Policët masakrojnë shoferin e furgonit 56-vjeçari në gjendje të rëndë në spital

745
Sigal

Po çonte disa gra në varrim, por rrugorët e urdhëruan të lëvizë. Zhduket një polic dhunues

Një shofer furgoni ndodhet në gjendje kritike në spitalin e Durrësit, ndërkohë, tre policë, një prej të cilëve ende i paidentifikuar zyrtarisht, janë denoncuar për ushtrim dhune me pasojë plagosje të rëndë pas një konflikti me ‘të. Ngjarja e rëndë, që sipas komunikatës zyrtare të policisë ndodhi pasi “shoferi i furgonit kishte bllokuar rrugën dhe kundërshtoi urdhrin e policëve rrugorë për hapjen e saj”, ka ndodhur rreth mesditës së djeshme në qendër të qytetit të Durrësit, përkatësisht afër godinës së gjykatës. Shoferi ishte në fugon e po priste hipjen e disa njerëzve (shumica gra) që ishin pjesë e një kortezhi për në varrezat e qytetit. Konfirmohet se, shoferi i dhunuar është Bashkim Dragonji, ndërsa policët që akuzohen për këtë dhunë barbare, janë Ilir Vrioni dhe Arjan Çali. I treti, që sipas shoferit të dhunuar ishte shefi i dy rrugorëve e që ka ushtruar dhunë mbi Dragonjin, nuk identifikohet, pasi policët Rrugorë nuk tregojnë. “Telegraf” ka mundur të kontaktojë me shoferin e dhunuar, familjarë e dëshmitarë të pranishëm si dhe ka mundur të sigurojë disa foto të të dhunuarit.

DHUNIMI I SHOFERIT

Në një moment qetësimi të çastit në mjediset spitalore, Bashkim Dragonji, rrëfen shkakun e konfliktit dhe dhunën e ushtruar ndaj tij nga policia. Ja rrëfimi i shoferit. “Isha në furgon në vendin tim, e prisja njerëzit që do të çoja në varreza, në një vdekje që kishin. Kisha ndaluar aty tek shkallët për pak minuta e prisja të niseshim.  Disa gra kishin hipur e të tjerat ishin në ardhje. Vijnë dy policë Rrugorë e me ton më thonë që të lëviz para se kisha bllokuar rrugën. Në fakt, problem ishte pasi isha paralel, por u thashë që sapo të hipin gratë, për 4-5 minuta, do lëvizja. Ata nuk pritën më. Njëri prej tyre, më hap derën, me kap, më tërheq zvarrë, e dhunshëm më marrin për të më hipur në makinën e tyre e të më çonin në polici.  Në këtë kohë vjen një civil dhe i pyet dy policët. Ata i thonë se ‘zoti shef, ky ka bllokuar rrugën, na ka kundërshtuar e fyer e ndaj po e shoqërojmë’. Civili, që ishte shefi i tyre, më goditi fort me grushte e më pas dhe me shkelm në gjoks. Jam përmendur në komisariat. Nuk mbaj mend më tej. Shikoni si më kanë dhunuar, si më kanë bërë, ishalla shpëtoj…”. Po çfarë ka ndodhur më tej?. “Në polici, kur u përmenda, pashë oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorin e gatshëm. Policët që më masakruan, Ilir Vrioni dhe Arjan Çali, thanë që unë isha i pirë. Ata shokun e tyre, shefin, nuk e tregonin. Më bënë testin për përdorim alkooli. Doli që nuk kisha pirë asgjë… Shkoja në punë, për më tepër në një kortezh funeral. Nëse unë kam bërë shkelje, pse të më dhunojnë, të më bëjnë kështu! Le të zbatojnë ligjin”, rrëfen shoferi i furgonit.

DENONCIMI I SKANDALIT

Shoferi, që ndodhet në gjendje kritike në spital, ka bërë denoncimin në Prokurori për policët dhunues. Dhunuesit (njëri ende anonim) këmbëngulin se shoferi i ka kundërshtuar me dhunë. Zyrtarisht, mësohet se hetimet po vazhdojnë. Përtej procedurave, është e dhimbshme që në mes të ditës, në qendër të qytetit, policia të ushtrojë dhunë! Dhe nëse shoferi ka shkelur rregulloren, asnjë të drejtë nuk ka policia të ushtrojë dhunë, por të marrë masa kundrejt ligjit si për normalizimin e qarkullimit, ashtu dhe për nxjerrjen e përgjegjësisë ligjore të shoferit…