Rrjeti i drogës, burg pa afat për 11 nga të arrestuarit

504
11 nga 25 personat e arrestuar në Tiranë tri ditë më parë për trafikim të lëndëve narkotike do të qëndrojnë në burg. Për ta, Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg, pa afat”. Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestit për 11 personat që u paraqitën të shtunën përpara gjykatës. Të 11 të arrestuarit do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa, sipas organit të akuzës, është faktuar përfshirja e tyre në shitjen e lëndëve narkotike thuajse në të gjithë Tiranën.

Sot pritet të njihen me masën e sigurisë edhe 15 persona të tjerë të ndaluar gjatë këtij operacioni. Organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurori Enklid Gjini, kishte kërkuar vlerësimin si të ligjshëm të arrestit për 11 personat që u paraqitën të shtunën përpara gjykatës. Nga ana tjetër, avokatët nuk ishin dakord me kërkesën e prokurorisë, duke kërkuar caktimin si të paligjshëm të arrestimit të klientëve të tyre, me argumentin se për ndalimin e tyre kishte mungesë provash. Pas shqyrtimit të kërkesave të palëve dhe shqyrtimit të provave, gjyqtari Astrit Faqolli i vlerësoi të ligjshme arrestimet e 11 personave, duke vendosur edhe masat e sigurisë “burg pa afat” për të 11-të.

Operacioni “Epilog” u krye pak ditë më parë në Tiranë dhe përfundoi me arrestimin e 26 personave, shpalljen në kërkim të katër të tjerëve, ndërsa 5 persona të tjerë ndiqen në gjendje të lirë. Nga katër personat e shpallur në kërkim, tre prej tyre rezultojnë të jenë jashtë vendit. Nga hetimi dhe vëzhgimi, që zgjatën rreth 6 muaj, grupi kriminal shiste kryesisht heroinë, e cila vinte e pastër nga Turqia, dhe pasi përpunohej në minilaboratorë nga furnitorët hidhej në treg me vlerën 1.000 lekë grami. Shpërndarja e lëndës narkotike ndodhte në shumë lagje të Tiranës, kryesisht në zonën e Kinostudios, Alliasit, Xhamllikut, Tiranës së Re, ish-Bllokut dhe në zonën e Stacionit të Trenit. Nga hetimi u faktua se ky grup shiste rreth 1.8 kg heroinë në muaj dhe kishte arritur të fitonte rreth 900 mijë euro. Pikënisja e operacionit “Epilog” të policisë së Tiranës është sekuestrimi i një doze heroine Armando Muratit në majin e këtij viti.

Nisur nga kjo dozë e vetme, policia nisi një hetim, duke vënë në fillim në ndjekje Muratin, për të zbuluar zinxhirin e personave te të cilët ai siguronte drogën. Lënda narko- tike u dërgua për ekspertim, për të parë përmbajtjen e saj, në përpjekje për të parë origjinën. Hetuesit arritën të identifikonin dhe personin kyç në funksionimin e këtij grupi, shtetasin Julian Bushati, i cili furnizonte shpërndarësit me lëndë narkotike. Ky person siguronte heroinën te persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende nga hetuesit. 150 gramë në ditë nga lënda narkotike u kalonte shtetasve Sokol Kllapi dhe Sonila Dinoshi, të cilët e paketonin në porcione më të vogla. Ato më pas shiteshin te përdoruesit.
Sigal