Emërtimi i një partie nuk përcakton kurdoherë përmbajtjen e saj politike dhe ekonomike

93
Nga Osman MURATI 

Zotit Mustafa Lutajt!
Së pari, të uroj shëndet. Tani unë jam në pension, ndonëse, kur më jepet mundësia, punoj nga pak se nuk më del pensioni. Ne bëmë një debat të këndshëm më parë, prandaj dhe detyrohem të flas më hapur, si i majtë, që i përkas Partisë Komuniste (ish asaj socialiste para vitit 1993). Ta bëra këtë prezantim që unë personalisht jam i shkëputur nga PS-ja e sotme, sepse ajo u shkëput totalisht nga e kaluara e historisë shqiptare, veçanërisht nga lufta nacionalçlirimtare e më tej dhe kaloi në parti borgjeze liberale e djathtë, pavarësisht që, sipas mendimi tim, si atëherë dhe sot nuk ka një strategji të qartë ekonomike, sepse lëkundet sa djathtas- majtas. Kur afrohen zgjedhjet dhe në zgjedhje është parti e Majtë. Pas përfundimit të zgjedhjeve bëhet më e majtë se Partia Demokratike. Mendimi im është se PS ka nevojë emergjente shkëputjen nga korrupsioni galopant, që e ka përfshirë që nga kupola e saj, sepse siç na tregoi edhe praktika e këtyre 3-4 viteve, akuzat e PD-së, për fat të keq, në disa drejtime janë vërtetuar. Ju dhe unë e dimë se disa deputetë dhe kryetarë bashkie të kësaj legjislature janë dënuar, denigruar dhe pushuar nga puna apo funksionet e tyre, ashtu si mjaft funksionarë dhe të zgjedhur të kësaj partie në maxhorancën pushtetare, sidomos në parlament dhe në qeveri, për mendimin tim nuk e kanë begraundin e duhur. E them këtë sepse PS-ja ka një elitë intelektuale të madhe në të gjithë Shqipërinë. Ka studentë që kanë mbaruar studimet dhe kanë mbrojtur Master jashtë shtetit, bile edhe me grada e tituj shkencorë, por, me sa duket nuk i shkojnë për hosh kryetarit të Partisë dhe, si rrjedhojë mbeten jashtë liste. Prandaj dhe bëhen ministra ish kryetarë lagjesh, e mësues anglishteje, që mund të quhen nxënës në ekonomi sipas vlerësimit normal të sotëm dhe të dikurshëm. Kurrsesi nuk mund të pajtohem me polarizimin galopant të popullsisë në të pasur dhe të varfër, me një migracion të paparë ndonjëherë në Shqipëri as në kohën e satrapit Zog, që ishte koha e feudalizmit, që unë e kam përjetuar për pak kohë atë mizerabilitet jetese, pa dritën e syrit, pa dijen e kulturën e popullit, por nuk u boshatis atdheu. Kurrë nuk do të besoja që mijëra ton droge hashash e droga të forta, të qarkullonin e të digjeshin, apo të tranzitoheshin në Evropë, nga shqiptarët. Ju nuk po e konceptoni sesi një grupazh biznesesh, rreth kryetarit, rreth deputetëve, rreth kryetarëve të bashkive bëjnë ligjin në pushtetin e sotëm dhe nuk po përmend emra (se po të më kërkohen dhe do t’i them), sepse do t’i jepja armë PD-së dhe nuk më vjen mirë. Por ama ky është një fakt. Mua më vjen shumë rëndë që nga kryetari i Partisë Socialiste (Rilindja), është distancuar nga e kaluara historike e Shqipërisë dhe e ka futur sipas tij “në arkivolin e Enver Hoxhës”. Pra, sipas tij (zotit Rama), Shqipëria ishte një vend i humbur, nuk kishte as heronj lufte, as heronj pune, as intelektualë e dijetarë e korife arti e kulture. Me këto pak fjalë unë mendoj se, ai e koncepton historinë e së kaluarës si narcist dhe, sikur, historia e Shqipërisë” me Rilindjen e tij” fillon e mbaron me figurën e Edvin Ramës. Mendoj se është jashtë çdo edukatë të përqeshesh historinë e popullit tënd, të përgojosh kohët e vështira të jetesës së këtij populli në luftën e ftohtë, me vizatime surrealiste e bunk-arte e shtëpi me gjethe, duke shkatërruar më keq se Berisha edhe Muzeun Kombëtare. Unë kam punuar dhe i përkas sistemit të socializmit, si kuadër i thjeshtë dhe shkallë shkallë, që nga ekonomist e punonjësit shkencorë e deri ministër jo pak vite, deri në ditët e fundit të sistemit, që ne vetë e dorëzuam me angazhimin për të ndërtuar një model ekonomik të konceptuar ndryshe. Nuk është koha për t’u zgjatur këtu në këtë temë. Por nuk më vjen mirë përgojimi vend e pa vend i atij sistemi me gjithë gabimet e tij, me batuta e sharje të Edvin Ramës. Së për tradhtinë e Saliut me shokë dhe të ish të persekutuarve të djeshëm, që ngrihen sot si kërpudhat pas shiut me ca pseudoshkrimtarë dhe pseudohistorianë nuk e bëj qejfin qeder. Unë vërtet kam qenë ministër kam poseduar rreth 60 miliardë lekë (CASH), nga Tregtia, po kam bërë jetën time të thjeshtë, korrekte dhe për as një majë gjilpërë sot nuk mund të më përgojojë askush për korrupsion e vjedhje si ministrat e sotëm. Prandaj, dua të them tani si dhe më parë që kam shkruar, në fb dhe në shtyp, reformat e PS-së, në pushtet duhet të sillnin një tkurrje të korrupsionit, një pastërti morale të të zgjedhurve, një tablo të re frymëmarrje në parti dhe në pushtet. Reforma e drejtësisë duhet të ishte reforma e parë dhe me çdo kusht duhet të ishte në krye të temës së ditës dhe jo të përfundonte shteti në këtë krizë të thellë sa morale dhe institucionale, sot në prag të zgjedhjeve. Armiqtë e kohës kolaboracioniste zogiste e balliste dhe soj e tjerë të këtij lloji fërkojnë duart për të marrë pushtetin nga këto dobësi esenciale pune të pushtetit. Për mendimin tim, parimi i mbështetjes në forcat e veta, është një shtyllë themelore për të mbajtur dhe përsosur mekanizmat e një shteti në funksion të mirëqenies dhe jetës të sigurt të popullit në Shqipëri. I huaji llogaritet vetëm si faktor ndihmës, po jo përcaktues, që të të bëjë reformat e shtetit dhe kryeministri ndonjëherë edhe mund të ketë thënë se ndonjë ligj kryesorë “nuk e kam lexuar”, apo të fyej gazetarët të “blejë të përpunojë” media për të bërë reklamën e tij etj, etj. Sipas mendimit tim, gabimi falet një herë, kritikohet për së dyti dhe populli për të tretën herë të nxjerr nga loja. Për sa përshkrova në këto pak rreshta më sipër është bërë emergjente një përmbysje e dhe një pastrim radikal i klasës politike “me veting”, me hetim kupolash shtetërore dhe me dorëheqje. Janë jashtë mode aktualisht marshet elektorale dhe paragjykimet për fitoret e zgjedhjeve, të 18 qershorit, me këtë metodë pune e revanshi të PS-së, kur Shqipëria rënkon në shtratin e reanimacionit politik .