Enver Shëngjergji: Në Festivalin e 53 në RTSH,  krijimtaritë muzikore ishte nën nivelin e anës vokale

625
Sigal

Flet kompozitori, Enver Shëngjergji: Vokalisht E. Dani qëndron shumë më lart se materiali muzikor

Festivali i 53 në RTSH, pati shumë komente. Duhet theksuar se në raport me çdo event të kësaj natyre në televizionet privat, të kënduarit dhe ekzekutimit live të instrumenteve, ky Festival përbën një hap cilësor. Por problemet gjithashtu janë evidente si në drejtim të cilësisë muzikore po ashtu dhe të cilësisë së teksteve.

 Në aspektin e interpretimit live të teksteve, të muzikës dhe ndarjes së orkestrës, çfarë solli ky Festival?

Në aspektin e interpretimit si orkestra dhe këngëtaret ishin live, çka përbën një anë shumë pozitive në raport me Festivalet e tjera simotra. Të këndosh live është meritë, pasi nxjerr në pah vokalin e vërtetë. Nga ana tjetër, tingëllimi i orkestrës ishte perfekt. Ndarja e orkestrës në dy grupe mendoj nuk përbën problem se te gjithë instrumentistët ishin me kufje dëgjimi. Kjo e justifikon ndarjen e saj. Për tekstet nuk mund të them një mendim të saktë se ka edhe vështirësi nëse nuk i ke lexuar si poezi më vete, por kam rezerva për tekstet e këngëve. Përsa i përket krijimtarisë muzikore apo muzika, ishte nën nivelin e anës vokale. Kontradiktë që u pa edhe në këngën fituese.

 Konkretisht?

Vokalisht E Dani qëndron shumë më lart se materiali muzikor. Nuk mendoj se ajo do të ketë mundësi të shpalosë vlerat vokale në Eurovizion me atë këngë mbasi ajo është e ndërtuar në përgjithësi me kapërcime tonale dhe melodia nuk vjen e rrjedhshme për këngëtaren. Nuk po arrijmë të përshtatim vokalet e mira qe kemi me një krijimtari që ti jap mundësi këngëtareve. Ky fenomen është prezent se komisioni seleksionues nuk ka te drejtë sot të përshtatë një kënge të bukur me një zë po aq të mirë. Kjo mbetet në dëshirën e kompozitorit dhe këngëtarit. Mendoj se i duhen më shumë kompetenca komisionit që në raste specifike për hir të së mirës të bëjë edhe lëvizje nga bashkëpunimet që ju vijnë. Për largimin e dy këngëtarëve të mi të cilët e pëlqyen këngën, komisioni e miratoi megjithëse, jo në kërkesat e plota të vendosura. Për këtë e falënderoj komisionin. Por nuk kam arritur edhe sot të kuptoj përse ishte ajo tërheqje nga Dushi dhe Laze.

 Mos kemi të bëjmë me faktorë të tjerë?! 

 Orkestracionet ishin në funksion të këngëve në shumicën e tyre, por më duket se kishte një lloj unifikimi, që kam mendimin vjen si rezultat i të orkestruarit nëpërmjet kompjuterëve. Pra ato nota janë kopjuar dhe mbi ato linja luajnë instrumentet, kryesisht harqet. Jo në të gjitha orkestracionet. Ajo që mbetet problem është krijimtaria e mirëfilltë e melodisë së këngës, të jetë e veçantë dhe evidente për fizionominë dhe karakteristikat individuale të kompozitorëve komponentët e tjera është disi me e thjeshtë.

Albert Z. ZHOLI