“Emri”, kryeministri i Maqedonisë Zaev optimist: Çështja do të zgjidhet së shpejti

366
Ndonëse takimet e njëpasnjëshme të krye diplomateve për zgjidhjen e çështjes së emrit nuk japin rezultate konkrete, kryeministri Zoran Zaev vazhdon të jetë optimist. Ai thotë se është bërë progres në kreativitetin e gjetjes së zgjidhjes, se në tavolinë janë ide konkrete se si të tejkalohen dallimet andaj beson se së shpejti kjo çështje do të merr fund.
Edhe ashtu i marrim kritikat nga qytetarët, le t’i fitojmë edhe poenët pozitive me zgjidhjen e mundshme. Jam i bindur se për shkak të kreativitetit, përkushtimit të të dy palëve në procesin e negociatave, përfundimisht mund të frymojmë me një problem më pak, i cili gjithsesi është njëri nga më të mëdhenjtë e që do t’i hap dyert e NATOs dhe BE-së – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Optimizmin e kryeministrit e ndajnë edhe një pjesë e qytetarëve të anketuar, të cilët janë poashtu të vetëdijshëm se me zgjidhjen e emrit do të zhbllokohet integrimi i vendit në BE dhe NATO.
“Presim që çështja të zgjidhet. Po a prisni që së shpejti Maqedonia të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE-së? Kështu siç po ec, do të duhet”.
“Pres dhe shpresoj përfundimisht më të zgjidhet ky problem, sepse kështu mbetemi të mbyllur 20 vite dhe nuk lëvizim as para as mbrapa. Vendnumërojmë. Përfundimisht duhet të ndërmerret diçka dhe të zgjidhet ky problem, të bëhet më mirë”.
“Po kemi shpresë, por çfarë do të bëhet nuk e dimë. A keni shpresë se do të bëhemi shpejtë pjesë e BE-së dhe NATO-s? Shpresojmë, shpresojmë”.
“Nuk di gjë unë. Po do të bëhet diçka”.
Disa qytetarë madje kërkojnë që pala maqedonase të lëshojë pe, por të tjerët nuk e pranojnë një gjë të tillë.
“Puna shkon mirë, por këtu ka ngecje. A mendoni se pala maqedonase duhet të bëjë lëshime? Po, duhet të lëshojë pe. Tani e ka mundësinë. Nëse tani nuk bëhet diçka, më vështirë që do të mund të bëhet diçka.”
“Mendoj se fundi ka ardhur edhe për NATO dhe për BE. Edhe Greqia duhet të lëshojë pe, gjithçka nga Maqedonia kërkon. Çfarë të jep Maqedonia më, shpirtin?!”
Një pjesë e qytetarëve megjithëse janë pesimistë për zgjidhjen e emrit, sërish shpresojnë se vendi do të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike.
“Jo, jo nuk pres. Pse mendoni ashtu? Grekët janë të tillë. Nuk iu konvenon. Maqedonas kanë jetuar atje, i kanë dëbuar dhe kanë frikë mos e kërkojnë pronën mbrapshtë. Me gjasë, kjo është arsyeja. Mundet, pres që ajo të ndodhë, por zgjidhje për emrin vështirë”.
Ndërkohë negociatat vazhdojnë edhe më tej, takimi i radhës mes dy kryediplomatëve, Nikolla Dimitrov e Nikos Kocias me ndërmjetësin e OKB-së, Metju Nimic pritet të mbahet më 12 maj./
Sigal