Haki HOXHA* / Muzeu i Krujës, vlerat e një vepre monumentale

1956
Sigal

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në 30-vjetorin e inaugurimit të tij

O kombe, ruani më të mëdhenjtë, se përmes tyre do t’u njohë e ardhmja”. E fillova këtë shkrim me një shprehje të vjetër latine, për të kuptuar e mbajtur në konsideratë se historia është dëshmitarja e kohërave, drita e së vërtetës, mësuesja e jetës, lajmëtarja e lashtësisë. Si sot e 30 vjet më parë, në kalanë e lashtë, largpamëse dhe heroike të Krujës, Gjergj Kastriot Skënderbeut i ndërtohet përmendorja e tij e përjetshme, Muzeu Kombëtar. Mbetet e freskët në memorien e kombit tonë ligjërata e prof. Aleks Budës në ditën e inaugurimit më 1 nëntor 1982. Ai theksoi se: “Figura e heroit tonë kombëtar Skënderbeut i ngjan një lisi gjigand, lartësinë e të cilit nuk e dallon qartë, ndërsa nën hijen e tij. Duhet të largohesh prej tij, të distancohesh prej tij dhe aq më shumë e aq më mirë do të dallosh qartë lartësinë e madhështinë e tij. Vetëm nga larg shfaqet madhështia e tij hijerëndë”. Projekti i muzeut të Skënderbeut u mbështet në platformën ideore të hartuar nga prof. Aleks Buda në muajin shtator 1976, e cila iu dërgua si detyrë projektimi ISP-së N-1 Tiranë, nën drejtimin e arkitektit  Pirro Vaso. Këshilli Tekniko-Shkencor i ISP-së N-1 pasi shqyrtoi tre variantet e paraqitura, miratoi vendin e ri të ndërtimit dhe vendosi të vazhdojë punën projektuese për një variant të ri, duke marrë në konsideratë anët më të arrira të dy varianteve të para. Projekti do të realizohej nga grupi i projektimit të ISP-së N-1 i përbërë nga arkitektët P.Vaso, P.Hoxha, F.Stermasi, K.Meka, L.Gashi, Gj.Çarçani e R.Agalliu. Pasi projekt-ideja e muzeut u miratua dhe nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, grupi i projektimit të ISP-së N-1 filloi punën për hartimin e projekt-zbatimit të kësaj vepre. Punimet për ndërtimin e Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” filluan në muajin shtator 1978 dhe do të kryheshin nga kantieri i Krujës, NNI i Laçit, i drejtuar nga Robert Kota. Në muajin mars të vitit 1980, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës ngriti grupin e punës për përgatitjen e maketit të përmbajtjes së Muzeut. Grupi  i historianëve të drejtuar nga prof. K.Frashëri dhe grupi i piktorëve të drejtuar nga piktori B.Ahmeti përfunduan këtë maket në fund të vitit 1980. Në këtë mënyrë projekti  i plotë i kësaj vepre, duke përfshirë projekt-idenë, projekt-zbatimin ndërtimor e arkitekturor të interiereve të ndryshme, të mobilieve e të detajeve që lidheshin në veprat e arteve të aplikuara përfundoi më 1 nëntor 1982, ditën e shenjtë të inaugurimit të Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Me të drejtë Fan Noli në një nga fjalimet e tij me titull “Duhet të fitojmë, se ndryshe jemi të humbur” thekson: “…Të vetmen  shenjë të kombësisë që na ruajtën nenat është gjuha. Të tëra të tjerat i kemi marrë të gjymtuara. Cila nga nënat shqiptare na rrëfeu legjendat e Skënderbeut? Cila na këndoi përpara vatrës baladat e historisë kombëtare? …Njeri s’tregoi Krujën që luftoi, njeri s’vete të falet në Lezhe ku vdiq Ai? …Po fle i harruar…në vend që të jetë ushqim i mendjes i gjithë kombi…”. Ndërtimi i Muzeut Kombëtar, funksionimi i tij i pandërprerë plotësoi një ëndërr shekullore të shqiptarëve, pasi të mos dimë çfarë ngjarjesh kanë ndodhur para nesh është njëlloj sikur të mbetemi gjithmonë fëmijë. Mendja e holle e historianëve dhe arkitektëve, arti ndërtues i inxhinierëve dhe teknikëve, mundi, djersa dhe puna e punëtorëve, talenti dhe pasioni i piktorëve, skulptoreve, skalitësve etj. bënë të mundur realizimin e kësaj vepre madhore, monumentale e memorial ku përjetësohet jeta dhe vepra e heroit kombëtar, ku lartësohet epopeja e lavdishme e popullit shqiptar në shekullin XV. Bekuar qofshin të gjithë realizuesit e kësaj vepre, e cila do të jetë e do të mbetet një dëshmi e patjetërsueshme e zhvillimit të historisë, artit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Brezat do t’ju jenë mirënjohës, kalaja e Krujës do t’ju kujtoje, emri është i skalitur në çdo pjesë të muzeut, për këtë dhurate shumë të çmuar që i lihet trashëgimi pasardhësve. Kanë kaluar 30 vjet nga dita e inaugurimit të Muzeut e kësaj “piramide të shqiptarëve”, kur u hapën portat për t’u mos u mbyllur më kurrë. Kujtojmë edhe vitin 1960 kur në një ndërtesë të adaptuar në kala me përmasa 38m x 6m, filloi të funksionojë një muze kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili nuk mund t’i përgjigjej përmasave historike të kësaj figure. Arti dhe kultura kane vlerë atëherë dhe vetëm atëherë kur rrezatojnë si të tilla dhe nuk kanë plakje kurrë. Punonjësit e muzeut me përkushtim, shije e kulturë kanë pritur e kanë përcjellë me mijëra e mijëra vizitorë shqiptarë e të huaj, të cilët kanë gjetur kohë e mundësi për të “vizituar” princin e madh Skënderbe. Të panumërta janë mesazhet që vizitoret kanë lënë në librin e përshtypjeve. Mund të përmend mesazhin e ish-presidentit të Gjermanisë z.Vajczger: “… Do ta kujtoj gjithmonë këtë qytet, ku natyra është e harmonizuar me forcën dhe dëshirën e shqiptarëve për paqe…” I uroj Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, këtij monumenti me vlerë  ndërtuar në Kalanë e Krujës, përjetësi dhe suksese!…

* Ish-Drejtor i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, Krujë