Aleksandër Dragoti: Në pikturën abstraksioniste duhet leximi, studimi, përvoja dhe kultura në profesion

800
Sigal

Flet piktori
Aleksandër Dragoti: 
Piktura moderne abstraksioniste, bazohet mbi
idenë, mendimin, filozofinë e artit

Albert
ZHOLI

Ka
afërisht 40 vjet që merret me pikturë dhe s’e ka ndjerë kurrë kohën. Madje duke
punuar për një kohë të gjatë edhe në Greqi, ai nuk i mban mend pikturat e tij.
Rrjedh nga një familje intelektualësh nga fisi me emër i Dragotëve tepelenas,
fama e të cilëve ka shkuar deri në SHBA. Sigurisht, emri i Sten Dragotit tashmë
është publik në gjithë botën. Aleksandri mund të themi që bashkon në një,
brezat e të gjithë piktorëve për vetë faktin, se ai është i lidhur sa me
pikturën klasike po aq dhe me atë abstraksioniste. Ka shumë galeri në botë që
kanë pikturat e tij në të dyja këto rryma pikturash, por ka dhe shumë
koleksionistë që kanë nga të dyja llojet e pikturave të tij. Pikturat e tij
abstraksioniste kanë të mbrujtur një mendim të thellë filozofik, një ide  të qartë moderniste dhe një ngjyrë luajale që
të mbërthen. Kur pikturon Aleksandri duket, se vozit në një botë tjetër, pasi
pikturat e tij marrin ngjyrat  e jetës,
të kohës dhe të mendimit progresist. Tek pikturat e tij, mendimi, ideja,
mesazhi kanë një lidhje organike që e bëjnë atë një piktor të dashur për të
gjitha grupmoshat.

Mendimi juaj për pikturën moderne abstraksioniste?

Kjo lloj pikture
ka hyrë në vendin tonë pas vitit 1990. Sot në botë është gjinia më e përhapur e
pikturës dhe thuajse zotëruese. Shumë piktorë shqiptarë nuk duan ta pranojnë që
ajo po hyn thellë në plejadën e piktorëve të rinj, por edhe të atyre të brezit
të tretë që kanë lidhje të vazhdueshme me botën e jashtme. Personalisht kam kohë
që jam brenda kësaj gjinie të pikturuari dhe thuajse e kam si mbizotëruese në
pikturën time. Shumë piktorë të tjerë, janë besnikë të pikturës klasike, peizazhit,
portretit,  pra figurës dhe nuk dashurojnë
vijat, idetë mendimet. Pra piktura moderne (kontemporane), abstraksioniste,
bazohet mbi idenë, mendimin, filozofinë e artit, mbi abstraksionin e figurës dhe
përafron vijat, lidhjet mes tyre, harmoninë mes tyre. Në këtë lloj pikture pak
përhapur dhe jo pak e pëlqyer në Shqipëri, kanë hyrë të gjithë piktorët botërorë
të cilët i kanë dhënë një madhështi kësaj gjinie. Harmonia mes ngjyrave dhe vijave
abstraksioniste kanë brenda një ide që më së miri e kupton autori, por edhe ajo
kategori piktorësh që e implementojnë këtë lloj pikture. Sot vështirë që gjen ekspozita
të hapura jashtë kësaj natyre të pikturuari. Kjo lloj pikture ka vështirësinë e
saj. E para vështirësi është, se do ide do mendim, do një mendim të
specifikuar, të kualifikuar. Pra në këtë lloj pikture mbizotëron ideja. Sa më
shumë ide të kesh aq më shumë piktura të bukura nxjerr. Në pikturat klasike të
nxit figura, lumi, deti, femra, fëmija, natyra apo vazot, kafshët, sendet,
objektet. Të gjitha këto të iniciojnë të pikturosh dhe e ke gati objektin dhe
subjektin. Ndërsa në pikturën abstraksioniste duhet ideja, mendimi, duhet
leximi, përvoja, kultura në këtë profesion që të ideosh pikturën që do nxjerrësh.
Pa një kulturë të gjerë mendimi yt do të jetë shterp dhe kështu piktura do të
jetë  pa fantazi, pa një perceptim të
qartë. Thjesht, piktura moderne është luftë idesh. Mendim  i madh për një vepër të suksesshme. Për një pikturë
të tillë duhet të mendosh shumë. Nxitës në këtë rast është vetëm mendimi dhe
ideimi brenda trurit.

Po
ilustrimet, çfarë përfaqësojnë?

Ilustrimet e para i kam filluar në vitet
’80, në atë kohë ishin revistat “Yllka”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Horizonti’, këto
ishin për shtresa të ndryshme dhe mosha të ndryshme. Yllkat ishin për kopshtet,
Fatosi për parashkollorët dhe Pionieri ishte për klasat e 3-8. Unë u njoha me
Xhevat Beqaraj që ka qenë kryeredaktor i revistës “Fatosi” dhe aty u angazhova me
fillesat e para dhe me ilustrimet e personazheve që kanë qenë të njohur në atë
kohë si Adelina Mamaqi, Odise Grillo, Gaqo Bushaka, Shpresa Vreto etj. U lidha
me Ramadan Fatmaxhiun, i cili më vonë më tha se do të bëhesh piktor i revistës
së yllkave. Ai ishte kryeredaktor i kësaj reviste. Kisha një  rubrikë te yllkat 4 faqe, ato ishin  tentativat e para që unë bëja. Ishte 4 faqësh
që ishte në formë  tregimi pa fjalë.
Ishin  tregime te  ndryshme si me shiun, për bregdetin dhe fëmijë
që shkojnë në  plazh, ndodhitë mes fëmijëve,
për lulet etj.