Policia e Shtetit, çmim të parë në rajon për 2 operacione ndërkombëtare

407
Sigal

Policia e Shtetit është vlerësuar me çmimin e parë në rajon, nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), për 2 operacione ndërkombëtare të realizuara me sukses gjatë vitit 2018.

Operacionet për të cilat është dhënë çmimi është “One if-by land” kundër trafikimit ndërkufitar tё qenieve njerëzore, si dhe “Precizioni” pёr goditjen e aktivitetit të paligjshëm të trafikimit ndërkufitar tё drogës.

Në dhënien e çmimit janë mbajtur parasysh një sërë faktorësh, por kryesoret janë rezultati i suksesshëm, shtrirja e tij, bashkëpunimi ndërkombëtar etj.

Operacioni “Passport/One if by land” u zhvillua në bashkëpunim me agjencitë ligj zbatuese në Bullgari, Shqipëri dhe Maqedoni. Gjatë tij u arrestuan rreth 40 persona dhe u zbuluan shumë lidhje kriminale tё rrjetit.

Operacioni “Sunshine/Precizioni” u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet zyrtare në Greqi, Turqi dhe Maqedoni. U arrestuan 132 persona, u zhvilluan 12 operacione të ndryshme, u sekuestruan 16.7 ton kanabis, mjete, armë, skafe kokainë etj.

Me rastin e dhënies së çmimit, Drejtoresha e Përgjithshme e SELEC Snejana Maleeva, i ka dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, një letër vlerësimi për dedikimin profesional dhe përpjekjet  e bëra nga Policia e Shtetit, që finalizuan këto dy operacione duke arritur rezultate të shkëlqyera.

Ky është çmimi i radhës për Policinë e Shtetit në rrafshin rajonal e ndërkombëtar dhe dëshmon punën dhe përkushtimin e punonjësve të policisë kundër paligjshmërisë dhe luftës kundër krimit të organizuar në veçanti.