“Xibraka”/ Ja kodet që përdorte nipi i Enver Hoxhës

440
Tashmë është hedhur dritë mbi dosjen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, për grupin e dhjetë të akuzuarve si pjesë e grupit kriminal, që përpunonte kokainë në laboratorin e Xibrakës në Elbasan deri në janar 2015. Referuar bisedave të përgjuara nga ana e Prokurorisë, të pandehurit i referohen me “ata shokët” kur e kanë fjalën për dy shtetasit kolumbianë. Sipas Prokurorisë, i pandehuri Ermal Hoxha përdorte emrin “Shkodër” kur i referohej destinacionit “Elbasan”. Ndërsa për Genci Xhixhën, të pandehurit i referoheshin me “i shëndoshi”, ose “daku”.
Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave për në Elbasan. Genci, i cili flet nga një telefon tjetër, i kërkon që t’u bëjë telefon atyre shokëve se ai do të shkonte t’i merrte për gjysmë ore. Ermali i thotë që nuk ka kontakt me ata të dy (kolumbianët), por me Balin, siç thërritet Iliri nga bashkëpunëtorët e tjerë. Atëherë Genci i kërkon që t’i thotë Ilirit. Në orën 8:10, Ermali telefonon Ilirin dhe i kërkon të lajmërojë ata të dy (kolumbianët), se për gjysmë ore do vinte t’i merrte ai shoku (Genci). Në orën 8:15, Iliri telefonon Ermalin dhe i thotë se ata (kolumbianët) janë gati. 
Në orën 8:57, Genci telefonon Ermalin. Në bisedë i thotë se do të shkojë në Shkodër, ndërkohë që në fakt niset drejt Elbasanit. Duket qartë se Shkodra përdoret si emër i koduar në vend të Elbasanit. Të njëjtin kod përdor Ermali, teksa në bisedën e datës 13.1.2015, ora 10:54, i thotë Gencit se kishte ikur gjer në Shkodër dhe po vinte, ndërkohë që po kthehej nga Elbasani me dy kolumbianët. 
Në orën 9:05, Genci i kërkon në telefon Ermalit që të lidhet me vëllain e Klemit (Klement Dalipit), që të dalë te vendi ku janë takuar herën e fundit. Në orën 9:08, Ermali telefonon Arjanin. Ermali i kërkon atij të dalë te kafja ku ka qenë Klemi me një person të thirrur Daku dhe atë të shëndoshin (Gencin). Arjani i thotë që ishte andej (duke nënkuptuar magazinën) dhe nuk mund të lëvizte pasi nuk kishte njeri. Atëherë Ermali i kërkon që Klemi të dalë te kafeneja ku qenë atë ditë pasi për 20 minuta do të ishin aty.
Në orën 9:09, Arjani telefonon Kelmendin dhe i thotë se e ka marrë Ermali dhe për 20 minuta do të jenë tek kafja ku ke qenë me Dakun. Në orën 9:21, Kelmendi e pyet sërish në telefon Arjanin për vendin ku duhej të shkonte, i cili i thotë se do të pyeste Ermalin se ku saktësisht. Në orën 9:22, Arjani telefonin Ermalin për t’u marrë vesh për vendin ku po priste Genci, por edhe Ermali nuk e dinte saktë. Ora 9:23, Ermali komunikon sërish me Arjanin dhe e sqaron se Genci është me fuoristradën gri…
Sigal