Dule Malindi: “Të jesh artist, duhet të kesh një shpirt artisti”

1460
Sigal

 “Ylli i Skraparit”,“Bilbili i Skraparit”, janë dy cilësimet më domethënëse që populli skraparllinj- dhe jo vetëm- ka vlerësuar këngën e Dule Malindit. Mirëpo, ditë më parë, Bashkia e qytetit të Çorovodës, e nderoi birin e saj, Dule Malindin edhe me titullin e lartë “ Qytetar Nderi”. Këtë titull këngëtarit ia dorëzoi një tjetër ikonë dhe bir i Skraparit, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Në intervistën për “Telegraf”, Dule Malindi rrëfen shpirtin e tij, të cilën e vlerëson si  gurrën, nga e cila rrjedh kënga e tij, kushtuar vendlindjes, BabaTomorrit, njerëzve, skraparllinjve, dashurisë, dhimbjes, gëzimit, trimërisë , në më shumë se 50 këngë të tij, që përbëjnë repertorin e këngës së bilbilit të Skraparit, Dule Malindit.

– Zoti Malindi, si e përjetuat dhënien e titullit “Qytetar Nderi i Çorovodës”, që ju nderoi bashkia e qytetit?

– Shumë i emocionuar, pasi ndjeva që është një vlerësim i çmuar që i bëri Bashkia e  Çorovodës.  E prita kaq mirë këtë nder, sa e quaj një nga ngjarjet më të mëdha të jetës time. Unë kam një jetë që këndoj, nuk kam lënë vend të botës pa shkelur e kënduar. Por u ndjeva i vlerësuar edhe nga pjesëmarrja e figurave politike, sikurse Ilir Meta, Naço, Ylli. Të them sinqerisht, këtë vlerësim e ndjeva dhe përjetova këto emocione. Por, mbi të gjitha, ai respekt dhe nder që më bënë, më shtuan barrën e detyrimeve për mua, që duhet të jap më shumë, me këngën time, që këngën popullore të vendlindjes time, të krahinës time, të Skraparit tim, ta përçoj në çdo zemër dashamirëse.

– Në ceremoninë e nderimit tuaj, ishin shumë njerëz, pavarësisht përkatësisë partiake, pavarësisht bindjeve politike, fetare, të ardhur edhe nga të gjitha zonat e krahinat. Çfarë i ngacmon njerëzit, që të vijnë në të tillë eveniment, e të japin  respektin e dashurinë për artistin? Për ju, konkretisht?

– Po, kjo ishte e veçanta dhe kryesorja, sepse aty nuk pati anshmëri dhe parti. Zakonisht, artistët, kështu vlerësohen dhe kështu priten. Mbase njerëzit i “detyron” të vijnë e të më nderojnë ngaqë kënga ime u ngacmon ndjenjat e zëmrës, sepse kënga ime është shprehëse e gëzimit të tyre, e vuajtjeve, e halleve dhe e ëndrrave të gjithsecilit. Pjesa më e madhe e repertorit tim të këngëve, janë për Skraparin. Të paktën, në çdo 5-6  këngë, do zihet emri i Tomorrit, se s’bën, emri i Skraparit, emri i skraparlliut. Kam kënduar edhe këngë për kurbetin. Edhe këngë të dhimbshme. Kam kënduar edhe për Abaz Aliun. Ndaj, edhe populli, si gjithmonë, mua më ka pritur mirë. Kësaj radhe e pashë, që populli, më do vërtet. Dhe këtë veti e ka edhe vetë, sikurse thotë Xhevahir Spahiu: “Ta duam njeri-tjetrin”. E kuptova që Skrapari më do, ashtu siç e dua edhe unë, me gjithë zemër. Më bëri shumë përshtypje, se ai vlerësim që m’u bë, nga skraparllinjtë, ishte më i madh sesa u bëhet politikanëve.

– Ju jeni interpretues e përçues i këngës popullore të Skraparit,  e kjo ju bën të veçantë. Si lindi te ju kjo veçanti?

– Unë këngën pioniere e kam kënduar kur kisha shami pionieri dhe këndonim këngë Skrapari me iso. Më vonë, kur isha 20 vjeç, kam vajtur në një kurs për klarinetë. Kam marrë pjesë edhe në festivalin e madh Folklorik të Gjirokastrës. Fillimi i këngës time me orkestër ka nisur në 2002-in. Albumin e parë e kam bërë me 10 këngë të vjetra të Skraparit, i cili titullohet “Ç’u lodhe dado, m’u lodhe”, në 2003-in. Bile, edhe atëherë, edhe tani, më thotë ndonjë: “E ke prishur këngën e Skraparit”.Pounë nuk e kam prishur traditën. Melodia është ajo që ka qenë. Unë ka futur vetëm veglat muzikore brenda, janë harmonizuar dhe janë bërë me rritëm, që ato të kërcehen në gëzime familjare. Megjithatë, kënga polifonike e Skraparit, e kam thënë dhe e them, duhet ruajtur. Edhe në festivalin e fundit në Gjirokastër, unë mora pjesë me grupin polifonik, edhe në evenimentin që u bë për nderin tim në Çorovodë, unë kisha grupin polifonik, Xheladin Cerri e Mersin Meno. Ata kishin bërë një tekst për mua dhe aty mua më ranë lot. Emocionet nuk kishin fund aty, dhe më bënë që mua të më binin lot.

– Talenti i juaj, ishte i mjaftueshëm, për t’u bërë ky që jeni sot?

– Zëri është dhuratë nga Zoti. Mirëpo varet, kush e përpunon këtë zë. Edhe pse kam kënduar që i vogël, kur isha pionier, por kur u ktheva nga kurbeti, në 2002, i pyeta vetveten, se çfarë mund të bëj unë? Unë kam bërë dhjetëra koncerte, kudo ku janë shqiptarët. Në Australi, në vendet e Ballkanit, edhe në SHBA do vete këto ditë. Kam dhënë shumë emocione me këngën. Mirëpo për mua, emocionet janë kur marr. Mua më duket sikur unë marr më shumë emocione, dhe nga këto emocione përmend dy. Kur u bë Ilir Meta kryeministër, në 2001, unë kam qenë në Stamboll. Nuk e përshkruaj dot, si jam ndjerë. Ky djalë 30 vjeç nga Skrapari, bëhet Kryeministër i Shqipërisë. Jam dredhur nga emocionet që ndjeva. Dhe i thashë vetes: “Shiko  çfarë bëjnë njerëzit, e unë rri këtyre rrugëve”. Dhe ajo ishte shtysë që të kthehesha në Atdhe, e të punoja këtu. Shkova në festën e Tomorrit, për herë të parë. Atje ishte Xhevahir Spahiu, edhe ai është nga fshati Malindi dhe doli e recitonte dhe dridhej i gjithi nga emocioni. Edhe atë moment nuk e harroj. E këto dy momente nuk i harroj e janë për mua një frymëzim i paparë.

– Cilat janë cilësimet, që ju ka bërë populli juve?

–  Këto janë shprehur me vepra, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e këngës, në Skrapar, por edhe duke përfaqësuar Skraparin në Festivalet Folklorike. Mbi të gjitha unë vlerësoj cilësimin “bilbil i Skraparit”, bile më kanë krahasuar edhe me Demir  Zikon, po unë them se atij nuk i afrohem dot. Ai për mua është i paarritshëm, i pazëvendësueshëm. Cilësimet më kanë frymëzuar, nuk i kam marrë si mburrje.

– Që i vogël kënga ishte ëndrra juaj, kur të rriteshit?

– Ëndrra jonë, atëherë, nuk mendonim për këngëtar, vë vitet ‘70-‘80. Ëndrra për këngëtarë, ishte pasioni im. Rrjedha e jetës time ndryshoi në 2002-in, kur u ktheva nga Stambolli. Pasioni ikën vetëm bashkë me vdekjen.

– Mjafton vetëm pasioni, njëfarë talenti i lindur, për t’u bërë artist i madh, p.sh, si ju, në këngë?

Jo, nuk mjafton vetëm pasioni e talenti i lindur. Duhet këmbëngulje, duhet punë. Edhe fati duhet të të ndjekë, nganjëherë. Edhe sakrificë duhet. Unë kam sakrifikuar, qoftë edhe nga ana ekonomike. Bërja e këngëve dhe e vidioklipëve, nuk është i lehtë. Ka qenë, si i thonë, jep me një dorë e merr me një dorë. Frytet e kësaj pune i ndjejmë dhe i shikojmë tani. Kur fillova me albumet, në 2003-in, çdo gjë e paguaja nga xhepi. Por, mbi të gjitha, vullneti, që të mos e lë në mes këtë punë.

– Sa të vështirë e kishit që të arrinit në këtë majë të kurbaturës artistike tuajën?

– Jo, unë majat nuk i kam arritur dhe nuk pretendoj të arrij maja. Unë kur fle natën, më zë gjumi duke kënduar, duke krijuar ndonjë melodi, ndonjë ide. Dhe ngrihem në mëngjes, këtu e kam mendjen, te kënga. Konkurrenca është shumë e madhe. Zilia është, po unë mundohem që çdo gjë ta mund me punë. Ka edhe fjalë që më demoralizojnë, duke u nisur nga ambiciet. Por, siç thotë populli, më mirë të kesh më shumë hasmisë, sesa ata që të duan, sepse aty gjen edhe forcën e shpirtit për të bërë një punë. Këto vlera dua t’i ruaj me punë, siç i kam bërë me punë. Unë gjithnjë këndoj live, kurrë nuk vë diskun. Nuk ia kam frikën punës.

– Kënga, sa ka ndikuar te gatimi i shpirtit dhe i karakterit tuaj, i cilësive të tua, si Dule?

– Në radhë të parë, duhet të jesh njeri.  Ose që të jesh artist, duhet të kesh një shpirt artisti. Unë kurrë mendjemadh nuk jam. Edhe këngën, kur e interpretoj, e interpretoj me shpirt. Më kanë thënë, që,  e veçanta që ke, kur del në skenë, është se e shpreh me mimikën tënde, atë që do të këndosh. E nxjerr në këngë, atë që të përmban shpirti. Edhe komunikimi, sjellja ime, është ndikuar nga kënga. Isha në një koncert në Milano me Mirush Kabashin. Ai recitoi dhe emocionoi shumë njerëz. Ai është vërtet artist, sepse  i emocionoi njerëzit me thjeshtësinë, komunikimin. Ai është artist, që ka shpirtin e artistit. Se një zë të bukur mund ta ketë edhe ndonjë tjetër, por humbet, kur nuk i shpreh njerëzve edhe shpirtin e tij të pasur të artistit. Shumë njerëz që kanë talentin e lindur, humbasin se nuk kanë njerëzillëkun, mirësinë e shpirtit. Nuk është e lehtë. Nuk është kënga “tra-la-la”. Sa stres e lodhje kam. Mua nuk më lodh ajo që këndoj. Mua më lodh meraku, si do dal, sa do prek ndjenjta e zemrat e njerëzve, sa do t’i ngre peshë  zemrat, nga emocionet që do t’u përcjell njerëzve? A do kënaqen njerëzit nga kënga ime?

– Po ndonjë mbresë, të hidhur, të përjetuar, që jeni ndodhur keq dhe e keni të vështirë ta harroni?

– Nuk kam diçka të veçantë.

– Po momenti më i vështirë i juaji?

– Keq nuk jam ndjerë ndonjëherë. Veten unë  e vë në siklet, vetëm para çdo shfaqjeje që kam, nga meraku, sa do ngroh ndjenjat dhe zemrat e atyre që erdhën për të gëzuar me këngët e mia.

– Gjatë punës tuaj, të gjithë ju kanë dashur?

– Në radhë të parë është familja që më ka dashur dhe mbështetur. Jashtë mase. E di, që ka edhe nga ata që nuk më duan, flasin keq. Unë i kam përballuar ata. Unë nuk e di të jem konfliktuar me ndonjë, të jem zënë me ndonjë, të mbaj mëri për ndonjë. Edhe kur ndonjë mundohet të më gjuajë me gurë, unë ia kthej me pambuk. Unë çdo gjë negative që ndesh, mundohem që ta mund me vlera. Me punë. Unë dua, që edhe kur të iki nga kjo botë, të mos i mbetem borxh asnjeriu. As për një llaf, jo më për gjëra materiale.

– Cili është Dulja jashtë këngës?

– Unë, edhe jashtë këngës, jam aq i thjeshtë dhe jam njësoj. Bëj jetën time familjare, shoqërore. Mundohem të jem i thjeshtë, i dashur me njerëzit  dhe ndoshta kjo është edhe karakteri im. I dua edhe ata që nuk më duan.

– Cilat janë gjërat që mbushin ditën tuaj?

– Unë, pavarësisht, vete e nga vete, këngën kam përbrenda. Nuk merrem me aktivitete të tjera. Kur kam kohë, dal me shokët. Angazhohem me palestër, pak. Dal nga Liqeni Artificial me familjen.

– Përveç këngës, cilat gjëra të tjera janë në sferën e interesit tuaj?

– Në interesin tim është vetëm familja dhe kjo më ka bërë që të kem arritjen. Familja më jep qetësinë shpirtërore. Kjo është  më kryesorja.

– Si reagon Dulja, në momentet që  brenda teje lind revolta?

– Unë shtrëngoj dhëmbët dhe dua një minutë sa të kalojë e të qetësohem. Skuqem në fytyrë, po zemërimi më ikën përbrenda. Me qetësi kalohen çdo gjë. Kjo ka qenë edhe vetia e jetës time.

– Me Ilir Metën, kini kontakte të drejtpërdrejta?

– Me Ilirin jam takuar vetëm 2-3 e vetëm nëpër evenimente të ndryshme. Asnjëherë nuk jam ulur të pi kafe. Por ju them, që Ilir Meta, për Skraparin, po dhe po, por edhe për Shqipërinë, është një dhuratë nga Zoti, sidomos për ne skraparllinjtë. Unë e kam besuar atë, se është njeri për t’i dhënë besën. Iliri mua më ka respektuar nga kënga. Ajo fjalë që tha Iliri për mua, kur më dorëzoi titullin e “Nderit”, edhe shok të më kishte, nuk do të më kishte njohur më shumë. Duke nisur që nga fjalët që tha për familjen dhe karakterin tim.

– Çfarë e bashkon dhe çfarë e ndan politikanin me artistin, meqë janë personazhe të shoqërisë?

– Ndahen, në radhë të parë te shpirti. Sepse ka politikanë që kanëshpirtin të mirë, por ndoshta detyrohen që të mos e tregojnë atë dhe kaq të mirë. Populli do artistin, sepse, në fund të fundit, politikanët venë e vijnë. Të shumtët harrohen. Artisti i këndon dhimbjeve, gëzimeve, dashurisë, trimërisë së popullit.

– Cili është idhulli, apo pikëreferimi juaj?

–  Mbi të gjitha, që i referohem, kam veten. Kjo është veçoria ime, që unë kam bërë diçka të veçantë. Këngëtarë të tjerë, nuk i këndojnë dot këngët e mia, se janë të veçanta. Idhull, natyrisht, unë kam Demir Zikon, që është i paharruar. Është vështirë ta gjesh atë zë. Petrit Lulo dhe Eli Fara, janë gjithashtu për mua, idhuj të këngës popullore.

– Shumë faleminderit!

Familja ime është gjithçka për mua

– Çfarë është familja për ju dhe çfarë ndikimi ka te bota juaj artistike?

– Familja është e shenjtë dhe mbi familjen nuk ka asgjë. Unë kam bërë një këngë për familjen. Kam nënën në shtëpi. Kam edhe gruan. Dhe kam bërë një këngë: “Familja e shenjtë”, për të dyja. Për mua është shumë pozitive që familja ime më mbështet. Dhe më rehaton nga lodhja. Kur iki nëpër botë, për të kënduar, e di që nuk kam asgjë për t’u shqetësuar, se kam mbështetjen e familjes, nënës, gruas, djalit dhe vajzës. Djali vazhdon për regjisurë dhe është në Stamboll, mbaron masterin. Jam aq krenar për të, sa edhe ai për mua. Ndihem krenar, kur djali më thotë, që do mbaroj doktoraturën, do ikë në Angli, SHBA, por, çdo gjë që të bëjë andej, do të kthehet këtu, në Shqipëri, të punojë. Kështu, djali më bën shumë krenar, sepse ka edhe ai këtë shpirt dhe kur ma shpreh, emocionohem shumë. Do, që të gjitha ato idetë dhe ato që mëson, të bëjë diçka për vendin e vet.

 Kënga e Dules i dha jetën të paralizuarit

– Mund të pohoni ndonjë mbresë që ju ka bërë përshtypje, që keni përjetuar, sa e keni të vështirë ta largoni nga memoria?

– Janë të shumta. Kur kënaqen aq shumë njerëzit nga kënga. Por nuk harroj diçka që jetova në një koncert me bashkatdhetarët në Australi. Njëri nga ata që erdhi për të më dëgjuar, ishte invalid, i moshuar  dhe para 2-3 vjetësh, i kishte rënë një paralizë. Dikush, më thotë, shko te ajo tavolinë, ku ishte ky bashkatdhetar invalid dhe këndova këngën “Mbeçë more shokë, mbeçë”. E këndova në versionin e Demir Zikos, vënçe. Atij invalidit i binin lotët, vetëm qante, duke dëgjuar këngën time. Në kohën, që unë ia merrja këngës, ia çoja mikrofonin edhe atij. Atij, i doli në ato momente zëri. Ai kishte dy vjet që nuk fliste me gojë. Nuk e di se çfarë emocione përjetova ato sekonda. Nuk di si t’i shpreh. Të gjithë të pranishmit, atë çast filluan të qanin. Një emocion i paparë për të gjithë. Ndaj, e përjetoj, sa herë më vjen ndërmend, ashtu siç e ndjeva atë çast. Dhe të tilla emocione, ndjenja të fuqishme, që edhe jetën e ngrenë në qiell, ta jep vetëm kënga. Dhe këngën, ta përcjell në shpirt vetëm një artist që ka shpirtin e artistit.