Aksidentohet minatori, policia dhe pronarë ‘fshehin’ ngjarjen

411
Sigal

BULQIZË/Ngjarja e rëndë është mbajtur e fshehur si nga pronarët e firmës, ashtu dhe nga policia

Një minator nga Bulqiza është aksidentuar rëndë teksa punonte në një nga galeritë e nëntokës për llogari të një firme dhe është dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërkohë, edhe pse kanë kaluar tre dit nga aksidenti, policia lokale dhe pronarë e  firmës nuk kanë bërë konfirmim zyrtar të aksidentit. Burimet për gazetën “Telegraf” pohojnë se i aksidentuar është 52-vjeçari Xhevat Murati, baba i katër fëmijëve, ndërsa ngjarja ka ndodhur në zonën D, që shfrytëzohet nga një biznesmen i njohur vendas. Mësohet, gjithashtu, se gjendja e minatorit të dërguar në Tiranë është jashtë rrezikut për jetën, por nuk mësohet zyrtarisht për hetime të mundshme lidhur me përgjegjësitë e aksidentit të radhës.

AKSIDENTI

Burime për “Telegraf” pohojnë se aksidenti ka ndodhur në orën 12:00 të ditës së mërkurë në galerinë 16 të Zonës D në një thellësi 300 deri në 400 metra në thellësi të tokës. Mësohet se i aksidentuari ishte pjesë e grupit të 12 minatorëve të nëntokës që punonin për llogari të firmës. Pikërisht, në mesditë, në një nga segmentet horizontale të galerisë 16, si pasojë e një avaria(shembje masive), 52-vjeçari aksidentohet rëndë. Shokë e tij të punës i kanë dhënë ndihmën e parë dhe me shumë vështirësi e kanë nxjerrë në sipërfaqe. Nga atu, minatori i aksidentuar është dërguar në spitalin e qytetit të Bulqizës, por për shkak të gjendjes së rënduar është nisur me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga burime të besueshme, 52-vjeçarit Murati i është dhënë ndihma mjekësore, e fatmirësisht ai është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa burime të besueshme nga Bulqiza thonë se pronarë e firmës shfrytëzuese janë ‘përkujdesur’ që kjo ngjarje e rëndë, fatmirësisht pa humbje jete, të mbahej e fshehtë e të mos bëhej publike, për të shmangur përgjegjësinë ligjore për shkaktarë.

MINATORË

Burime për “Telegraf” shtojnë se fatmirësisht, e vetëm rastësia, ka bërë që aksidenti në thellësi të galerisë të mos kishte përmasa më të mëdha. Mësohet gjithashtu se minatori i aksidentuar Xhevat Murati, nga fshati Gjoricë, është baba i katër fëmijëve dhe ka vite që punonte në minierë për nxjerrje minerali, për të siguruar të ardhura për bukën e gojës për familjen e tij. “Përpjekjet për ta mbajtur të fshehur këtë aksident, përveç përgjegjësisë direkt për atë që ndodhi, lidhet dhe me faktin se shumica e të punësuarve në firmat e shfrytëzimit të kromit, në ato legale e ato pirate, janë të pa siguruar, punojnë në të zezë. Këtë e bëjnë nga halli, pasi ndryshe nuk i marrin në punë”,- pohon për “Telegraf” një minator që ka mbi 20 vjet që punon në galeritë e Bulqizës.

PARADOKSI

Në minierën e Bulqizës, vazhdimisht kanë ndodhur aksidente, ku shumë minatorë kanë humbur jetën. Edhe pse për këto tragjedi kanë filluar hetimet, janë shoqëruar përgjegjësit teknik apo pronarë për “mos zbatim të rregullave të sigurimit teknik në punë”, pothuaj asnjë përgjegjësi penale nuk është marrë. Ose minimalisht, për pak dit apo javë, shkaktarë janë lënë të lirë. Ndërsa viktimat, zyrtarisht mbeten të harruar… “Edhe rasti i aksidentit të fundit, është një skandal si shumë të tjerë që del pa përgjegjësi mafia e kromit që vepron prej kohësh në Bulqizë. Ata pasurohen nga mundi dhe gjaku i minatorëve që punojnë për bukën e gojës, ndërsa shteti e ka mbyllur gojën para kësaj mafie. Edhe policia, për rastin e fundit, nuk duhet të heshtë, Në komunikatat zyrtare, nuk përfshihet fare rasti i fundit, ndërkohë që në Bulqizë e mori vesh i madh e i vogël çfarë ndodhi”,- pohon një minator për gazetën…