Parandalimi i vrasjes në Shkodër/ Porosi e një të dënuari për vrasje, policia arreston autorin

45
Në lidhje me parandalimin e vrasjes së një shtetasi në Shkodër një ditë më parë, Policia e Shtetit jep detaje se:
Pas një ndjekje hetimore-proaktive të bërë nga struktura të specializuara, të Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqesor Shkodër, ju informojmë se në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Osman Malja, 21 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh nga policia, e cila kishte në kontroll të plotë levizjet dhe veprimtarine e tij për vrasjen e porositur të mjekut A.T.
Forcat e Specializuara të Policisë kanë ndërhyrjes duke neutralizuar dhe arrestuar autorin në momentin që ky tentoi të hape zjarr në drejtim të objektit të sulmit (mjekut A.T) me armën e tij tip kallashnikov të kamufluar në një çantë sporti.
Në momentin e ndërhyrjes, autori ka tentuar të reagojë edhe ndaj forcave policore por kjo është bërë e pamundur falë veprimeve të shpejta policore në neutralizimin dhe arrestimin e tij.
Gjate ketij operacioni autori Osman Malja ka mbetur i plagosur dhe aktualisht pas ndihmës mjekesore të dhënë është jashtë rreziku për jetën.
Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Osman Malja kishte si qëllim vrasjen e një mjeku në Spitalin Rajonal Shkodër( Mjekun A.T).
Kjo vrasje ishte e porositur nga burgu, nga shtetasi Eljon (Esmeraldo) Hato 31 vjeç, i cili ndodhet i arrestuar në ambjentet e I.E.V.P. Lezhë, për “Vrasje”.
Në cilësinë e provës material, autorit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri automatike me fishek në gojë dhe një krehër me 15 fishekë.
Në hetim për këtë çështje gjithashtu janë edhe shtetasit Eljon (Esmeraldo) Hato si dhe shtetasi Sh.Rr, i shpallur në kërkim si bashkëpuntor në pregatitjen, porositjen dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit A.T, mjek në Sptalin Rajonal Shkodër.
Vazhdon hetimi për thellimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të këtij organizimi kriminal, për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim mbetur në tentative” dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga Nenet 79/c-22-25 dhe 278/5 të Kodit Penal.8