Moti i keq godet Shqipërinë/ Kiri del nga shtrati, rrezikojnë jetën 2 shkodranë

237
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë të gjithë vendin kanë shënuar probleme në disa akse rrugore, ndërsa disa banesa janë përmbytur në Tiranë e Vlorë. Dy persona kanë rrezikuar të mbyten, pasi lumit Kir ka dalë nga shtrati. Në ndihmë të tyre kanë shkruar forcat e FNSH dhe të policisë, të cilet kanë mundur t’i shpëtojnë.
Ndërkohë në Vlorë janë evakuuar tre familje, të cilave u janë mbytur banesa.
Disa banesa janë përmbytur edhe në Valias dhe Laknas, në Tiranë.
Në segmentin Librazhd-Elbasan ka patur rrëshqitje gurësh në vendin e quajtur “Kthesa e Murrashit”.
Pas ndërhyrjes së punonjësve të mirëmbajtjes së rrugës qarkullimi vijon normalisht, por apelohen drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes. Rrëshqitje dheu ka patur edhe në Gjirokastër në fshatrat Çajup dhe Fushëbardhë.
Për shkak të motit u pezullua lëvizja e trageteve të linjës Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas, pasi dallgët në det arrijnë deri në 6 ballë.
Edhe në Vlorë vijon të jetë i pezulluar lundrimi në det të hapur për të gjitha mjetet. Kapiteneria e Vlorës njoftoi se për shkak të motit të keq do të bllokohet për dy ditë lundrimi i trageteve të linjës Vlorë-Brindisi.
Në Durrës, Kapiteneria ka pezulluar lundrimin e të gjitha mjeteve pasi dallgët arrijnë deri në 7 ballë. Për shkak të motit është pezulluar nisja nga Italia e trageteve të linjës Bari-Durrës, të cilët do të mbërrijnë deri në 9 orë me vonesë.
Në Shkodër janë përmbytur rreth 90 hektarë tokë nga reshjet e shiut ku rreth 50 në “Ana e Malit”, dhe 40 hektarë në zonën fushore të fshatit Rrenc. Probleme janë shënuar edhe me përmbytje në segmentin rrugor Shkodër-Velipojë dhe Shkodër-Mjedë. Lumi Kir ka rritur ndjeshëm prurjet, ndërsa si pasojë e motit ka patur mungesë energjie në fshatrat e Njësisë Administrative Rrethina, Postribë, Bërdicë.
Energjia elektrike mungon edhe ne Velipoje e për rrjedhojë dy hidrovoret nuk janë në punë.
Reshjet me intensitet të lartë kanë përfshirë edhe rajonin e Kukësit, por nuk janë shënuar probleme për qarkullimin në akset rrugore të cilat janë të kalueshme pa probleme. Në Kukës, Has dhe Tropojë ka patur probleme të furnizimit me energji elektrike në disa fshatra.
OSHEE ka ngritur Grupin Qendror të Gatishmërisë, për të menaxhuar situatën në rajonet e vendit. 600 punonjës janë vendosur në dispozion në gatishmëri të plotë. Sipas Shtabit të Emergjencave në Tiranë nuk janë shkaktuar probleme nga reshjet e shiut. Nën monitorimin mbahet zona e Kombinatit, aty ku më parë ka patur rrëshqitje.