Aurora VELAJ/ Dita e verës = π? Epo Gëzuar

1665
Dita e verës është festa më e preferuar për shumë shqiptar! Konsiderohet si një nga festat më të lashta, dhe na bën të ndihemi krenar për origjinën tonë. Është një festë, e cila na bashkon të gjithë ne shqiptarët pa dallim feje, e na kujton rrënjët tona pagane, pavarësisht besimeve moderne që kemi përqafuar. Por, 14 marsi, ka edhe disa festime të tjera interesante që implikohen me festën tonë të dashur. Në fakt, më 14 mars, është edhe dita e ditëlindjes së Ajnshtajnit, dhe po kjo ditë shënohet gjithashtu në kalendarin botëror si “Dita e Π” (pi)-së. (Numri π është një konstante matematikore, raporti i perimetrit të një rrethi ndaj diametrit të saj, zakonisht përafruar me shifrën 3,14159. Ajo është e përfaqësuar nga shkronja greke “π” që nga mesi i shekullit të 18-të, por ajo është e shkruar ndonjëherë edhe thjesht si “pi”.) Të gjitha mediat shqiptare pasqyruan më së miri festimet në mbarë Shqipërinë, në lidhje me aktivitetet e bukura, plot gjallëri e diell për Ditën e Verës, por në të njëjtën ditë, më 14 mars, media botërore ka publikuar artikujt të shumtë, për Ditën e π –së, pasi këtë vit, i cili vjen vetëm një herë në 100 vjet, pi-ja u kthye nga 3/14, në pesë shifra 3/14/15 në 9:26:53 Nëse ditëlindja e Ajnshatjnit edhe mund të justifikohet si koincidence, (megjithëse një koincidence gjeniale, sikurse dhe vetë Ajnshtajni), për shumë arsye Dita e Verës që festojmë ne shqiptarët, me ditën ndërkombëtare të pi-së, të bën të mendosh për rastësinë e këtyre dy festave. Prandaj u ula dhe fillova të shkruaj për këtë “koincidencë” kaq interesante!
Dita e Verës dhe numri Pi janë pa fund 
Gjithçka dimë rreth Ditës së Verës është një festë arbëreshe/ilire me origjinë pagane. Historianët nuk janë të sigurt se kur tamam shqiptarët e lashtë kanë filluar ta festojnë Ditën e Verës, por kjo festë konsiderohet si një ndër festat më të lashta, që i kanë rezistuar të gjitha kohërave dhe vlerësohet më shumë se 4000 vjeçare. Padyshim që do ketë qenë një ditë tepër e rëndësishme për shqiptarët e lashtë që në krijimet e saj, pasi mbetet e tillë dhe në ditët e sotme. Nga ana tjetër, është pak të thuash se është një koincidencë, por edhe për Ditën e Pi-së historianët nuk dinë se kur apo si është zbuluar ky numër për herë të parë, por pi-ja është i njohur që prej gati 4000 vjetësh gjithashtu. Dita e Verës, simbolizon rigjenerimin e natyrës dhe të jetës. Pas muajve të ftohtë të dimrit, njerëzit festojnë çdo 14 mars, rikthimin e dritës, ngrohtësisë e gjelbërimit. Një proces natyror që rrotullohet rreth vetvetes çdo vit si një rreth ciklor, i vazhdueshëm, i jetës që nga lashtësia, deri në të tashmen, e do të vazhdojë të rikthehet çdo 14 mars në pafundësi… Ndërsa Pi është një numër që bën të mundur matjen e rrethit sado i madh apo i vogël të jetë ky rreth, raporti midis perimetrit dhe diametrit të tij, do të jetë gjithmonë i njëjti numër matematikor, i vazhdueshëm dhe konstant që është quajtur pi dhe do mbetet i tillë deri në pafundësi… Ndërkohë arsyeja se pse shqiptarët e lashtë kanë zgjedhur pikërisht 14 marsin si ditën për të festuar Ditën e Verës ka mbetur një enigmë për shqiptarët modern, të cilët, tashmë i kanë humbur shumë dije dhe njohuri rreth kësaj feste të lashtë. Por mbase numri pi ju kujton shqiptarëve diçka. Pasi për një numër matematikor gjithmonë ka një përgjigje logjike edhe për rastin se pse është 14 marsit si Dita e pi-së. Data është zgjedhur për shkak se ajo shkruan 14/03. Sa e thjeshtë dhe e komplikuar! Por a ju bën të mendonin se shqiptarët e lashtë kishin dije të shkëlqyera matematikore, dhe se këto dy data shënohen në të njëjtën ditë në kalendar që para 4000 vjetësh? Ashtu sikur shumë qytetërime të lashta, të cilën na habisin ne modernët në lidhje me saktësinë matematikore që kanë përdorur në ndërtim, arkitekturë, art etj, edhe shqiptarët e lashtë padyshim që kanë pasur këto prirje e dhunti matematikore, dhe i kanë vënë në praktikë në jetën e tyre të përditshme, dhe një nga faktet e mbetura e të trashëguara është Dita e Verës. 
Dita e verës dhe numri Pi si një metaforë …
Dita e verës dhe numri pi janë si një metaforë e bukur dhe e pashpjegueshme “Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’ kish lindur Krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekërit e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve.” – ka shkruar Konica. “Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, t’u faleshin perëndive që sillnin këto mirësia. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës…” vazhdon Konica. Por arsyeja e lindjes së kësaj feste pikërisht në 14 mars duket më e thellë se sa një përshkrim i bukur letrar dhe këtë e reflektojmë pikërisht kur bëjmë lidhjen më numrin matematikor pi. Mbase ceremonia e Ditës së Verës nuk ka pasur thjesht vetëm kremtimin e rigjenerimit të natyrës dhe jetës, megjithëse thjeshtësisht edhe kështu tingëllon shumë e bukur. Mbase Dita e Verës ka qenë dhe është shumë më komplekse se kaq, mbase është një ceremoni që është bërë për të festuar bukurinë e natyrës dhe të universit. Për të parë jetën e njeriut si pjesë e ciklit natyror. Për të shprehur ne njerëzit nderimin tonë për natyrën dhe universin. Ose mbase një festë për të forcuar e kuptuar lidhjet e ngushta ndërmjet vetë natyrës dhe kozmosit. Mbase Dita e Verës është një festë që na kujton ne shqiptarëve dhe njerëzve në përgjithësi, vendin që kemi në univers dhe në natyrë dhe një mënyrë festive për të forcuar besimin tonë në lidhje me natyrën dhe universin? A mund të mendojmë pak më thellë dhe të pyesim pak më shumë në lidhje me këtë festë dhe jo thjesht ta festojmë si trashëgimi nga të parët? Tani le të bëjmë një paralelizëm me numrin pi, i cili ka shumë përdorime në shkencë, një prej të cilave është edhe përcaktimi i volumit të një kanaçe sode që mund të kemi pirë në Ditën e Verës. Krahas shumë përdorimeve të numrit pi në shkenca, një nga më mbresëlënëset është që pi-ja llogarit dendësinë e gjithë universit tonë. A nuk e lidhëm me universin pak më lart edhe Ditën e Verës? Por njëra (pi-ja) ka një përllogaritje matematikore e tjera (Dita e Verës) është një shpjegim me fjalë ose shpirtëror që mund t’i bëhet kësaj përllogaritje matematikore, ose diçka më shumë… Vlerësimet e numrit pi, si një numër mrekullisht i thjeshtë dhe pafundësisht kompleks, shfaqen në veprat e grekëve të lashtë e babilonase. Pi-ja është përdorur edhe nga matematikanë kinezë dhe indianë, pi-ja besohet madje se është përdorur në ndërtimin piramidave egjiptiane. Por tashmë duhet të shtojmë edhe një tjetër fakt në përdorimin e numrit pi, dhe ajo është Dita e Verës shqiptare. Le të hapen diskutime shkencore, e të fillojnë debatet intelektuale se pse pikërisht shqiptarët e lashtë kanë zgjedhur këtë ditë për të festuar Ditën e Verës. Kur shkencëtarët amerikanë do të mblidhen kokë më kokë e të bisedojmë me shkencëtarët shqiptarë në lidhje me Ditën e Verës dhe Ditën e pi-së, mbase festimi i ditës së numrit matematikor pi (paj) nuk do të bëhet më me ëmbëlsirën amerikane pie (paj), por me BALLOKUMEN tradicionale shqiptare.
Sigal