Skandali/Ministri blen 22 tunelet e ushtrisë në Elbasan

477
Pavarësisht se ish-repartet ushtarake janë kthyer në gërmadha, pavarësisht se ato prej 25 vitesh janë pushtuar dhe zaptuar nga persona që nuk kanë lidhje fare me uniformën ushtarake dhe kanë ngritur atje banesa dhe lokale, duket se radha u ka ardhur tuneleve të ushtrisë. Pikërisht atyre objekteve që ish-ushtarakët që sot kanë afruar tek 80 vjeçët i quajnë me mburrje “veprat tona, kemi shpuar malet me këto krahë”. Edhe tunelet e ushtrisë janë kthyer prej vitesh në “prona private”. Edhe pse shumica e tyre administrohen nga disa reparte të shkatërruara ushtarake, edhe pse brenda tyre ka vite që futen dhe dalin prej andej, tonelata me municione dhe armatime, sërish lakmia nuk njeh kufij. Një ushtarak i Komandës Tokësore të Elbasanit dhe një ish-kryeplak deklaruan për “Telegraf” se “nja 22 tunele në zonat periferike të Elbasanit, janë “blerë” dhe janë kthyer në prone e një të madhi, një ministri të kësaj qeverie thonë, ky ministër ka marrë edhe shumë të tilla në ish-repartet e zonave malore të Librazhdit dhe Gramshit”. Deklarata rrëqethëse dhe e papritur të bën të dyshosh dhe të habitesh për faktin se, e para si ka arritur të pronësojë tunelet e ushtrisë një ministër, një rilindas që nuk ka punuar qoftë edhe një ditë të vetme në radhët e ushtrisë. E dyta si ka mundësi që ky zyrtar i lartë të pronësojë mundin, djersën dhe gjakun e ish-ushtarakëve, kur nuk dihet destinacioni i tyre. 

Pazari me pronat e ushtrisë

Sipas ushtarakut që raportoi informacioni “fjala është për qindra tunele të vegjël dhe të mëdhenj, madje disa prej tyre si p.sh ato të ish-Bazës së Armatës në Labinot, janë me afro 2 km gjatësi, dhe trajektore sekrete që lidhen me tunelet e tjera të maleve të asaj zone, në Xibrakë, Labinot Mal, ka shumë prej tyre në Polis, Sericë, etj.”. Në rast se ky është një pazar me pronat e ushtrisë, dhe një favor që i është bërë një ministri, në vetvete realisht përbën një hije skandali me dyshime të mëdha. Kjo pasi, të habit fakti se për çfarë do ti duhen një zyrtari të lartë kaq shumë tunele strategjike, për çfarë do ti përdorë, pasi edhe për të mbajtur bagëti, ato nuk mund të jenë të përshtatshme. Gojët e “liga” nga ajo zonë thonë se “mund ti përdorë edhe për magazina trafiku”, por të shpresojmë që jo. Por kjo u mbetet organeve kompetente ta zgjidhin, pavarësisht se edhe ato realisht kanë rënë prej kohësh në gjumin e thellë letargjik. 

Deklaratat e banorëve

Banorët e atyre zonave, por edhe barinjtë shprehen se “kemi parë shumë njerëz me makina të shtrenjta, njerëz me kollare dhe roje të tyre, vijnë, shikojnë, fotografojnë, madje njëherë shtruan edhe një darkë, ku thirrën edhe persona të tjerë dhe rrethuan gjithë vendin deri pasdite që ikën, ndërkohë që ka tunele që ruhen edhe me roje”. Ndërkohë ka banorë të atyre fshatrave që prej vitesh dergjen në dyert e ZRPP, Kadastrave dhe institucioneve të tjera të shtetit, për të ligjëruar pronat, tokat dhe objektet në fshatra, kurse drejtorët dhe ministrat fshijnë nga harta e pronave objekte dhe deri tunelet e ushtrisë. Organet kompetente të hetimit, duhet të shkunden, të verifikojnë dhe hetojnë cilindo që ka tentuar të zhvatë pronat e ligjshme të fshatarëve, pasi ato tunele në fakt janë bërë në toka me pronar. Organet e hetimit duhet të zbulojnë emrin e ministrit dhe t’i presin rrugën me kurajo profesionale kujtdo që tenton t’i kthejë edhe malet e këtij vendi, në prona të paluajtshme, aq më keq në baza dhe vendstrehime trafiqesh të paligjshme. 
Sigal