Droga shqiptare “trullos” Evropën, arrestime edhe në Greqi e Itali

668
Një ditë pas shqetësimit amerikan, operacione masive në vendet fqinje për goditjen e trafikantëve të kanabisit. Shqetësim për rrjetet kriminale
Droga nga Shqipëria dhe rrjetet shqiptare të krimit vazhdojnë të shqetësojnë Evropën. Një ditë pasi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën shqetësimin mbi rritjen e trafikut të drogës nga Shqipëria, vendet fqinje kanë realizuar dy operacione të rëndësishme për goditjen e trafikantëve të kanabisit. Në Itali një operacion i policisë çoi në arrestimin e të paktën 25 personave, mes të cilëve dhe tre shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë importuar nga Shqipëria të paktën 5 ton marijuanë. Operacioni u shtri në disa qytete të Italisë. Mes të arrestuarve pati edhe drejtues të familjeve të lidhura me “Ndranghetta-n”. Sasitë e mëdha të marijuanës që grupet italiane kishin mundur të fusnin në territorin e tyre i përkasin periudhës së vjeshtës së vitit 2016. Një pjesë e mirë e drogës ishte sekuestruar nga autoritetet italiane në periudha të ndryshme. Droga që dërgohet nga Shqipëria në vendet fqinje nuk ka të mbaruar. Një tjetër gomone plot me drogë nga vendi ynë është kapur në Igumenicë. Policia greke bëri me dije se ka sekuestruar 424 kg marijuanë, si dhe është vënë në pranga një skafist shqiptar i moshës, 42-vjeç. Mësohet se shqiptari është kapur duke hedhur drogën në breg të detit nga mjeti lundrues. Ai u arrestua dje pas mesnate, pas një operacioni të koordinuar policor të Drejtorisë së Policisë së Prevezës. 

Goditet grupi në Sarandë, arrestohen 12 shtetas
Policia e Sarandës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës, njoftuan se kanë ndjekur një hetim proaktiv prej disa kohësh, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e narkotikëve, të cilën e kanë finalizuar me sukses. Në kuadër të këtij hetimi proaktiv, Policia e Sarandës së bashku me Prokurorinë Sarandë dhe në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kanë zhvilluar një operacion të koduar ”Piramida”’, ku si rezultat janë kapur dhe arrestuar 12 shtetas. Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim 4 persona. Sipas policisë, ata në mënyrë periodike, sipas një zinxhiri funksional të dyshuar kriminal, kanë organizuar transportin e lëndës narkotike nga rrethet Tepelenë dhe Gjirokastër, në drejtim të zonave kufitare të Bashkisë, Konispol, të cilën e magazinonin në disa ambiente në zonën pranë kufirit e më pas organizonin trafikimin e saj drejt shtetit Grek tek persona për të cilët po zhvillohen hetime. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në periudha të ndryshme kohore kanë trafikuar lëndë narkotike kanabisi në drejtim të shtetit grek, në bashkëpunim me të tjerë shtetas, të cilët janë kapur e ndaluar në shtetin grek më datë 30 janar 2018, si dhe në të tjera raste për të cilat për arsye hetimi nuk janë bërë të ditura. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 automjete ndër to, 5 mjete luksi, lëndë narkotike kanabisi dhe 21 aparate celularë. Këta shtetas akuzohen për veprat penale “grup i strukturuar kriminal”’ dhe “trafikimi i lëndëve narkotikëve”.
Sigal