Lihen në burg të arrestuarit për trafikim të lëndëve narkotike

429
Janë lënë në burg 4 të arrestuarit e operacionit të koduar “Profesori”, të cilët akuzoheshin për trafikim të lëndëve narkotike. Gjykata e Korçës ka lënë në burg shtetasit Edion Miho, Ervis Liçi, Andi Qiraxhi dhe Gjergji Themeli. Ata u arrestuan dy ditë më parë në banesën e këtij të fundit, pasi u kapën me lëndë narkotike, por edhe armë.Në seancën e zhvilluar sot, për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj të arrestuarve, gjykata ka caktuar ndaj tyre masën “arrest me burg”.
Më 23 shtator, nga kontrolli policor i ushtruar në banesën e shtetasit Gjergji Themeli, në lagjen nr. 12 të qytetit të Korçës, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 kilogramë e 506 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu u sekuestruan edhe 18 kilogramë e 805 gramë bimë narkotike e përpunuar në gjendje të lëngët, 1 kilogram vaj hashashi. Në të njëjtën kohë janë sekuestruar edhe 1 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri e llojit pistoletë, 1 krehër me 11 fishekë, 3 automjete, 8 aparate celularë, 7 bidona me përzierës për përpunimin e bimës narkotike dhe një pajisje për zierjen dhe kullimin e vajit të hashashit.
Sigal