Dom Nikollë Kaçorri, portret i një meshtari luftëtar për Pavarësi Kombëtare

234
Nga Gëzim LOKA 
Me rastin e 100-vjetorit të vdekjes 
Me emrin e Dom Nikollë Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, zv/kryministrit të qeverisë së Vlorës, lidhte një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira njëherësh të historisë sonë kombëtare. Me gjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij është lënë në gjysmë harresë dhe nuk i është dhënë merita që i takon. Në Diktaturë emri i tij përmendej, por me një lloj ndrojtje, ndërsa në këto vite të hapjes së Shqipërisë, figura e tij e plotë nuk ka dalë në pah, siç i takon në panteonin e lavdisë kombëtare. Dom Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krej- Lurë më 21 shkurt të vitit 1862, fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës e Mirditës, me një histori të denjë si gjithë Lura, Dibra e shqiptaria. Ai rridhte nga një familje, me baba katolik, ndërsa nëna me besim mysliman, duke promovuar atë që jo vetëm në Lurë por n ë të gjithë Shqipërinë është modeli i bashkëjetesës fetare. Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, djaloshi ra në sy t’arkipeshkvit të Durrësit n’atë kohë, imzot Ambrosio, i cili gjatë një vizite në Lurë, duke parë shkathtësinë, inteligjencën dhe zgjuarsinë natyrale të tij, u kujdes që ta shkollonte dhe ta bënte meshtar. Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë, duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Gjithë shpenzimet për shkollimin e tij i kreu kisha e priftërinjve. Ai ishte sekretar i Arqipeshkëvisë së Durrësit me qendër asokohe në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke pasur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pastaj u emërua famullitar në Durrës. Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, Shpejt avancon, ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909), mjedise këto ku takoheshin intelektualët më me zë duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën, duke pasur si problem primar dhe imediat – rilindjen e Shqipërisë, arsimimin dhe gjuha shqipe. Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Pajis popullin me 500 armë, armë që u shpërndanë në Kthellë të Mirditës. Në bashkërendim me Gjin Pjetrin e Skurajve, i paraprin shpalljes së pavarësisë, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare nga veriu në jug, në gjithë Shqipërinë etnike. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, Edhe pse i ndjekur e i përndjekur, Imzot Kaçorri nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me çetat kryengritëse, sidomos ato që vepronin në zonën e Kurbinit dhe në Malësitë e Kthellës, ku përfshihej edhe vendlindja e tij, Lura. Në momentin kur ishte përfshirë për një kryengritje të armatosur në gjithë Shqipërinë. Për gjyqin dhe dënimin me disa vjet burg dhe gjobë në të holla boton gazeta “Dielli”. Gazeta “Dielli” e datës 8 Nëntor 1911 shkruan: “Me 15 të Dhjetorit u knduen në gjykatore të Durrësit letrat që paten ardh të prishuna preji temizit të Stambollit, me 17 vazhdoi gjygji përsëri porë pa lën shum me folë të ndershmin prift atdhetar, dhe pa thirr njeri si dëshmitar. E dënuen përsëri me dy vjet burg e 25 lira gjobe.” Po ashtu vazhdon “Në korrik të vitit 1911 ushtria turke zuni në Shijak rrogtarin e imzot Nikoll Kaqorrit me tri manxerrë e do fishekë e letra poste, që po i qonte në Delbnisht te Arqipeshkvi i Durrësit imzot Bianki. Imzot Nikoll Kaqorri kjé qitë në gjygjin ushtarak e kjé dënue me burg e sidomos për shkak të një letre ku jepte drejtime për një kryengritje kombëtare.” Përndjekjet, gjyqet, kërcënimet kundër tij nuk pushuan një çast, aq sa gjendjen e tij e përcollën jo vetëm gazetat shqiptare të mërgimit, si gazeta “Dielli”, por edhe gazetat e huaja si “Corriere di Trieste” apo edhe shtypi austriak me të cilin ishte i lidhur posaçërisht, edhe për shkak të njohjes së gjuhës, pse atje kishte kryer studimet. Ai me një zgjuarsi të rrallë, në polemika me klerikë myslimanë dhe ortodoksë, – të cilët predikonin, të parët gjuhën arabisht dhe turqisht, të dytët greqisht, – porosiste: “Të predikojmë në gjuhën shqipe, se Zoti na ndigjon edhe shqip!”. Në Durrës gjendja e tij bëhej gjithmonë e më e vështirë: Ishte një paradoks, po ai u gjend në mes dy zjarreve, pushtetarëve otomanë, që e kishin përherë nën mbikëqyrje, e në bashkëpunim me ta edhe nga dhespoti i Kishës Ortodokse, Jakovi. Popullsia myslimane e Durrësit dhe e Shijakut, edhe pse e ndërsyer kundër tij nga turqit, nuk e tradhtoi kurrë, po përkundrazi, e mbështeti, e mbrojti, shpesh herë edhe me armë. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë. Por trazirat dhe trupat serbe në afrim nuk lejonin qetësi. Bashkëkohësit e përshkruajnë si një klerik jo fort paqësor: Ishte kohë kryengritjesh për liri dhe meshtari nuk i shmangej as luftës së armatosur. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në kuvendin e Vlorës dhe firmosi dokumentin e Pavarësisë me siglën “Kaçorri”. Në mbledhjen e 41 delegatëve që kishin mbërritur në Vlorë, atdhetari Nikollë Kaçorri ngrihet e thotë: “Në qoftë për nesër, vdesim sot, o flamur o dekë!”. Kjo ishte një postulat i lirisë dhe dinjitetit shoqëror të shqiptarisë. Këto thirrje u bënë himn për të gjithë pjesëmarrësit. Në këtë moment mund të themi se del si figurë më lart se bashkëpunëtorët e tij dhe ka plotësisht të drejtë historiani dhe studiuesi i mirëfilltë, lurasi Sali Ajazi që e ka përcaktuar si “politikan të nxehtë”, por rezultativ në momente sfide dhe kritike. “Sot, – përgjigjet me lot në sy plaku i nderuar Ismail Bej Vlora, – në mes të një gëzimi të papërshkruar shpallet pavarësia e Shqipërisë”. Dom Nikollë Kaçorri ishte në krah të plakut legjendar jo vetëm me penë e dituri, por dhe me armë në dorë. Ai u zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. 

Kuvendi i Vlonës, i çelun në orën 14°° të datës 28 Nandor 1912, miratoi Shpalljen e Pavarësisë. Firmë e dytë, mbas Ismail Qemalit, ishte Imzot Nikollë Kaçorri. 

Valëvitja e flamurit të Kastriotit atë ditë të shenjtë, siç e dëshmon një fotografi e vjetër, e paretushuar nga komunistët, u bëpikërisht nga Imzot Noli, Luigj Gurakuqi, Imzot Nikollë Kaçorri e Aqif Pashë Elbasani Ismail Qemali vinte pas një kohë te gjatë mërgimi dhe vinte në një terren të përgatitur sigurisht nga pjesa e atdhetarëve të shquar, të cilët për një ngjarje të tillë të madhe kishin bërë një punë kolosale, dhe në krye të këtyre punëve ishte Dom Nikollë Kaçorri, ku në këtë rast mund të themi pa mëdyshje se ky post i rëndësishëm iu dha edhe si një lloj shpërblimi për punën qe kishte bërë në përgatitjen e situatës se brendshme, përfshirë këtu edhe atë të sigurisë, për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhrit të Franc Jozefit. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq, më 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme. Fakti që ai mbajti petkun e meshtarit, mbase u bë shkak që gjatë gjithë regjimit komunist portreti i tij patriotik dhe roli i tij në formimin e shtetit shqiptar u kalua mjaft tangjent, duke u eklipsuar nga figura të tjera.