Vajza e plagosur në Shkodër tregon tmerrin: Mallkuar qofshin të gjithë!

65
Kleona Cungu ishte nisur për në punë dhe po fliste në celular, kur krejt rastësisht një plumb i përshkoi këmbën dhe ajo mbeti e plagosur në mes të qytetit të Shkodrës.

Pak ditë pas ngjarjes ku Aurel Ahi qëlloi me armë zjarri dhe kishte objektiv shtetasin Doni Lisi, 24-vjeçarja rrëfen sesi ajo u gjend në vendin dhe momentin e gabuar. Emri i saj u lakua fillimisht si shoqëruese e njërit prej protagonistëve, por e reja e mohon një fakt të tillë.

“Çfarë të them… që ndihem fajtore pse dola në rrugë apo se jam femër dhe, nëse je pak e paraqitshme, të vendosin menjëherë etiketën me fjalët nga më fyeset apo të implikojnë në ngjarje që ti nuk ke asnjë lidhje dhe ishe vetëm kalimtare? Seriozisht kjo është e patolerueshme dhe duhet të ndryshojë”, shprehet Kleona.

Ajo është mjaft e irrituar për përdorimin e emrit të saj në këtë ngjarje, pasi kjo ka shqetë- suar edhe familjarët dhe të afërmit e saj.

Kleona rrëfen për “Panorama” sesi u plagos në atentatin e pak ditëve më parë në Shkodër, por për çështje sigurie ajo nuk pranoi të fotografohet duke dashur që e vetmja foto e saj në qarkullimin mediatik të mbetet ajo e publikuar që ditën e ngjarjes, ku ajo ndodhej ende në rrugë e plagosur.

Kleona, si jeni tani pas plagosjes me plumb në këmbë? Mund të ecni, cila është shkalla e dëmtimit?
Fatmirësisht jam mirë. Shkalla e dëmtimit, sipas mjekëve, nuk është me pasoja të rënda fatmirësisht. Kam pak probleme me ecjen, është e pamundur të lëviz pa ndihmën e të tjerëve.

Ju u ndodhët rastësisht në qendër të Shkodrës kur pati të shtëna arme dhe u plagosët. Çfarë ndodhi konkretisht atë ditë?
Kam qenë në lëvizje duke shkuar për punë dhe kisha celularin në dorë sepse po flisja. Dëgjova krisma. Fillimisht m’u dukën si kapsollë fëmijësh. U ndala për momentin. Eca prapë dhe sërish dëgjova krisma. Ktheva kokën dhe shoh njerëzit duke vrapuar. Pashë një grua që kapi fëmijët e saj, në mënyrë që të mos i qëllonin plumbat. Ndalem sërish këtë herë e hutuar totalisht se çfarë po ndodhte. Në ato momente ndiej në këmbën e majtë dridhje, sikur të isha në korrent. U ula në gjunjë dhe pashë që plumbi kishte përshkuar këmbën time, kishe gjak… Kalimtarët më kanë dhënë ndihmën e parë dhe më lidhën këmbën që të ndalin gjakderdhjen.

A e keni parë skenën e ngjarjes apo vetëm dëgjuat krismat e armës?
S’kam parë asgjë se kam qenë në botën time. Kam pasur mendjen vetëm te celulari im. Ishte kohe dreke, nxehtë dhe po nxitoja për të ecur. Kam dëgjuar vetëm krismat dhe s’kam parë asgjë.

Kleona, është përfolur këto ditë se ju nuk keni qenë rastësisht në vend. Si qëndron e vërteta? A e njihni Aurel Ahin, i cili qëlloi apo Doni Lisin, që u plagos dhe ishte objektiv i kësaj ngjarjeje?
Absolutisht jo! S’kam asnjë lidhje. Nuk i kam njohur. Por të jesh femër qenka krim në Shqipëri. Jo çdo debat apo vrasje ka lidhje me një femër.

Si u ndjetë ju pas kësaj, e kishit të vështirë për të bindur, të paktën familjarët, se s’keni asnjë lidhje me ngjarjen e ndodhur?
Kur mora vesh lajmin që më kishin përfshirë thashë “Mallkuar qofshin të gjithë! Atë që përjetova unë, e përjetofshin edhe vetë ata edhe më keq, kushdo qoftë!”. Familjarët natyrisht që janë ndier keq. Jemi të rrethuar me njerëz injorantë, ku injoranca e tyre zhvillohet përditë e më tepër. Jo edhe aq e vështirë për t’i bindur prindërit, sepse ata e dinë çfarë fëmijë kanë. Momentalisht kanë qenë të interesuar vetëm për shëndetin tim dhe asgjë tjetër dhe jo për fjalët e njerëzve apo mediave. Familjarët e mi janë shokuar normalisht nga ngjarja, pasi m’u rrezikua jeta.

A keni pasur ndonjë komunikim me familjarë të autorit? Ka ardhur dikush për të parë gjendjen tuaj apo për t’ju kërkuar ndjesë?
Jo, nuk kemi pasur asnjë kontakt me ata…

Pas plagosjes, kush ju dërgoi në spital?
Fillimisht më kanë ndihmuar kalimtarët. Di që ka ardhur ambulanca dhe më ka dërguar në spital.

A jeni marrë në pyetje nga Policia e Shkodrës?
Po, jam marrë. Kalimtare e rastit isha. Mund t’i ndodhte kujtdo…

Çfarë i keni thënë Policisë?
Asgjë më shumë se këto që po them tani. I kam thënë se kam qëlluar si kalimtare e rastësishme, se s’kam asnjë lidhje me ngjarjen dhe se nuk kam parë asgjë se çfarë ka ndodhur.

A do ta falnit autorin që ju plagosi, teksa ju po ecnit e qetë në rrugën tuaj?
Po, e fal! Merret ligji me këto punë dhe drejtësia. Objektivi s’kam qenë unë. Besoj që falja është më njerëzore. Moralisht nuk fal median. Thellë brenda vetes moralisht nuk e fal as autorin, por më mirë le të merret drejtë- sia me të, ndaj po them e fal.

Nëse një ditë autori vjen për t’ju takuar, çfarë do t’i thoshit?
Nuk e di. Varet si mund të reagosh në ato momente. Nuk mund të jap një përgjigje të saktë në këto momente, pasi nuk e di sesi do të reagoja.

Nga kjo ngjarje mund edhe të kishit humbur jetën? A ndiheni e pambrojtur në vijim?
Akoma nuk më besohet ajo që ka ndodhur. Se di si ndodhi, pse ndodhi? Janë shumë pyetje pa përgjigje. Shpresoj të mos ndodhë kurrë më as tek unë dhe as tek asnjë tjetër. Do Zoti nuk ndodh më tek askush! Dua të them se jeta është e shkurtër. Të përpiqemi të marrim më të mirën e saj dhe ta jetojmë siç duhet, sepse, në fund të fundit, një jetë kemi.

Çfarë kërkoni nga drejtësia?
Drejtësia të bëjë punën e saj. Ligjet të zbatohen, sepse vetëm kështu mund të jetojmë më mirë.

Keni një mesazh të fundit?
Çfarë të them tjetër… që ndihem fajtore pse dola në rrugë apo se jam femër dhe, nëse je pak e paraqitshme, të vendosin menjëherë etiketën me fjalët nga më fyeset apo të implikojnë në ngjarje që ti nuk ke asnjë lidhje dhe ishe vetëm kalimtare? Seriozisht, kjo është e patolerueshme dhe duhet të ndryshojë.