëndron ndryshimi mes tyre dhe çfarë mendimi ke për Turbo-Folk? 
Mua personalisht më pëlqen folklori tradicional dhe kjo duket në repertorin tim. Mbështetem fort aty. Ato janë kolona të forta të tabanit artistik popullor.. Kurse Turbo
Folk nuk më ka pëlqyer për të vetmen arsye, se është deformim i këngës polifonike, in një tradite shumë shekullore sa vetë populli ynë. 

7- Me cilët artistë bashkëpunoni? 
Me shumë artistë shqiptarë, mjeshtër të këngës popullore, por edhe me artistin e madh grek Jorgos Dallaras 

8- Ju shohim shpesh edhe si kantautor, si mundeni ta realizoni? 
Unë kam dhe një hobi tjetër që harrova t’ua përmendja tek pyetja juaj, është poezia dhe shkruaj edhe vetë poezi. Tanimë te kjo dhunti kam krijuar një eksperiencë. 

9- A keni mesazhe nga brezi i ri dhe sa pëlqehet sot nga ata muzika popullore, si e traditës ashtu edhe e përpunuar? 
Po kam, bile mesazhe të shumta. Edhe pse e mendoj se brezi i ri rritet me tjetër frymë muzike, një pjesë e mirë e tyre vazhdojnë ta duan atë tradicionale. Kjo ka pozitivitet. Ndaj dua tu dërgoj mesazhin se sa më shumë dashuri për traditën, për atë që na lanë të parët si pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe pse polifonia është pjesë e UNESKO, dashuria ndaj saj sjell ekzistencën dhe rezistencën ndaj erozioneve që kulturat e ndryshme përcjellin. 

10- Me se merreni tani dhe cilat janë projektet tuaja për të ardhmen? 
Për momentin kam dy projekte të reja që punoj me to në studio

Agron MEMA


Sigal