Itali-Turqi, trafikantët shqiptarë kapen me 80 kg heroinë, vlera 25 mln euro

839
Sigal

Alarmohen shtetet europiane: Shqipëria, shqetësim për trafikun e drogës. Oficeri i policisë së Tiranës në krye të bandës. Pranga 7 shqiptarëve, 2 italianëve dhe një turku

Italia, vendet fqinje, Turqia e shumë vende të Europës japin alarmin pasi Shqipëria, përditë e më shumë po shërben vend furnizimi i trafikimi të drogës, ndërkohë që, shqiptarët janë bërë kapo të organizatave kriminale që merren me drogën. Vetëm dje, në Itali e Turqi u kapën mbi 80 kg heroinë e pastër, ndërkohë që, në pranga kanë rënë 7 shqiptarë, 2 italianë dhe një turk.

OPERACIONI NË ITALI

Policia italiane ka shkatërruar dje një bandë kriminale italo-shqiptare të trafikimit të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, ku gjatë operacionit policor kanë rënë në pranga 7 shqiptarë dhe 3 italianë. Sipas policisë italiane, në pranga kanë rënë shqiptarët Gëzim Hasa 30 vjeç, Artur Bregu 33 vjeç, Velino Koroveshi 24 vjeç, Denis Tafili 29 vjeç polic gjatë kohës që ishte në Tiranë, Bledar Brahimi 28 vjeç, Lauret Greca 24 vjeç dhe Ded Bajraktari 23 vjeç si dhe shtetasit italianë, Davide Cavalli 43 vjeç, Marcelo Panariti 34 vjeç dhe Tomaso Villirillo 37 vjeç. Mësohet se, trafikantët në fjalë zotëronin në Parma të Italisë një laborator droge të përpunimit të të gjitha llojeve të lëndëve narkotike. Në këtë laborator janë zbuluar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 13 kg heroinë në 26 pako, 3 kg kokainë, 100 kg paracetamol, që shërbente si përzierës i heroinës, 13 000 euro cash edhe një presë hidraulike, që shërbente për ambalazhimin e drogës. Karabinierët kanë zbuluar se, ky grup kishte arritur të trafikonte 60 kg heroinë të pastër, e cila pas përzierjes me paracetamol arrinte në 480 kg. Sipas policisë italiane, kjo bandë trafiku e lëndëve narkotike, operonte që në vitin 2009, kryesisht në Parma dhe krahinat përreth, dhe ku vlera e drogës së trafikuar arrin deri në rreth 20 milionë euro. Nga hetimet e policisë italiane bëhet e ditur se droga vinte nga Shqipëria si dhe vendet e Europës Lindore, për t’u trafikuar më pas në zona të ndryshme të Italisë së veriut nga Parma deri në qytetin e Imperias në Rivierë afër kufirit francez.
Hetimet e policisë për këtë bandë të strukturuar vazhdojnë për zbulimin e personave të tjerë të implikuar që kanë të bëjnë me kanalet e furnizimit jo vetëm të drogës, por edhe të përzierësve.
HETIMET DHE ZBULIMI
Operacioni i policisë italiane i koduar “Prerja”, që çoi në shkatërrimin e bandës italo-shqiptare, nis me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie prej rreth 100 kg paracetamol e gjetur në makinën e Marcello Panariti, i cili u ndalua në Parma, më tetor të 2013-s. Në fillim, u mendua për drogë, por hetimi i mëtejshëm zbuloi se bëhej fjalë për paracetamol, i përzier me kafeinë. Kjo sasi e madhe paracetamoli ishte ajo që ngriti dyshimet e hetuesve.

BANDA KRIMINALE
Arrestimi i shqiptarëve dhe mënyra se si ata organizonin trafikun e lëndëve narkotiken në Parma të Italisë, është i ngjashëm me ata të filmave të Hollivudit. Ata në dukje ishin punëtorë me një jetë modeste dhe pothuajse anonim. Artur Bregu, i cilësuar nga policia si “truri” i grupit kriminal të narko-trafikut” është si një person i arsimuar, dhe i integruar mjaft mirë në Itali aq sa edhe flet në mënyrë të përkryer dialektin italian. Por, pas kësaj jete normale të Bregut fshihej një organizatë kriminale që ishte e specializuar në trafikun e heroinës.
Bregu, duke qenë “truri” i operacionit koordinonte veprimet e të gjithë bandës. Sipas hetimeve të policisë, ishte ideja e Bregut që të jetonin në një mënyrë të qetë, pavarësisht nga miliona që qarkullonin përmes narko-trafikut. Hetimet e karabinierëve bëjnë të ditur se, ky grup narko-trafikantësh ishte strukturë e mirë organizuar, mjaft i  kujdesshëm dhe i vëmendshëm për çdo detaj, duke mos i lënë asgjë rastësisë. Ata ishin gjithnjë së bashku, madje edhe kur merrnin përzierësit kimikë të cilët gjithashtu si lënda narkotike, vinte nga Shqipëria. Edhe makinat e përdorura nga banda ndryshoheshin në mënyrë të rregullt, për të mos tërhequr vëmendjen e padëshiruar. Secili me një detyrë. Bregu, ishte “truri”. Sipas policisë, ishte ky që gjeti vendndodhjen e bazës së laboratorit. Marcelo Panariti dhe Velino Koroveshi, kishin detyrën e prokurimeve të pajisjeve. Gëzim Hasa dhe Denis Tafili, ky i fundit me funksion polic gjatë kohës që ishte në Tiranë, janë identifikuar si kimistët. Tomaso Villirillo, nga Kalabria, do të kujdesej për shitjen. Po hetohet dhe përfshirja e personave të tjerë. Dyshohet që në këtë aktivitet kriminal të jenë përfshirë dhe 15 persona të tjerë.
TURQI, KAPEN 57 KG HEROINË

56 kg e 868 gr heroinë e fshehur në pelena fëmijësh janë bllokuar nga Policia Doganore turke në një kamion. Mësohet se, kamioni drejtohej nga një shtetas turk me iniciale E.B, i cili është arrestuar, ndërsa vlera e drogës në treg kap vlerën e 4.3 milionë euro. Në pranga kanë rënë edhe 2 shqiptarë me inicialet D.B dhe G.L dhe turku O.G. Mësohet se ata janë pikasur nga policia në fshatin Ipsala të Turqisë pas kontrollit me rreze infra të kuqe në doganë. Fillimisht ata u dyshuan për kontrabandë, por pas kontrollit me qentë e antidrogës, u arrit zbulimi i drogës së fshehur në pelena.