Faslli Haliti/ Vaçja është dhe do mbetet surpriza shqiptare

558
Sigal

Në ndërgjegjen  e popullit,  kënga “vaçjane” është përjetësuar

Sapo kishte  kënduar në Orën Gazmore të qytetit Lushnje, Vaçja erdhi  në shtëpinë tone. Ne kishim  hyrje-dalje me Zelët. Që  në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte  bërë e njohur  në gjithë  qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi  që ajo të  këndonte një këngë. Vaçja  që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant),  jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh,  dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po  kjo atje  e ka vendin dhe jo këtu  në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen  bukët. Çdo gjë  në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja  e vogël  çau  dritaret e shtëpisë  së  bukës  me zërin e saj të madh  dhe kënga u përzje  me erën e bukës së djersitur që avullonte  në qoshe të hambarit dhe që  ne fëmijët  s’mund  ta hanim  pa u  ftohur  gjersa  avulli  i bukës  të arrinte  në arën  më të  largët. Zia e bukës ishte në vitin  më të zi  dhe buka duhej  kursyer  duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo  kishte hequr  biberonin  nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën  e saj të ngrohtë  avulluese  që  ne e përpinim  ashtu të  avullt.

Ora Gazmore  jepej një  herë në javë, çdo ditë  të diel  me  altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin  rreth shtyllës së drunjtë, në majë  të së cilës  ishte  vendosur  altoparlanti. Këndonte  treshja  e këngëtarëve  pionierë.

Veçimi

Vaçe Zela, Flora  Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit  veçonin Vaçen  mes treshes  duke thënë: po këndon  Vaçja  dhe nxitonin  drejt sheshit  me  kalldrëm të qytetit  për të dëgjuar  Vaçen  dhe e  dëgjonin  gojëhapur  duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë  kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte  një treshe  këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh  ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte më e bukura, më e veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur  dhe më e veshur  se Vaçja, por të gjithë, i madh e i  vogël  sytë  dhe veshët  i kishin ngulur vetëm te  Vaçe Zela, te zëri  i saj,  te kënga e saj si Hirushe,  si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një  zë që  vinte nga  Europa, për  ne. Kjo  në vitet  pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  europian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj  pranvere ishte  Vaçja që po  shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima melodish. Ajo mori njerëzit rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s’e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos e ngrinim në qiell  duke caktuar  dhënien e  çmimit vjetor  kombëtar  «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo, – tha ai, – i ka kënduar  komandantit, diktatorit. Ata që  e dëgjuan, s’e  mbajtën  dot veten: mbylle  mor buçen,- i thonë- se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga “vaçjane”, zëri “vaçjan” dhe jo  vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të  Vaçes.

Ajo shtyllë  me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte  të ruhej në muze  si obelisku i Vaçes. Por ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes  së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle  mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës,  fidan  që u bë  lisi më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore  që e organizonte  popullori, elitari  pasionanti  aktori,  piktori impresionant  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s’e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj  s’i  rrihej pa kënduar  dhe këndonte  me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s’ua kurseu  atë, por e jepte me shpirtin  e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo  që do t’i binte rasti të njihej me Vaçen do të kërkonte, që ajo të  këndonte të paktën  një këngë ose  një pjesë të  këngës me të cilën ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej  ta përshëndeste  të saponjohurin me një këngë  të re  ose  me një  këngë për të  cilën ajo  kishte dobësi.

Qëlloi  që erdhi në Shtëpinë e Pionierit, Sekretari i Parë  i Komitetit të Partisë, Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai na përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve që ndiqnim rrethet  dhe kurset  në Shtëpinë e Pionierit.  Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë  të njohur  midis gjithë  nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë  e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretar i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.

Ti qenke Vaçja?- tha sekretari i habitur.

Po, unë jam! Ta këndoj këngën “O Azerbajxhan”?-  e pyeti Vaçja, e gëzuar ngaqë ai e njihte.

Pa ta dëgjojmë një herë!-  i tha sekretari…

Dhe Vaçja  shpërtheu….

Oborri  i Shtëpisë së Pionierit, në çast  u shndërrua në sallë koncerti. Vaçja  krijonte  kudo salla  koncertesh  të befta  që në fillimin e karrierës së saj.

Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjës. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej shumë për ‘të, bëheshin shumë thashetheme  e  cirkonin me baltë.  Por cirkat  e baltës  nuk zinin  në trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja  dhe kënga  ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji i gurrës.

Të keqen motra,- më thotë, Vaçja,- futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam lënë revistën  italiane. “Noi  donne”, e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja,-më  tha-  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj!

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste  dhe i qepte bukur, krijonte  modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles  më të mirë. Por kjo  ishte e parakohshme për qytetin tonë, madje edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja me revistën në sqetull unë me një fletore vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq  basme. Një gisht poshtë fundit të kuq, dukej  një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh dy gra.  Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën,  dy pëllëmbë  poshtë fundit. “Është  zhypon të plaçin  sytë, nuk  është këmishë”, iu shkreh Vaçja  me indinjatë, gruas injorante  dhe cinike.

“Mirë ia bëre”,- i thashë  Vaçes duke i dhënë  të drejtë.

Vaçe  Zela  s’ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte. Pas lirimit nga ushtria fillova  studimet  në Liceun  Artistik për Pikturë.

Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, “Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh”.

“Po ti këngëtare je,- i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. -Janë në vete këto, apo flasin kuturu?! E po ik dhe mbushu mendjen pa, -më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që s’po shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelohej.

Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja “Vaçeja çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë”. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagogët e kantos kishin thënë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagogët s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin smirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj, Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaforë e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë, ende nuk ishte e nivelit që është sot. Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në Shtëpinë e Kulturës.

Mizerje,- më thotë.

Pse mizerje?

Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: -“Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…”

“Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?

Të shkretët ne”,- tha Vaçja thellësisht e trishtuar …

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë, kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me Ansamblin e Ushtrisë. Viti s’më kujtohet.

Të keqen motra,- thotë Vaçja. -Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku me ato pak lecka të rregullohen pak. Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse, nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e Estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – “Epo s’jemi në Italie këtu …”. “Epo edhe në Turqie nuk jemi, de…”, – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish i burgosur politik që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmijë. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, -më thotë.- Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

-Çfarë? Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.

Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen “surpriza shqiptare”. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:

Do të përgatis një recital që …

Ashtu?

Po!

Ç’është ky cital moj bijë,- e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes, duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja- mbesa dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është …

Hë? Si është, thuaja gjyshes…

Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …

E pse?

Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….

Po qe kështu, lëre lanetin …

Po Vaçja s’e la këngën.

********************

Rekuiem për Vaçe Zelën

 

Nga Martin Cukalla

 Tempull u bë pulsi im këtë çast të mbrapshtë

 kur paraditja zhgërryhet në një T-short byku parlamentar:

 Vaçe Zela la zërat jetimë!

 Boshti rrotullohet pa ritëm nëpër baltë

 dhe vorbulla zvarriten nëpër fushë retë:

 Vaçe Zela la zërat jetimë!

 Shënoj në qiell udhën e dhëmbëzuar të draprit,

 bari nuk ka shteg tjetër për tu hakmarrë:

 Një varr dhe një yll në arkivol!

 Tundin bishtin lopët bardh e zi të ushqyera me dimër,

 venitet krela e artë e diellit mbi fushë:

 Një varr dhe një yll në arkivol!

 Kush arratiset?

 Zërat nga burimet

 zërat e luleve

 zërat e pyllit

 zërat, zërat…

 Zërat që mblodhi Vaçe Zela në këngë.

 Një pyll i mrekullueshëm këngësh u zgjua befas një mbrëmje

 dhe nuk fjeti kurrë:

 Përplot magjira tingujsh të pareshtur

 lëndina ylberesh që mbartnin jetë,

 drurë dhe burime, gjethe dhe shpresa,

 vrulle dhe shpirtra që rilindin të rebeluar

 për të jetuar rishmë.

 Tani Vaçe Zela është një varr dhe një yll në arkivol,

 zërat jetimë arratisen nëpër shtigje ku bie hija e natës.

 Unë Tempull bëj pulsin tim në këtë çast të mbrapshtë

 kur paraditja zhgërryhet në një T-short byku parlamentar

 Tempull për Vaçe Zelën…

Këngët e Vaçe Zelës

Shoqëronin në lavdërime….

 Tani valët e detit përcjellin dhimbjen për vdekjen e saj

 Të ndodhur në një takim të radhës, ish- detarë të flotës detare, kujtuan Vaçe Zelën. Këtë diamant të muzikës shqiptare dhe tregim mbas tregimi, u fol për këtë këngëtare të madhe, më këngë që i kanë mësuar në vitet kur këndonte Vaçe Zela. Ishte viti 1962 – 1963, kur erdhi estrada dhe ushtarët për një turne artistik në Ishullin e Sazanit. Unë u ndodha aty në atë kohë. Koncerti u organizua në kinemanë veriore të ishulli i mbushur me detarë, oficerë dhe me banorët e ishullit. Vaçe Zela ishte në fillimet e saj, nuk ishte bërë re njohur sikundër do të bëhej më vonë në rrugën plot sukses të saj. Aty nga fundi prezantimit, u komunikua radha e një vajze, ishte me trup mesatar, e veshur me rroba ushtari që nuk i rrinin “tamam”. Mbasi këndoi një këngë në shqip, bëri të largohej, por ovacionet e marinarëve e kthyen përsëri në skenë Vaçen. E kuptoi që duhej të vazhdonte me këngët të tjera, mori kitarën dhe këndoi dy këngë të Adriano Çelentanos, me të cilat kishte korrur sukses në festivalin e Sanremos. Detarët si njerëz që i duan këngët, i dinin për mendësh këngët e këngëtarit italian dhe e shoqëruan Vaçen me duartrokitje. Vaçe Zela me zërin e saj dhuronte çaste lumturie në jetën e banorëve të ishullit e detarëve që do niseshin në lundrime. Prezantuesi njoftoi se koncerti do të mbyllej, trupa e estradës mori rrugën për në mol, ku i priste anija “Kozma Nushi” që do i çonte në Vlorë. Turma e spektatorëve që gjatë koncertit ishte 2- 3 fishuar duke dëgjuar zërin e Vaçe Zelës, e ndoqën trupën deri në mol dhe i ndihmuan artistët të hipnin në anije. Vaçja hipi në urën e komandantit, mori kitarën dhe u tha marinarëve. “Do këndoj këngën e marinarit, duke i’ u uruar lundrim të mbarë” dhe kumboi zëri i saj i fuqishëm në të gjithë ishullin. Dekori ishte i thjeshtë, ura e komandantit përbënte skenën, platea, ku ankoroheshin anijet me spektatorët, detarët dhe familjarët me gjithë fëmijët e tyre, detarët e duartrokisnin dhe Vaçja nuk u lodh së kënduari, sapo mbaronte një këngë niste tjetrën. Filloi të errësohej, atëherë shërbimi detar zgjidhi litarët dhe anija nisi lundrimin. Mbeti në atë ishull imazhi i kësaj këngëtareje zë madhe, këtij margaritari të muzikës shqiptare.

 Myfit Qorduka