Dy libra nga autorja shqiptaro amerikane Keze Kozeta Zylo

773
Dolën nga shtypi dy libra te shkrimtares, publicistes dhe poetes së mirënjohur me banim në NeëwYork Keze Kozeta Zylos. Libri me poezi titullohet “Kujtime si fletëz libri” dhe libri me esse, reflektime dhe reportazhe titullohet “Diaspora krah shqiponje”. Librat janë botuar nga shtëpia botuese Botimet “Bota Shqiptare” Tiranë. Libri me poezi “Kujtime si fletëz libri” ka parathënie të shkruar nga poeti i Kombit Agim Shehu i cili e vlerëson autoren si një poete të afirmuar që po lëvron bukur në fushën e letërsisë. Libri me poezi ka një titull simbolik që siç thotë autorja “arratisja nga Tirana dhe duke lënë gjithë kujtimet në vendlindjen e saj sa në Tepelenë dhe sa në Tiranë ku jetoi dhe punoi e kanë bërë që t’i ketë si një fletëz libri në memorjen e saj”. Poezia është magjia e fjalës vazhdon autorja dhe ajo magji e fjalës dhe e memorjes më kanë bërë që ta kem më pranë Mëmëdheun, më pranë Tiranën dhe nxënësit me të cilët kalova pjesën më të madhe të qëndrimit tim atje. 

Mezhgorani i saj nga ka prejardhjen dhe ka kaluar fëmijërinë është një perëndeshë frymëzimi ndaj dhe në poezi vendndodhjen e tij, shtëpitë e bukura me verandat i quan si sallat mondane ku zhvillohen koncertet e Vjenës, ndërsa Trebeshinën një mal lirik… Autorja Zylo është e ndjeshme për gjithçka që e rrethon dhe me këtë ndjeshmëri poetike qëmton dhe i sjell plot delikatesë poetike në librin e saj me poezi. Me të drejte poeti Shehu pasi i ka lexuar poezitë shkruan se: “Kozeta është një shqiptare të cilën e takon në lëvizje të vazhdueshme. E kam fjalën për lëvizjen e hijshme sa njerëzore dhe artistike skajet e së cilës janë e dobishmja dhe e bukura. Më saktë, te kjo femër energjike dhe vizionare e përkushtuar aq shumë për atdheun e për demokracinë, për të mirën dhe për të vuajturën, e bukura është brenda të dobishmes. Një femër që botën e do me dritë në tërë qenien e vet. (jo rastësisht te poezia e saj e gjen aq shpesh‚ hënën, thua djepi i saj në vendlindje ku u përkund së pari ishte një lloj hëne me dorën e nënës a gjyshes sipër saj)”. Autorja ecën në rrugën që nuk ja ka shtruar njeri, por si një arkitekte ajo hedh ura të arta dhe lidh mahnitshëm Atdheun me Diasporën. Këtë arkitekturë e shikojmë më së shumti në librin me esse, reflektime dhe reportazhe me titull “Diaspora krah shqiponje” . 

Autorja nuk është thjesht shkrimtare, por dhe një ndër aktivistet e dalluara në Diasporë. Shkrimtarja Zylo është bashkëthemeluese e tri shkollave shqipe në Staten Island, Brooklyn dhe në Manhattan ne New York si dhe bashkëthemeluese për TV Aba Life një TV serioz që e kanë themeluar së bashku me bashkëshortin e saj Qemalin si dhe familjen që është në shërbim të çështjes kombëtare. TV Alba Life është vlerësuar nga Kryetari i Bashkisë së New Yorkut Mikael Bloomberg si dhe aktivitetet e tyre janë vlerësuar gjithashtu nga senatorë, kongresistë amerikanë si dhe nga Ansambleisti i shtetit të Nju Jorkut, shqiptari i parë i zgjedhur në këtë forum të lartë z. Mark Gjonaj. Libri “Diaspora krahshqiponje” duket sikur është unik për nga lloji, pasi matanë oqeanit për herë të parë vjen një libër jo vetëm me personalitetet e shquara të Diasporës, por dhe me aktivitetet kryesore të organizatave të ndryshme që festojnë, protestojnë, gëzojnë së bashku si shqiptare për Kombin. Ja si e vlerëson studiuesi serioz Novruz Shehu në parathënien e librit se: Kozeta jonë nuk është më Kozeta jonë, ajo është shumë më tepër… 

Poetja, publicistja, intelektualja e shquar në komunitetin shqiptaro amerikan, vjen me librin e saj të ri eseistik, reportazhe, refleksione. Realisht ka vite që ka ardhur, ka vite që zëri i saj përsërit e ripërsërit jehonën duke kapërcyer Atlantikun me këngën e saj, me britmën e saj, me vëzhgimin e saj. Poezia e Zylos është shpirtërore, tejet origjinale dhe e ndjerë, aty mbi të gjitha ka aromë Shqipërie, mëmëdheu, të tokës që ajo e do aq shumë. Janë të rrallë poetët në mërgim që i këndojnë aq bukur atdheut, të larguar shpesh herë ata shikojnë mbijetesën se sa ndjenjën ndaj atdheut. Por poetja Zylo është në çdo moment pranë atdheut, pranë vendlindjes, pranë halleve dhe shqetësimeve të tij. Ajo e njeh atdheun sikundër të jetoj gjithmonë në zemër të tij, dhe zhbiron çdo detaj jetësor me syrin e një kritizeri, me syrin e një analisteje që nuk pranon kompromis në emër të përparimit. Kjo ka të bëjë me formimin e saj, me idetë e saj jetësore që përcjellin mirësi dhe dëshirë për ta parë atdheun në lartësinë e kohës. Këta janë poetët e vërtetë që dalin mbi veten dhe mbi veten vendosin atdheun. Autorja e librave ju fton sipas mundësive dhe dëshirës në promovimin e 2 librave që do të organizohet nga Muzeu Kombëtar në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Bota Shqiptare” në sallën “UNESCO”, Muzeu Kombëtar Tiranë, në orën 10:30, më 14 gusht, 2015. Ju mirëpresim! 
Sigal