Kasaphana me fondet publike shkon në 920 milionë dollarë

498
Nga Bujar Leskaj
Nga shkeljet ligjore dhe abuzimet e konstatuara në auditimet tona për 2015, kemi dërguar në Prokurori 51 kallëzime penale për 159 punonjës të administratës shtetërore (krahasuar me 41 kallëzime për 149 punonjës për vitin 2014) 
Kemi kallëzuar zyrtarë të rangut të lartë dhe të mesëm. Krahasuar me periudhën katërvjeçare 2008-2011, kur kemi patur 52 kallëzime penale, kallëzimet e katër viteve 2012-2015 janë 170, ose 3.2 herë më shumë. Shqetësim kryesor është niveli i ulët i zbatueshmërisë së masave të propozuara nga KLSH për largim nga detyra apo nga shërbimi civil 
Raportojmë për aktivitetin e KLSH gjatë vitit 2015, në bazë të strukturës së standardizuar të Kornizës së Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-t), dokument i cili përbën një projekt-pilot të INTOSAI-t, që do të miratohet si standard ISSAI në Kongresin INCOSAI XXII në dhjetor të këtij viti. Korniza është e bazuar në ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet nga Institucionet Supreme të Auditimit – Të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve “, i cili thekson se “Të vepruarit në interes të publikut i vendos SAI-t me një përgjegjësi të mëtejshme për të demonstruar rëndësinë e aktivitetit të tyre përpara qytetarëve, Parlamentit dhe veprimtarëve të tjerë” (ISSAI 12, faqe 4, paragrafi i parafundit, http://www.issai.org/media/84539/issai-12-e.pdf). Ky dokument përdoret nga shumica e SAI-ve të zhvilluara në matjen dhe interpretimin e rezultateve të tyre përpara Parlamenteve përkatëse dhe qytetarëve. 
I. Kolona e Parë e Kornizës është “A. Performanca e SAI-t”. Brenda kësaj kolone janë rezultatet e Auditimit Financiar, të Përputhshmërisë, të Performancës dhe shërbimet që i japin vlerë të shtuar institucionit. 
I.1 Auditimet
Për 2015, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar dhe evaduar 158 auditime, ose 8.8 % më shumë nga 2014. Ne punën tonë audituese, ne po orientohemi gjithnjë e më fort drejt auditimeve të performancës, të cilat njohën një rritje me 25 %, në krahasim me 2014, por ende kemi shumë për të bërë për të arritur 15 % të totalit të auditimeve të zhvilluara përgjatë një viti, objektiv të cilin mendojmë ta arrijmë në 2018. Sot jemi në 8 % auditime të performancës kundrejt totalit. Për periudhën 2012-2015, Auditimet e Performancës u shtuan si numër 3 herë në krahasim me periudhën 2008-2011 dhe afro 4 herë për nga numri i institucioneve të mbuluara me këtë lloj auditimi. Zhvillimi i tyre është në përputhje të plotë me objektivat e planit strategjik të KLSH 2013-2017, i rishikuar. Gjithnjë duke e mbajtur vëmendjen tek shtimi dhe rritja e cilësisë së auditimeve financiare dhe auditimeve të përputhshmërisë, auditimet e performancës po shndërrohen në një nga shtyllat e zhvillimit dhe modernizimit të institucionit. KLSH po përballet çdo ditë me një sfidë të fortë për ta përqendruar punën tek auditimi i performancës, për arsye se ai i shërben vlerësimit të përgjegjshmërisë publike. Sfida më e madhe me këtë lloj auditimi është që ai mos të zbatohet thjesht si procedurë, por të konceptohet si një filozofi e të menduarit dhe vepruarit nga i gjithë stafi i KLSH-së. Një filozofi pune që konsideron se auditimi nuk është një qëllim në vetvete, por në radhë të parë një instrument parandalimi, instrument korrigjimi dhe këshillimi për institucionin që auditohet, në mënyrë që ai të kuptojë ku i ka mangësitë kryesore dhe t’i plotësojë ato, duke përmirësuar menaxhimin dhe shtuar performancën. Gjatë 2015, kemi realizuar 12 auditime performance në reformat qeveritare, në projektet dhe shërbimet social-ekonomike, në projektet infrastrukturore, projektet energjetike dhe mjedisore, si dhe projektet dhe shërbimet social-kulturore. Për këtë vit do t’i përqendrojmë auditimet e performancës në marrëveshjet koncesionare, në partneritetet publik-privat, në performancën e borxhit publik, etj.
Auditimet e Përputhshmërisë 
Auditimet e Përputhshmërisë (kemi evaduar 120 auditime të tilla gjatë vitit 2015) arritën të plotësonin kriteret metodologjike ndërkombëtare, duke garantuar siguri sipas standardeve ISSAI 400, 4000 dhe 4100 të INTOSAI-it. Për herë të parë në vitin 2015, gjatë auditimeve financiare (u realizuan 12 të tilla), KLSH dha opinion për pasqyrat financiare të përgatitura nga institucionet publike, pavarësisht se opinioni u dha në disa njësi varësie dhe jo në institucione qendrore, për të minimizuar riskun operacional në realizimin e këtij lloj auditimi pilot. Ky opinion i shton besueshmërinë pozicionit financiar të raportuar nga institucionet buxhetore dhe shëndosh më tej financat e shtetit. Institucioni realizoi po për herë të parë dy Auditime të Teknologjisë së Informacionit (njërin auditim pilot me ndihmën e Institutit të Zhvillimit IDI të INTOSAI-t). Edhe pse në hapat e para në këtë fushë auditimi, KLSH ka ngritur Drejtorinë e Auditimit të T.I. dhe investuar në përmirësimin e infrastrukturës së T.I.
I.2 Dëmi ekonomik i zbuluar dhe dobishmëria
Institucioni ka zbuluar gjatë vitit 2015:
A. Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik të përgjithshëm në shumën totale prej 919.9 milionë euro. (Shiko materialin “Performanca e KLSH 2015”).
B. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën e përgjithshme 257.7 milionë euro. Dëmi ekonomik i zbuluar për periudhën 2012-2015 është 8 herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar për periudhën e katër viteve 2008-2011. Një pasqyrë të mirëfilltë të nivelit të performancës e përbën efiçienca në auditim, një nga treguesit kryesore të performancës së SAI-eve të zhvilluara sot në botë. Ky tregues i eficiences, dobisë së rezultateve të auditimit vë në raport sasinë e fondeve të kërkuara për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit nga KLSH me shpenzimet buxhetore të vetë institucionit (pra sa ai u ka kushtuar taksapaguesve), paraqitet për 2015: për çdo një lekë të shpenzuar për institucionin, kemi kërkuar për t’u zhdëmtuar në Buxhetin e Shtetit 180 lekë (këtu nuk është përfshirë dëmi i konstatuar në Ministrinë e Energjetikës dhe Industrisë), ose në vlerë totale 428.4 milionë euro. Kjo shifër dëshmon për eficiencën, dobinë e lartë të aktivitetit auditues dhe renditet në nivele të ngjashëm me treguesit e eficiencës së SAI-ve të zhvilluara. Krahasuar në vite, mesatarja e treguesit të eficiencës (dobishmërisë) së institucionit për vitet 2012-2015 është 4.2 herë më e lartë se mesatarja e viteve 2008-2011. Dëmi mesatar i kërkuar për t’u zhdëmtuar në Buxhetin e Shtetit për dyvjeçarin 2010-2011 është 19.1 lekë, për dyvjeçarin 2012-2013: 52.1 lekë dhe për 2014-2015: 109.5 lekë (Shih grafikun në Raportin e Performancës KLSH 2015). Thënë ndryshe, në katër vitet e fundit, për çdo lek të taksapaguesit shqiptar që harxhohet për KLSH kemi zbuluar dhe kërkuar për zhdëmtim dhe arkëtim në Buxhet mbi 4 herë më shumë fonde se sa në katër vitet 2008-2011. Raporti vjetor i KLSH mbi Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për 2014, përgatitur më 2015 dhe paraqitur përpara Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në tetor 2015 dha një sërë rekomandimesh me impakt të lartë. Një performancë institucioni nuk mund të kuptohet plotësisht pa impaktin e punës së tij. Shifrat mund të tregojnë shumë, por edhe pak ose asgjë në rast se nuk lidhen me impaktin e rezultateve. Për këtë arsye, Kolona ”A. Performanca e SAI-t” është e bashkëngjitur në Kornizën e Matjes së Performancës së SAI-t, me nënkolonën e “Impaktit”, në formën e kontributeve të SAI-t në Disiplinën Fiskale, Ndarjen Efikase të Burimeve, Qeverisjen e Mirë, Përgjegjshmërinë dhe Luftën kundër Korrupsionit. Në Simpoziumin e 22-të të OKB-INTOSAI të vitit 2013, Dr. Jozef Moser, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAIT ka cilësuar se “SAI-t mund të shfrytëzojnë plotësisht potencialin e tyre për të kontribuar në qeverisjen e mirë publike vetëm nëse, duke u bazuar në punën e tyre të auditimit, ata gjithashtu angazhohen në veprimtari këshillimore dhe ofrojnë rekomandime specifike për subjektet e audituara dhe për vendim-marrësit”.
Rekomandimet e KLSH në 2015
Për vitin 2015, përpjekja jonë për rekomandime konstruktive dhe me impakt të lartë ka rezultuar në:
a. Për të realizuar një qëndrueshmëri dhe kredibilitet të financave publike, për të përmirësuar planifikimin e treguesve makroekonomikë dhe të parashikimeve buxhetore, të ndërgjegjshëm për risqet fiskale që kalon vendi, kemi rekomanduar marrjen e nismës ligjore për ngritjen e një Këshilli Fiskal, i cili të gëzojë statusin e një institucioni publik të pavarur dhe të ketë një pavarësi operacionale të qartë e rigoroze nga politika. Një rekomandim të tillë, i cili do t’i sigurojë vendit atë oponence të pavarur dhe profesionale të munguar në politikat tona fiskale, e dha në janar 2016 edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në Raportin e tij “Country Report” Nr. 16/5 për Vlerësimin e Transparencës Fiskale. 
b. Për të disiplinuar financat publike dhe rritur kredibilietin financiar të vendit, kemi dhënë për të tretin vit në vijimësi rekomandimin që Ministria e Financës të paraqesë në Kuvend një nismë ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSH” të treguesit të borxhit publik në nivelin tavan 60 % ndaj PBB-së, si dhe arritjen e këtij niveli gradualisht, në përputhje me objektivat dhe fazat e reduktimit të borxhit të përcaktuara në strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”. Ky rekomandim gjykojmë se ka shërbyer si presion pozitiv në këto tri vitet e fundit, duke nxitur ndryshimet e propozuara kohët e fundit nga Ministria e Financave në ligjin organik të Buxhetit, me nenin që i detyron të gjitha qeveritë të ulin borxhin publik. Megjithë ndryshimin e propozuar, mendojmë se nuk është mjaftueshme dhe do të vazhdojmë të insistojmë për këtë nisme që e konsiderojmë thelbësore për të përmirësuar imazhin dhe seriozitetin e reformës në financat publike të vendit. 
c. Në kushtet e përgjegjësisë së ultë financiare të zyrtarëve publikë, i kemi rekomanduar Qeverisë dhe Kuvendit për të dytin vit në vijimësi hartimin e ligjit “Për Përgjegjësinë Materiale”, në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me kryerjen e detyrave zyrtare. Mungesën e theksuar të përgjegjshmërisë financiare në vend e kanë evidentuar edhe Progres Raportet e BE të viteve 2014 -2015. Jemi të sigurtë se me hapat për realizimin e plotë të reformës në drejtësi, kjo përgjegjësi do të shtohet, pasi reforma duhet të vijojë edhe në këtë drejtim. Gjykojmë se ka ardhur koha që Komisioni i Ekonomisë të marrë nismën për hartimin e këtij ligji kyç në rritjen e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe në disiplinimin e vendim-marrësve dhe menaxhereve kryesore të financave tona publike.
d. Me qëllim rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në përgatitjen dhe dhënien e informacionit financiar dhe fiskal, duke synuar uljen e risqeve fiskale, kemi kërkuar pranë Komisionit të Ekonomisë në tetor 2015, që të publikohen menjëherë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të shtetit. Kemi rekomanduar që të ngrihet një sektor i veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit në Ministrinë e Financave, i cili të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Ky sektor duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për ta vënë nën monitorim dhe kontroll profesional këtë proces të rëndësishëm, për mbarëvajtjen e të cilit ka ngritur shqetësim edhe FMN në Raportin e sipërpërmendur.
e. Kemi kërkuar që privatizimi i “Albpetrol” të realizohet, duke ftuar kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë (veçanërisht ato me traditë të konsoliduar në sektorin e naftës, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania). 
g. Kemi rekomanduar po ashtu që të ringrihet Instituti i Kërkimeve të Naftës, si një institut shkencor, i cili të mbështesë të gjitha vendim-marrjet për zhvillimet e sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë dhe të bashkëpunojë me Kuvendin dhe Qeverinë për hartimin e strategjive afatmesme dhe afatgjata në këtë sektor. 
h. Kemi rekomanduar ngritjen e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, i cili të mund të vlerësojë realisht dhe saktësisht dëmin nga aktiviteti nën administrimin e “CEZ”, si edhe mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të “OSHEE” mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve. Kemi kërkuar një disiplinë të fortë financiare dhe një kontroll të vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendim-marrje strategjike për “OSHEE”.
i. Kemi kërkuar nga Avokatura e Shtetit të veprojë me shpejtësi në drejtim të ndjekjes së arkëtimit të garancisë nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd”, pas dështimit të procedurave të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”. Shtyrja e mëtejshme e koordinimit të institucioneve shtetërore apo krijimi i vonesave artificiale rrezikon seriozisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme tejkalimin e afateve përkatëse procedurale të kërkimit dhe arkëtimit të garancisë prej 85 milionë euro. 
j. Kemi konstatuar se kompanitë hidrokarbure kanë hartuar e lidhur kontrata në vlera të konsiderueshme me nënkontraktorë të ndryshëm, vendas dhe të huaj, për shërbime për procese teknologjike hidrokarbure, shërbime konsulence teknike ose juridike, për shërbime pune ndërtime civile (rrugë për sheshe ose godina), etj., të cilat janë përfshirë më pas në Rikuperimin e Kostos dhe duke e larguar Faktorin R nga vlera 1. Pas gjetjeve të përsëritura nga auditimet tona të 2013 dhe 2014 që dëshmonin evazionin e qartë fiskal, përshëndesim vendimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që e konsideroi vitin 2011 me Faktorin R më të madh se 1 për koncesionarin kryesor në shfrytëzimin e naftës, duke e detyruar të paguante 57 milionë USD detyrime ndaj Buxhetit të Shtetit dhe besojmë që puna do të vazhdoje për zbulimin e rasteve të tjera flagrante të evazionit në zbatimin e marrëveshjeve dhe licencave hidrokarbure. 
Skandale në përdorimin e fondeve publike në institucione 

Pasojat e krizës ekonomike e financiare botërore të viteve 2008-2012 dhe rastet e dukurive abuzive deri në skandale në përdorimin e fondeve publike në institucione, kompani e korporata shtetërore, të evidentuara dhe nga Samiti i Londrës i 12 majit 2016 për një Aleancë Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, kanë sjellë një rënie të ndjeshme të besimit të qytetarëve ndaj qeverive. Si KLSH ndajmë shqetësimin e partnerëve ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile se besimi i shqiptarëve në politikat qeveritare anti-korrupsion është shumë i ultë. Nga shkeljet ligjore dhe abuzimet e konstatuara në auditimet tona për 2015, kemi dërguar në Prokurori 51 kallëzime penale për 159 punonjës të administratës shtetërore (krahasuar me 41 kallëzime për 149 punonjës për vitin 2014), ose afërsisht një kallëzim në çdo tre auditime dhe në çdo javë kalendarike, duke vazhduar me të njëjtin trend dhe ritëm si institucion, në këto katër vite. Dëmi ekonomik për 51 kallëzimet penale të bëra gjatë 2015 është 85,837,736.000 lekë. Kemi kallëzuar zyrtarë të rangut të lartë dhe të mesëm. Si KLSH kemi rritur cilësinë e përgatitjes së dosjes për kallëzim penal dhe shkurtuar kohën e përgatitjes se kallëzimit. Kjo është e rëndësishme për ne. Krahasuar me periudhën katërvjeçare 2008-2011, kur kemi patur 52 kallëzime penale, kallëzimet e katër viteve 2012-2015 janë 170, ose 3.2 herë më shumë. Shqetësim kryesor për ne është niveli i ulët i zbatueshmërisë së masave të propozuara nga KLSH për largim nga detyra apo nga shërbimi civil për zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët janë kallëzuar në Prokurori. Numri i tyre është i konsiderueshëm. Mbasi i kemi përcjellë dhe ripërcjelle listat me emrat dhe pozicionet e këtyre zyrtarëve të lartë që ende mbahen në punë në ministritë përkatëse dhe në Departamentin e Administratës Publike, do t’i paraqesim listat pranë Komisioneve të Kuvendit. Nisur nga moto e Kongresit INCOSAI XXI “Auditimi kombëtar në shërbim të Qeverisjes kombëtare” dhe obligimet ndaj mandatit tonë kushtetues e ligjor për kontributin që pritet prej nesh në mirëqeverisjen e vendit dhe në forcimin e përgjegjshmërisë dhe transparencës në qeverisje, do të punojmë fort që anti-kultura e pandëshkueshmërisë në vend të goditet dhe çrrënjoset. Në rekomandimet e tij në Progres Raportet e fundit për Shqipërinë, Komisioni Evropian i mëshon ndjekjes sistematike dhe zbatimit të rekomandimeve të institucionit më të lartë të auditimit. Mund të themi me keqardhje se ndjekja e rekomandimeve të KLSH vijon të mbetet një proces formal, i bazuar në përpilim urdhrash dhe planesh veprimi nga titullari, por pa konkretizim final, sidomos në largimin e drejtuesve të lartë të kapur në shkelje dhe abuzim. Ndjekja jo-efektive e derisotme e rekomandimeve sjell mbi të gjitha fatura financiare të pashlyera në Buxhetin e Shtetit në shuma të konsiderueshme. Ligji “Për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik”, apo edhe një Urdhër i Ekzekutivit për largimin nga detyra të atyre që rezultojnë, pas auditimeve tona, me shkelje flagrante të ligjeve dhe dëmtim të ndjeshëm të interesave financiare të Shtetit, do të mund t’i kthenin efektivitetin rekomandimeve të KLSH. 
Sigal