“Diktatorë dhe aventurierë” – Një libër mjaft interesant i Spiro Mëhillit

539
Sigal

Shpendi Topollaj

Kushdo që e ka ndjekur nga afër krijimtarinë e gjerë letrare të Spiro Mëhillit, patjetër që ka konstatuar se ai është një shkrimtar jo vetëm mjaft prodhimtar, por edhe shumë i kulturuar, demokrat, i papajtueshëm me çdo lloj çdo diktature, analist, dhe njohës i mirë i zhvillimeve letrare, historike dhe politike të çdo kohe. Pas shembjes së komunizmit, janë të paktë ata shkrimtarë, gazetarë apo dhe politikanë që i kushtojnë vëmendjen e duhur demaskimit të atyre plagëve dhe të asaj të keqeje të madhe që solli ai sistem si në vendin tonë, ashtu dhe në botë. Dhe po të mendosh ndikimin që njerëzit e letrave dhe në përgjithësi të mediave kanë në popull, ky qëndrim shumë apatik ndaj asaj që ndodhi te ne është shumë i gabuar. Kurse Spirua, për asnjë çast nuk ka reshtur së analizuari dhe treguari dëmet që i erdhën popullit e vendit tonë nga përqafimi dhe zbatimi i verbër i ideologjisë më absurde që ka njohur njerëzimi, por edhe ngjashmërinë që ajo ka me despotizmin historik e sidomos me ato të shekullit të njëzetë, si fashizmi e nazizmi. Pavarësisht përrallave të dala boje, se historinë e bëjnë masat, kur është vërtetuar gjatë shekujve se masat s`janë tjetër, veçse mish për top në interes të tekave, megalomanisë, etjes për lavdi e deri çmendurisë së udhëheqësve narcisiztë të dehur nga pushteti dhe krijimi primitiv i besimit se ata janë gjysmë perëndi, Spirua me të drejtë e vë theksin tek ata individë që i çojnë popujt në krime e kasaphana të paimagjinueshme, ku sikurse pohojnë vetë,     – vrasja e milionave s`është tjetër, veçse statistikë. Në librin e botuar së fundi, titulluar “Diktatorë dhe aventurierë”, ky autor merret me jetët publike dhe private, shpesh dhe të panjohura, të tre figurave mjaft të njohura si Adolf Alois Hitler, Benito Aleksandër Musolini dhe Josif Visarionoviç Xhugashvili. Janë tre figurat më të urryera, krejt të pangjashëm fizikisht, por tërësisht kopje e njeri – tjetrit në dëmet që i sollën njerëzimit.

  • Të tre të ardhur nga hiçi përmes aventurave, deri dhe vjedhjeve e burgjeve të herë pas hershme.
  • Të tre mosmirënjohës, aq sa nuk i vriste ndërgjegjja as kur pushkatonin shokët e tyre më të afërt, ata që u ishin gjendur në ditët më të vështira; Hitleri vriste shokun e ditëve të para, Remin e fituesin e shumë ndeshjeve Romelin, Musolini dhëndrin e tij, kontin Çiano, kurse Stalini, edhe Lev Kamenievin që e kishte strehuar më 1904, kur ai përndiqej nga policia apo anëtarët e vjetër të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror që e kishin mbështetur në sa e sa beteja politike.
  • Të tre e ngritën në institucion veprimtarinë topitëse të propagandës për krijimin e kulteve të tyre. Të tre arritën, ku me mashtrime e ku me terror që masat e gjëra t`i ndiqnin pas me besim idolatrik.
  • Të tre krijonin përshtypjen se po zhvillonin ekonominë dhe po synonin mirëqenien e popujve të tyre, pavarësisht sakrificave të panumërta. Të tre inskenuan pretekste për të përligjur pushtimet.
  • Të tre udhëhoqën sulme të pabesa ndaj vendeve të tjera; Hitleri e nisi me Çekinë për Sudetët, Poloninë dhe pastaj dihet, Musolini ju turr Abisinisë, Shqipërisë e Greqisë dhe Stalini Finlandës e republikave Pribaltike etj.
  • Të tre krijuan kampet e vdekjeve masive, pavarësisht emrave që i vunë; kampe Përqendrimi apo Gulak.
  • Të tre deportuan miliona të pafajshëm, burra, gra e fëmijë, duke i çuar drejt vdekjes së sigurt. Të tre vunë në veprim dhe u dhanë pushtet të pakufizuar shërbimeve të fshehta më të pashpirta. Të tre realizuan gjenocide, sidomos ndaj popullit hebre. Të tre ishin oratorë të padiskutueshëm. Të tre u mbështetën në lavdinë e së shkuarës për të frymëzuar masat. Të tre kërkonin të bindnin popujt e tyre se ishin racë superiore.
  • Të tre synonin të përhapnin ideologjinë e tyre dhe ndikimin te popujt e gjithë botës.
  • Të tre ishin të degjeneruar e të shthurur; predikonin moral dhe vetë ishin të paskrupuj.
  • Të tre patën një fund të palavdishëm; i pari që Mann Golo e quan “një përbindësh”, vrau veten në bodrumet e kancelerisë së Rajhut, i dyti, të cilin autorët Bellusov dhe Petrushev e quanin “hamshor”, dha frymë me nëntë plumba në trup rrëzë murit të vilës Belmonte pranë liqenit të Komos, për t`u varur nga këmbët në shtyllë elektriku në Milano dhe i treti dha shpirt mbi urinën e tij, ndofta dhe i helmuar nga egërsira tjetër Lavrent Beria, me antikoagulantin varfarine, për t`u njollosur përfundimisht në kongresin XX  të Partisë Komuniste të B.S. si sadisti më i madh i të gjitha kohërave dhe për të cilin ish-shoku i tij i udhëheqjes së lartë Zinovjevi, para pushkatimit do të thërriste: “Që kur ka ekzistuar bota nuk ka pasur në tokë përbindësh më të tmerrshëm se Josif Xhugashvili.”
  • Gratë e të treve gjithashtu patën të njëjtin fat; vdiqën nga plumbat. Filozofi Lao Tzu ka pas thënë se “Për të udhëhequr njerëzit – ec pas tyre”. Por këta mostra, me mendjemadhësinë, prepotencën, pabesinë e arrivizmin e tyre, dhe gjithmonë me dëshirën për të mbetur në histori si perandorët e lashtë romake, i prinë masat gjatë mbretërimit të tyre si autokratë absolutë në rrugë të rrezikshme dhe me kosto të pallogaritshme.
  • Nuk ka dyshim se ata ishin gjeni, por gjeni të së keqes.

Dhe pikërisht këto të këqija i ka gjurmuar dhe evidentuar shkrimtari Spiro Mëhilli. Ai nuk ruan ndonjë kronologji në ecurinë politike dhe ushtarake të tyre. Këtë e kanë bërë të tjerë autorë. Kështu libri do dilte shumë shkollaresk. Nuk ka qenë ky qëllimi i tij. Ai ka dashur që përmes fakteve të pakundërshtueshme të na japë fytyrën kafshërore të këtyre udhëheqësve që me mizoritë e tyre do bëjnë të harrohet edhe emri i Neronit e Xhengis Khanit. Dhe ajo që lexuesit i mbetet në mendje është përkimi i zvetënimit moral me krimet e pashoqe. Ndaj, asaj paraleles mbi të Tre, i duhet shtuar;

  • Të tre ua kaluan sulltanëve për gratë me të cilat shkuan; deri në fëlligështi apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, duke lënë edhe fëmijë ilegalë. Nga ana e shkrimtarit, jo pa qëllim janë rreshtua prostitutat, femrat e zakonshme, ato të shoqërisë së lartë, balerinat e këngëtaret me të cilat ata kalonin deri në orgji e perversitete.

Ai ka dashur të tregojë se sa paradoksalë e pushta ishin ata që popujt i ndiqnin nga pas me nënshtrim të turpshëm. Ai, sikur na kujton se duhet të bëjmë kujdes, se të tillë pushta e vagabondë ka edhe sot e kësaj dite. Ndaj asnjëherë nuk duhet të mbyllim sytë e t`i idealizojmë ata. Jemi në një kohë tjetër dhe s`kemi pse të besojmë dhe sillemi si kope e bindur ndaj kujtdo që në një formë a në një tjetër, kërkon të na bindë se ai, dhe vetëm ai, është Mesia, pra shpëtimtari ynë. Duke lexuar këtë libër, gjithashtu të vete mendja te përbindëshi ynë Enver Hoxha, i cili duke u deklaruar stalinisti më i madh, pra duke e kopjuar fije për pe atë, u bë edhe krimineli më i madh i shqiptarëve. Shihni faktet rrëqethëse që ka mbledhur shkrimtari atdhetar Spiro Mëhilli dhe do të kuptoni se ajo që ngjau në ish B. S. ku u vranë pa asnjë faj, intelektualët, shkencëtarët, artistët, shkrimtarët, gjeneralët, udhëheqësit e luftës dhe të punës, “kulakët” dhe miliona të tjerë dhe do kuptoni se ky ishte preludi i terrorit që ushtroi ndaj ne shqiptarëve diktatura komuniste, e cila duke mos e kujtuar, sikur po harrohet. Pikërisht kjo më detyron të sjell në vëmendje shprehjen e përsëritur të çekut me origjinë ebreje, Franc Kafkës se “Ata që nuk e mbajnë mend të kaluarën, janë të dënuar ta përsërisin.”