Idriz Lamaj* / Martin Camaj,  pishtar i kulturës tonë  kombëtare

929
Sigal

JETA DHE VEPRAT

 Martin Camaj u lind në Temal të Dukagjinit, në vitin 1925. Edukimin fillestar e të mesëm e kreu në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër. Për t’i shpëtuar terrorit komunist në Shqipëri, si mijëra shqiptarë të tjerë arratiset në Jugosllavi. Me 1949  regjistrohet në Universitetin e Beogradit, ku diplomon në sllavistikë. Me 1956 kalon në Itali dhe vazhdon studimet në fakultetin e Letërsi-Filozofisë në Universitetin e Romës. Aty, njëkohësisht jepte mësim si lektor në Institutin e Studimeve Shqip. Kur prof. Erenst Koliqi ishte drejtor i Institutit dhe themeloi revistën “Shejzat”,  Martin Camajn e emëroi redaktor të revistës. Ai ishte redaktor i “Shejzave” edhe pasi transferohet nga Roma në Munih. Në atë qytet vazhdoi studimet pasuniversitare, duke mësuar gjithnjë shqipen, në fillim si lektor, pastaj si docent, më vonë si titullar i të vetmes katedër të shqipes në Gjermaninë Federale (1971). Si profesor–dokor i shqipes, Camaj e mësoi këtë gjuhë për 20 vjet, deri sa doli në pension në vitin 1991.

Vargu i veprave të botuara të Martin Camajt është i gjatë. Këtu sjell titujt veprave të tij letrare-shkencore, të cilat gjinden në bibliotekën time:    

“Nji fyell ndër male” (1953), “Kanga e vrrinit” (1954), “Djella”(1958), “Legjenda”(1964), “Lirika mes dy motive” (1967), “Njeriu me vete e me të tjerë” (1978) , “Rrathë” (1978), “Poezi 1953-1967” (1981), “Dranja” (1981), “Shkundullima” (1981), “Karpa” (1987), “Palimpsest (1991). Martin Camaj u doktorua nga Universiteti i Romës me një thezë mbi “Meshari i Buzukut”, botuar nga revista Shejzat (1960).  “Fjalëformimi në gjuhën shqipe” (1966), “E folmja shqipe në Greci të krahinës Avellino” (1971), “Tregime popullore të Greci-t dhe të Barile-s në krahinën e Potenza-s” (1972), “E folmja shqipe në Falconara Albanese” në krahinën e Cosenza-s (1977), “E folmja shqipe e San Constantino – Albanese, në krahinën Potenza-s” (1980), “Përralla shqipe” (1974), “Manual i gjuhës shqipe” (1969), “Gramatika e shqipes” (1984), etj.

 Veprat e tij janë përkthyer në gjuhën italiane, gjermane dhe angleze. Shkrimet, konferencat dhe intervistat e ndryshme të Camajt, botuar në revista të njohura europiane dhe shtypin e mërgatës politike të kohës së tij, janë pafund; zor se mund bëhet një mbledhje e plotë e tyre.

Njohja ime me prof. Camajn filloi në vitin 1970 e përfundoi pak para se të mbyllte sytë, në vitin 1992. Sa botonte një vepër,  ndër kopjet e para që iu dërgonte miqve, ishte edhe kopja ime, me një shënim të veçantë të tij. Shpesh më vente në dijeni edhe për ndonjë vepër letrare, të cilën e kishte në dorë, të pa përfunduar. Komunikimi (letra e telefona) me prof. Camajn  shpeshtohet pas viteve 1981. Në kohën kur punoja për  “Zërin e Amerikës”, në rubrikën javore “Shqiptarët e Amerikës” u transmetuan intervista të ndryshme me të, dhe u analizuan disa vepra letrare – shkencore të tij.

 HALLET TONA LETRARE- ROMANI, “RRATHË”

                                  (Letër)

Lenggeries, 3.1. 1979

        I dashuni Idriz Lamaj,

       E mora letrën tuej të gjatë dhe urimet për festa të Vitit të Ri. Ju kam shkrue, por po i përsërisë: çdo të mirë! Ju flaenderoj shumë për mundimin e madh rreth romanit “Rrathë”. Kam marrë shumë letra, disa edhe nga Kosova, po kjo më gëzoi tepër sepse ndër të tjera ti ke vu gishtin aty ku dhemb e djeg. Ashtu si e pritsha, jashtë në botën e lirë reagohet po në atë mënyrë si thoni ju. Po e lamë njëherë çështjen e autorit e merremi me këtë reagim apo si quhet në teorinë e letërsisë me momentin receptive dhe me reagimin në Shqipni e Kosovë.

       Kosovë: a).  Afër 20 komplete kanë mbërritë qysh në shtator në Prishtinë. Sidomos shkrimtarët e kritikët, simbas të dhanave të sigurta e pa teprim, një herë kanë mbetë si të shtangun po ashtu si shkrueni ju për vete në letër. b). Në të dytën kohë u shfaq një entuziazëm edhe tek ata ku s’pritej si  p.sh. te Qosja  që si e dini ashtë mjaftë doktrinar kur gjykon mbi tjerët si kritik. Disa professor të univeristetit të Prishtinës që qenë këtu në tetor me propozuen apo pyetën: nëse Rilindja don ta rishtypë romanin, e kishit me e lejue? Natyrisht, thash, pa ndrrue asnjë fjalë, se po. c). Nga libraria për libra të huej në Belgrad erdhën disa pyetje  tek libraritë e Munchenit, Sagner dhe Trofenik, sa kushtonte kompleti. Mbrenda një mueji ndrroi gjithçka: 2. Ndërkaq ndërhyn Tirana që ka marrëdhanje kulturore me Kosovën: sikur të pranoheshin librat e mij në Kosovë, ata do të merrnin masa. Në Kosovë ma të parët me u tërhjekë qenë vetë shkrimtarët. Memorandumi i Tiranës çue në Prishtinë ashtë botue (ende nuk di se ku!). Ndër të tjera thuhet “…teoricienti më i rrezkshëm borgjez…”. “…donë të bajë përshtypje me shfaqje folklorizante e etnografike, përshkrimin e jetës zakonore e të dokeve të vjetra patriarkale, me zbulimin e skutave ekzotike që zgjojnë interesin e të huejve, thuase letëresia duhet të shëndrrohej në një annual a guide turistike…” Do ta gjej dhe dërgoj kopjen. Në Itali një grup shkrimtarësh nga Tirana vetëm sepse dikush në një ndeje ka përmend emnin tim kanë dashë të çohen e të shkojnë.

       Kjo meskineri po shprehet në kohët e fundit edhe me telefonata anonime në shtëpi. Natyrisht se, si thashë njenit “të panjoftun” në telefon (ky kishte një açent shqip) s’po çajmë kokën mos pandehni se na trembni aq lehtë! Meqenëse këtu ka nja 30.000 kosovarë si “Gastarbeiter”, kompleti po blehet dita dites prej librerisë dhe shpejt do të zhduket. Me  fjalë të tjera unë po e shoh se lexuesit qenkan andej sidomos në Kosovë e jo kendej. Dy asistent të universitetit këtu, janë tue e përkthye romanin gjermanisht dhe ndoshta motin që vjenë del edhe këtu:  Ma andej do të shohim. Në faqen tjetër për pikëpamjet e mia mbi romanin; kam pritë se poezitë kanë për të dhanë një çelës apo mundësi thellimi në disa pika kyçe të botëkuptimit tim atz të shprehun, por jam rrejtë sepse poezitë e kësaj përmbledhjeje janë shumë të vështira. Këtë ma ka pasë thanë edhe Arshi Pipa përpara se ato të delshin. Koncepti im ka qenë ky:

       Shqiptarët që kanë fillue me lexue vonë, si thoni ju, janë të mësuem të lexojnë sende të drejtimit realist e sentimental. Asnji nesh, shkrimtar apo lexues, s’e kemi gjetë ende kohën të rmojmë pak ma thellë. Mbi qenien tonë  dhe mbi të tjerët. Për këtë na kanë mungue shumë kushte. Mbas luftës së dztë botnore – dhe duhet pranue – mbasi që mësuem të mbledhim germaqt (Buzuku e ka “mledh” për “lexoj”) qemë të shtërnguem të lexojmë sende e sllogane propagandistike. Realizmi social; kurrfarë ndryshimi mes artikullit të gazetes e të prozës artistike.

       Rrathët reagojnë me qëllim kundrejt këtij zhvillimi. Ambienti ashtë i dorës së dytë, por me randësi: edhe në lajmimin se veprat gjindeshin në shtyp e kam vu në pah se vendi, vetjet etj. Etj. Janë të trillueme. P.sh. konfiguracioni tokësor det-fushë-mal asht prone e hapësinës kudo në këtë planet. Pra, det-fushë-mal ka edhe jugu i vendit tone dhe s’ashtë nevoja të mbarojmë në Dalmaci kah kam kalue vetëm një here në jetën time me anije! Ndamja e Shqipnisë prej Sarandës deri tek masivi malor mes Tiranës e Lazhës e ç’andej deri në Sanxhak (zonë dinarike) nuk më duket bindës. Këtë ide e përkrahin disa antropologë tanë andej pari, tek ju, e nga jugu i Shqipnisë. Dr. Krasniqi ashtë nxanësm i Patschit me shokë që janë themeluesit e antropologjisë moderne dhe popullin shqiptar, për sa di unë, nuk e kanë nda në zona.

       Gjuha shqipe, simbas mendjes sime dhe njohunisë në këtë lami, ashtë një: ne  përpiqemi sot, krah. Çabejn etj. Të bajmë një rekonstrukcion të bazës  nga janë degëzue dialektet. Kjo frymë duhet mbrojtë; këtë e kanë thanë edhe ata të Tiranës se unë shkruekam “dialekt”. Atij që më lajmoi këtë i thash: kur të shkosh prap atje, thuejau haptazi, që të mos na mësojnë se çka ashtë dialekt e gjuhë e njësuar. Jam gegë nga Dukagjini dhe megjithatë punoj tash 20 vjet mbi dialektet arbëreshe “forma e vjetër e tosknishtes”. Mos iau merrni meritën Rilindasve e të  mburreni se keni krijue gjuhën e njësueme. Ndanje gjuhësinë nga politika e ngushtë sepse asht ma mirë për ju dhe si politikanë.

       Lum miku, e vetmja gja që më lodh asht se na jashtë me të gjitha këto mundësi i biem, si thoni ju, dikush thumbit – dikush patkonit. Më vjen mirë për ju që jeni zhvillue në këtë mënyrë dhe ju lutem mos ma merrni si kompliment. Dr. Krasniqin e kam shumë për zemër dhe më vjen fort mirë që jeni bashkë. Ju lutem, nëse e shihni të arsyeshme, t’ia njoftoni edhe z. Rerxhepit përmbajtjen e kësaj letre. Pipa e ka lexue romanin si dorëshkrim dhe tash përgatit një recension për një revistë amerikane letrare. Pipa ka shkrue edhe një trilogji mbi letërsinë shqipe anglisht dhe doli tek ne, këtu në Mynchen: një vepër kolosale mbi 700 fq. Shtypi. Po mjerisht shumë gjana s’po shkojnë mirë tek ne, këtu jashtë. Besoj se vjen koha dhe piqemi tue kuptue se kultura jonë jashtë asht pronë e përbashkët. Po moralizoj edhe unë tash! Gja që nuk e kam ndërmend ta baj as në letërsi.

       Të falat të përzemërta Martin Camaj

 Tre-katër vitet e fundit të jetës së tij, megjithëse nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk ankohej kurrë, u transmetuan disa intervista me të, lidhur me letërsinë  dhe problemet e kohës në Shqipëri e Kosovë.

Qëllimi ishte, të dëgjohej në Shqipëri edhe një version tjetër mendimi shkollor, sidomos rreth shkrimtarëve dhe veprave të censuruara nga regjimi komunist. Megjithë  pyetjet e thukta dhe debatin e drejtpërdrejt, ai gjithnjë u tregua i matur. Nuk nxori helm e vrerë kundër askujt, as kundër atyre që pushkatuan pa gjyq,  dënuan për së vdekuri dhe zhduken varret e personaliteteve të shquara të kulturës tonë kombëtare. Pyetjes, pse censurohet dhe përbuzet “Lahuta e Malcisë” në Shqipëri?Martin Camaj, i përgjigjet në formën më dinjitoze shkencore, thekson vetëm rëndësinë e kësaj vepre madhështore, në botëkuptimin studiues perëndimorë:

 “Lahuta e Malsisë si ashtë përkthye gjermanisht nga albanologu zamadh Maks Lambertz dhe italisht disa herë nga përkthyes të ndryshëm hynë në radhën e veprave të epikës klasike botnore. Në kontinentin evropian, për sa jamë i informuem, vepra e fundit e këtij lloji. Albanologët në botën perendimore, përshembnll, tue shti në punë metodat moderne të gjurmimit letrarë, zbulojnë në Lahutën e  Fishtës, elemente specifike të  artit dhe pajes shpirnore etnike, ku ndër të tjera pasqyrohen ligjet doknore të kanunit, mitologjia popullore shqiptare, e gërshetueme me atë klasike dhe vlera tjera formale artistike, si gjuha me vargje e ligjerime jashtëzakonisht imagji- native.

“Veprat epike në përgjithësi që këndojnë konfliktet dhe përleshjet e armatusuna kufitare janë fortë emocionale dhe rrembejnë lexuesin. Këtë efekt ushtrojnë edhe kongët kreshnike tona, sidomos ato të alpeve veriore shqiptare. Lahuta e Malsisë e trashegoi këtë tërheqje magjepse bashk me fuqinë artistike të krijimeve poetike gojore. Do shtue fakti se landa e trajtueme në Lahutën e Fishtës, janë ngjarjet e kohës ku poeti dhe breznia e tij i përjetuen së bashku. Mjafton të vihen në dukje se edhe protogonistet e këtyne ngjarjeve në Lahutën e Malsisë, janë vetje të gjalla të kohës, si  Ali Pashë Gucia, Oso Kuka, Abdyl Frashëri, Marash Uci, e të tjerë, që poeti i shendrron aty për aty në heroj”. (Pjesë nga intervista, – “VOA” – 29 Janar,  1989).

  PËR ROMANIN “KARPA”

       (Recension)

Në romanin e tij të parë dhe vepra të tjera të mëvonshme, Martin Camaj përshkruan jetën e malësorëve dhe zbritjen e tyre në fushë, në kërkim të kushteve më të mira shoqërore. Autori paraqet në mënyrë dramatike vuajtjet e thella shpirtërore që shkakton kjo dyndje. Midis të tjerash, Camaj përshkruan edhe konfliktin midis prindërve të pashkolluar dhe bijve të tyre të arsimuar. Tematika e prozës së Camajt, vjen duke u zgjeruar me kalimin e kohës dhe arrin kulmin në trajtimin fantastik të jetës së malësorëve shqiptarë në një të ardhme të largët historike. Kjo tematikë përshkon edhe romanin e tij të fundit “Karpa”.

       Shtjellimi i ngjarjeve, i ndarë në dy pjesë, fillon aty nga fundi i vitit 2338, në një zonë malore në veri të Lumit Drin, në një pjesë të Ilirisë, në Karpë, siç e quan autori. Personazhi krzesor i romanit është Voni.

Voni “vjen nga Agripa, një qytet i vogël që ishte qendra e fisit të Kobojës, në zë për njerëz të shkolluar.  Ai dëbohet prej Agripës sepse shkel një prej dokeve themelore të vendit, martesën e detyruar. Sipas traditës shekullore, shpesh here fejesa në malësi bëhej në djep. Në romanin “Karpa”, autori trajton këtë problem në kuadrin e një të ardhmeje të largët. Lidhur me fejesën e malësorëve, lexuesi sheh një ndryshim fare të vogël midis të kaluarës dhe të ardhmes së largët. Në romanin “Karpa”, fejesa bëhet me ndërmjetësimin e një lloj bashkësie, në marrëveshje me fiset kufitare. Ai që kundërshton vendimin, natyrisht ndëshkohet. Pikërisht kjo ndodh me personazhin kryesor të romanit “Karpa”, me Vonin. Kur ai kundërshton martesën e detyruar, shokët e kapin “gjysmë për lojë e gjysmë për njëmend”, e mbështjellin në një pelerine plastike dhe e hedhin me gjithë një barkëz në Lumin Drin. Valët e përplasin në anën tjetër  të lumit, në Karpë. Camaj shkruan se, “faqja e Karpës kishte qenë qysh prej antike e deri në kohët moderne, shesh grindjesh të brendshme, dhe  luftash kundër pushtuesve të ndryshëm që kishin lanë raven e vet në pak sende”.

Voni ndjen gazmend kur del nga dallgët e lumit përball dheut të Karpës me Qytezën e saj në midis dhe një grumbull shtëpish kapur përshkëmbinj. Por më vonë, ai mësoi se çfarë vlon brenda, e dinë vetëmKarpist dhe Voni që jeton si i huaj atje. Më në fund, Voni i nënshtrohet të njëjtit fat, martohet pa dëshirën e tij, duke qenë i detyruar të respektojë kanunin dhe zakonet.

Në romanin “Karpa”, Camaj gërsheton me pasionin e një gjurmuesi të thellë, një varg zhvillimesh, duke filluar nga e kaluara e largët deri në të ardhmen moderne, kur malësorët ndeshen me zbulimet më të përparuara teknologjike. Nga këndvështrimi politik, Camaj trajton çështjen e regjimeve diktatoriale dhe trashëgiminë që ata lënë pas, siç janë pasiguria dhe një seri problemesh shoqërore e ekonomike. Ndoshta, Camaj i referohet gjendjes bashkëkohore ekonomike e politike. Fantazia e autorit dhe realiteti gërshetohen në një formë të shkëlqyer artistike.

Nëpërmjet romanit “Karpa”, Martin Camaj, godet gjithashtu si një zakon të prapambetur dhe të egër hakmarrjen. Në mënyrë figurative autori shprehet:

“Ata e dinë se po të hapet një plagë në trup vështirë se me ndalet gjaku, kam lind me këtë të metë, në një vështrim në këtë pikë i përngjaj fisit:”

Synimi kryesor i Martin Camajt si dijetar, poet dhe prozator është trajtimi dhe depërtimi në botëkuptimin e njeriut të maleve shqiptare që, sipas shumë studiuesve, janë djepi klasik i shqiptarizmit të një pjese të Ilirisë së lashtë, që ende ka mbetur pa u gjurmuar sa duhet. Proza e Camajt në përgjithësi dhe romani “Karpa” në veçanti, pasqyrojnë këtë botëkuptim në një mënyrë tëhabitshme. ( “VOA”, transmetuar  – 5 nëntor, 1989 ).

  LETËR MBI STIRLIN *

 Munchen, 22. 8. 1989

 I dashtuni Idriz Lamaj,

mora kasetat bashkë me tekstin e emisionit mbi Fishtën. Shumë mirë! Ndër kaq me lajmuen disa kosovarë me ndejë në Gjermani se kanë ndëgjue dhe dy emisione ku flitet edhe për sendet e mia: u jam  thellësisht mirënjohës dhe të lutëm këtë falnderim përçoja dhe Dr. Biberaj, krztarit të emisioneve.

       Mjerisht, në Lenggries, nja 50 km në jugun e Mznikut, në hymjen e alpeve s’kam mundë ta kapë Voice of America.

       Aktualizimi i Fishtës ashtë në përputhje të plotë edhe me qëndrimin e albanologëve shqiptarë apo arbëreshë dhe të huej. Emisioni juej vuni fort qartë në dukje tri sende; vepra e Fishtës si vepër arti dhe absurditeti i ndalimit të tij në kohën tonë; funksioni i Fishtës si Rilindas i saktë me parimin themelor të Rilindjes dhe në veprën e tij; konsensi mes shqiptarëve edhe aty ku në atë kohë kishte ndryshime të mëdha pikëpamjesh perceptimi te veprës së tij, kryekreje Lahuta., prej gjeneratave të reja. Tue e shikue krzeveprën e tij, Lahutën,  nën prizmin artistik dhe funksional del në pah se kjo vepër ashtë tepër e kapërthyeme me çeshtjet  aktuale të Kosovës: sot,  ndalo Fishtën e thuej se jam për Kosovë, ashtë gja tepër absurde dhe antihistorike. Emisioni juej erdh në momentin kur diskutohet edhe në Tiranë mbi traditën letrare    e gjuhësore, për të parën herë në këtë ton! Edhe ata të realizmit socialist janë kujtue se s’ashtë normale të këputet nji periudhë nga tradita 500 vjeçare e kulturës gjuhësore e letrare. Me fjalë të tjera të krijohet një letërsi e re tue injorue autorët e vjetër dhe të krijohet një variantë guhësore e njësueme pa mbështetje në të kaluemen e gjuhës së shkrueme. Ashtë njënjë si me i këput rranjët një bime dhe të lypësh prej saj fryte. Me temat e rrahuna ta 40 vjet, shtrzdhi sa të duesh, nuk ecet ma andej.

       Në letër më pyet për informime në lidhje me sendet e mia letrare. M’a ke përmendë shpesh këtë pikë, edhe heren e fundit në Neë York. Si e di, flas me vështirësi për veprën time letrare, por mbasi jam kah mbyllja e ciklit të krijimit tim, ashtë e domosdoshme që sadopak të thom diçka, ndoshta mbi metoden e rrethanat në të cilat “kam ba letërsi”. Qysh prej fillimit ishte një pasion, nga lirika kam kalue në shkencën gjuhësore për mos t’u nda nga krijimi letrear; prej letersisë kam pasë gjithëçka, edhe vullnetin për të jetue. Kjo quhet edhe obsesion. Ndoshta ka qenë e dobishme që i kam pjekë temat e mjetin, “gjuën”, pa qenë fort i ndikuem nga faktorët e jashtëm: lirika, sidomos, e don vetminë e zhvillimin e mbrendshëm të pavarun. Për këtë kam pasë përiudha të ndrzshme: ata qëshkruejnë nën diktat nuk kanë periudha. Në ndjekjen e rrymës së zhvillimit të mbrendshëm, nga lirika kam kalue në  prozë, por jo tue i thanë lamtumirë lirikës, si ngjan shpesh: i kam lavrue të dz gjinitë njëkohësisht: Djella shenon këtë kthesë që ashtë shkrue në prozë e poezi. Ngase kam lexue shumë në jetë, përngeshëm dhe pa dhimbë kohe, kam nxanë shumë nga mjeshtrit e artit edhe nga kompozicioni i pikturave, paq lanë kurrë mbas dore se duhej krijue një harmoni mes temës që kisha përdore dhe gjuhës shqipe: si të kisha jetue në stress, vështirë se do t’ia kisha dalë ta kapi këtë harmoni. Sikur mendon Pipa ( bile ky m’a vuni në dukje këtë gja, se mbas mendimit të tij ia paskam dalë qellimit) sintezës mes poezisë e prozës i jam avytë në veprën Dranja. Mbas krijimit të veprës Dranja, mora zemër me shkue dhe një hap përpara me Karpën; tue shkrue këtë vepër e kam ndie veten shpesh  “virtuoz”, dmth. Jam në gjendje të them shqip gjithçka due! P. sh., në një përiudhë pasë rreshtash me projktue shtresa të ndreyshme domethanje.Në prozë kam pasë mundësi, pavetëdijshëm, të jam dhe struktural, ndoshta pse edhe në gjuhësi jam strukturalist? Nuk mund ta pohoj sepse krijimi ka metodën e vet. Nuk mohoj se kultura e shumanshme, sidomos gjuhësore, jep të jesh jo struktural, por në veprën tande në tanësi të ketë një “regularitet”. Mund të quhet edhe konseguencë që del ma së forti në pah në tematikën, së cilës i kam mbetë besnik tue fillue nga lirika. “tingujt e parë” që kam shkrue kur isha 25  vjeç (sh. Poezi, fq. 7) . Obsesioni shprehet në trajtimin e temave të cilat përsëritën (poeti italian Leopardi i quente ‘pensieri dominanti’, ashtu si ngjet tek piktorët që s’mund të ndahen nga një objekt apo fytyrë e caktueme. Qenia “malsor” s’ndahet meje!

       Po të dërgoj një shkrim  që doli në një Enciklopedi të letërsisë botnore. Isha në spital kur  u shkrue dhe botue, andaj edhe për mue qe një befasim.  Autorja ashtë Dr. Glaser, docente, e cila bashkë me të shoqin kanë përkthye Rrathë gjermanisht (afër 8 vjet rresht!).  Ashtë e shkrueme mirë sepse të dy janë marrë me sendet e mia. Ashtë shkrue gjermanisaht me terminologji të posaçme, “të shkencës së letërsisë” (Literaturëissenschaft), andaj të vështirë.

       Edhe në lidhje me perceptimin: nuk di si,  por ashtë e vërtetë: veprat e mia letrare lexohen gjithkund, në Kosovë ma së forti, por edhe në Tiranë nga një “grup” i vogël të privilegjueshmësh. Jam në kontakt vetëm me një elitë arëbreshesh që m’i shfaqin mendimet e tyne. Mbas mendimit të tyne, letërsia s’do nda në prozë e në poezi, por në përiudha. Këta preferojnë verprat e fundit, ma së forti Rrrathët dhe lirikat mbas 1967. Përkundra  kosovarët kanë mbet tek Nji fyell ndër male të cilës vepër ( mos të ishte qenë Arshi Pipa ) do t’i kisha ra moh. Por ky më tha: mos e ban këtë punë, sepse nuk asht kopil!.

        Të fala miqve të përbashkët. Prej jush të Voice of America, fort faqlemnderës! Edhe për një arsye: së fundi emisionet tueja ndigjohen shumë në Shqipni. Kështu albanologët arbëreshë që kanë marrëdhanie të mira me atë anë kanë besimin e tyne ma tepër se  kosovarët: krejt mund të bahen nja një gjysmë milioni ndëgjuesish. Urime, urime!

       PS: Me shëndet s’kam qenë mirë, por duket se po vehem për fije. Megjithatë s’kam humbë asnjë orë mësimi në universitet. Nga analizat e fundit doli complete remission, tue falnderue vullnetin për jetë, konstitucionin e fortë dhe mjekët, kolegë nga i njëjti universitet e kryekreje time shoqe që ashtë mjeke.

                              Të fala të përzemërta, mirë u pafshim! M. Camaj

        *). Këtë letër mbi stilin e botoi Arshi Pipa në revistën e tij “Albanica”,  nr. 3-4, 1992, fq. 171.

 Nesër do të lexoni:

-Vizita e fundit e prof. Camajt në Kosovë mbetet e pashlyer

Seksioni shqip i “Zërit Amerikës” përcolli me vëmendje zhvillimin e punimeve shkencore

– Para 36 vjetësh kur kesh së fundi në Kosovë rrugët dhe vendbanimet ishin të mbushura përplot me njerëz të armatosur

Si pishtar i kulturës tonë kombëtare, edhe në mërgimin e hidhur ruajti traditat lashta të malësorit shqiptar.

 

* Ish Gazetar i Zerit te Amerikes

 Idriz Lamaj eshte pjese e bordit te Vatres dhe se shpejti del me nje liber te ri per historine e Vatres nga viti 1925.