Zoti Tahiri, qytetarët vriten, policët na bëjnë presion për gjoba

461
Sigal

Policia Rrugore numëron viktimat. Ministri Saimir Tahiri vazhdon fushatën mediatike të “sukseseve”

Tre të vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i katër aksidenteve rrugore të regjistruara mëngjesin e djeshëm në rrugët e vendit, ndërkohë, me gjithë këtë bilanc lufte, Policia Rrugore dhe ministri Saimir Tahiri, vazhdojnë fushatën mediatike të ‘sukseseve’. Në Kurbin një automjet doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë dhe gjeti vdekjen drejtuesi i mjetit si dhe u plagos një pasagjer. Në Gjirokastër një grua u aksidentua për vdekje teksa i preu rrugën një makine. Në mesditë një makinë me katër shtetas kosovarë është aksidentuar pranë tunelit të Kalimashit në aksin Kalimash-Rrëshen, ku një prej tyre ka humbur jetën ndërsa tre të tjerë janë plagosur. Po dje në mesditë, në rrugën nacionale Korçë – Pogradec rreth orës 12:45 ka ndodhur një tjetër aksident, fatmirësisht këtë herë pa pasoja me jetë njerëzish.

AKSIDENTI NË FUSHË-KRUJË
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në aksin rrugor të superstradës Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Patokut. 19-vjeçari Anton Lleshi, banues në Laç të rrethit Kurbin, humbi jetën si rezultat i daljes se makinës nga rruga. Në momentin e aksidentit, 19-vjeçari ka qenë duke drejtuar një autoveturë tip “Peugeot”, me targë LA 2781A, ku pasi ka dalë nga rruga është përplasur me një shtyllë. Përplasja ka qenë fatale për te riun, i cili ka gjetur vdekjen, ndërkohë që i dëmtuar pa rrezik për jetën është pasagjeri Petrit Lleshi.  Në vendngjarje gjenden forcat e policisë së komisaritatit të Kurbinit, ndërkohë që grupi hetimor po kryen veprimet procedurale.

AKSIDENTI NË GJIROKASTËR

Një 40-vjeçare e aksidentuar në Gjirokastër ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur me helikopter në Spitalin e Traumës në Tiranë. Në aksin Kakavijë- Gjirokastër në vendin e quajtur Sofratik mjeti tip “OPEL” me targa greke YNP 4993  ka përplasur këmbësoren me iniciale M.B, 40 vjeçe nga Libohova. Sipas policisë 40-vjeçarja ka tentuar të kalojë rrugën nga njëri krah në tjetrin duke i ndërprerë rrugën automjetit të drejtuar nga Grigor Magllara, 51 vjeç nga Vrisera Gjirokastër. Mësohet se 40-vjeçarja me inicialet M.B, është transportuar fillimisht në spitalin e Gjirokastrës dhe më pas është nisur me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, por nuk ka mundur të mbijetojë.

AKSIDENTOHEN KOSOVARËT
Rreth mesditës së sotme një tjetër aksident ka ndodhur në aksin Rrëshen – Kalimash në afërsi të tunelit të Kalimashit. Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se një makinë me targa të Kosovës ka dalë nga rruga si pasojë e shpejtësisë në afërsi të tunelit të Kalimashit. Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën, ndërkohë që, dy të tjerë kanë mbetur të plagosur. Burime nga policia bëjnë të ditur se, personat e përfshirë në aksident janë shtetas kosovarë. Viktima është Iridon Fejzo,  21 vjeç, ndërsa ka mbetur i plagosur i vëllai 26-vjeçar Ardian Fejzo. Të plagosurit e tjerë janë Blerim Fejzo dhe Fidan Ismaili, 30 vjeç, të katërt nga Mitrovica.
Mësohet se dy të plagosurit nga aksidenti janë dërguar në spitalin e Kukësit për të marrë mjekimin e nevojshëm.
AKSIDENTI NË KORÇË
Po dje në mesditë, në rrugën nacionale Korçë – Pogradec rreth orës 12:45 ka ndodhur një tjetër aksident, fatmirësisht këtë herë pa pasoja me jetë njerëzish. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “Peshorja”, ku automjeti tip “Mitsubishi” me targa PG 6646 B, me drejtues shtetasin me iniciale E.T, është përplasur me automjetin tip “Wolsvagen” me targa AA 672 IF, me drejtuese shtetasen me iniciale V.H, rreth 21 vjeç. Nga ky aksident ka mbetur e plagosur 21-vjeçarja V.H, e cila është dërguar më pas në spitalin e Tiranës në gjendje të rëndë për jetën për të marrë një mjekim më të specializuar. Policia e Qarkut Korçë bën me dije se është ngritur edhe grupi hetimor për të kryer veprimet e nevojshme procedurale.