Pas 3 drejtuesve të lartë të Vlorës, zhduket edhe oficeri që negocionte shitjen e kokainës në Tiranë

617
Zhduket edhe një tjetër oficer policie, kolegët nuk e gjejnë

Menjëherë pas transmetimit në “Fiks Fare” të materialit, ku oficeri i policisë Julian Balliu shfaqej teksa bënte pazare për shitje kokaine, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme shpalli në kërkim zyrtarin e uniformave blu. Oficeri i policisë rrugore nuk u gjet në banesë, ndërkohë që përveç procedimit penal ndaj tij, ai u pezullua menjëherë nga detyra, përfshirë edhe nisjen e procedimit disiplinor. Julian Balliu aktualisht mbante detyrën si polic i qarkullimit rrugor në Shkodër. Po ashtu ai ka qenë edhe shoqërues në njësinë e eskortimit të kompanisë TAP për transportim të veçantë, ndërsa sipas burimeve, së fundmi i kishte dalë urdhri i emërimit në njësinë speciale të policisë rrugore për autostradën Milot-Morinë. Por Balliu nuk është i vetmi efektiv policie që është në kërkim për trafik droge. Prej gati 2 muajsh edhe 3 ish-efektivë të lartë të policisë të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge nuk po gjenden. Ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i kufirit Dhërmi, Sokol Bode dhe ish-shefi kundër krimit të organizuar Gjergj Kohila kanë humbur gjurmët. Ata janë pjesë e dosjes për të cilën ndodhet në hetim edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Për mosgjetjen e tyre, Ministria e Brendshme hodhi hije dyshimi ndaj prokurorisë, ndërsa për këtë çështje bëri edhe një kallëzim në organin e akuzës. Ndërkohë një efektiv i policisë rrugore në Tiranë u arrestua dje me akuzën e korrupsionit pasiv. Arjan Meça me detyrë trup shërbimi në Sektorin Interurban akuzohet se ka marrë një sasi parash nga një drejtues mjeti.
Sigal