800 euro për përgjigjet e testit të Akademisë së Sigurisë, pranga dy personave

62
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë dy shtetas, të cilët kishin krijuar një skemë mashtrimi me qëllim përfitimi, për aplikantët që duan të konkurojnë në Akademinë e Sigurisë.  Në dt.10 dhe 11 mars 2016 janë arrestuar shtetasit Gëzim Metalia, 44 vjeç, dhe Rexhep Rexha, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, të cilët kanë mashtruar në këmbim të një shume prej 800 eurosh, një shtetas me inicialet B.L., nën premtimin se do t’i jepnin të gatshme përgjigjet për testimin në Akademinë e Sigurisë dhe do të ndërhynin për pranimin e tij nga ana e komisionit.
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të shtetasve Gëzim Metalia, Rexhep Rexha, si dhe dy personave të tjerë, për veprën penale “Korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Mashtrimit” në bashkëpunim. Në bazë të një hetimi intensiv dy mujor me metoda speciale të hetimit, u arrit të dokumentohej veprimtaria e kundërligjshme e personave të sipërpërmendur, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me qëllim përfitimin, kishin organizuar ketë skemë mashtrimi, që synonin ta përdornin edhe ndaj aplikantëve të tjerë në Akademinë e Sigurisë.
Nga kontrolli i banesës dhe ambienteve të tjera, në pronësi të shtetasit Gëzim Metalia, u gjetën dhe sekuestruan 10 karta SIM si dhe dokumente të ndryshme, të cilat e implikojnë atë në veprimtari të kundërligjshme.  Ndërkohë në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet për sqarimin e pozicionit dhe rolit të secilit prej shtetasve të dyshuar.  Nga ana tjetër, në bazë të hetimeve të kryera deri tani, nuk rezultojnë raste të mundshme të përfshirjes së punonjësve të policisë apo zyrtarëve të tjerë të ngarkuar për realizimin dhe monitorimin e procesit të konkursit për në Akademinë e Sigurisë.