Arrestohen 2 shqiptarë në Greqi, pushime me euro false

399
Çmimet e larta, ndoshta edhe të frymëzuar nga kriza greke kanë shtyrë katër të rinj nga Shqipëria të gjejnë një mënyrë disi ndryshe për të kaluar pushime në ishullin e Parosit. Këta të rinj përdornin kartëmonedha të falsifikuara për të blerë produkte dhe shërbime të ndryshme në këtë ishull. Policia greke ka identifikuar grupin e shqiptarëve pasi u kapën duke paguar në vende të ndryshme me para false. Kështu, në prangat e policisë ranë dy të rinjtë shqiptarë 25 vjeç dhe 27 vjeç si dhe janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorët e tyre 26-vjeçarë. Në momentin e arrestimit, dy shqiptarëve iu gjetën 50 euro të falsifikuara. Por, kjo përvojë e tyre nuk ka përfunduar dhe aq mirë. Policia greke nuk ka nguruar t’i etiketojë të rinjtë si grup të strukturuar të cilët blenin produkte të ndryshme, kryesisht kafe dhe ushqime të cilat i paguanin me eurot e falsifikuara. Në këtë mënyrë, ndaj katër shqiptarëve nuk rëndon vetëm akuza e falsifikimit të kartëmonedhave, por edhe ajo e pjesëmarrjes në një organizatë kriminale. Nisur nga akuzat, të rinjtë shqiptarë rrezikojnë deri në 20 vite burg. Ashtu siç ndodh zakonisht, edhe këtë herë policia greke nuk ka bërë të ditur identitetin e të rinjve.
Sigal