Zyfer Caco: Kërkojmë kthimin e letrave me vlerë, Avokati i Popullit nuk na jep mbështetje!

    580
    Sigal

    Shoqata e Letrave me Vlerë, kërkon ndihmë nga Avokati i Popullit për kthimin e letrave

    Në kuadër të debateve të fundit mbi Bonot e privatizimit, Shoqata e Letrave me Vlerë duke mosgjetur mbështetjen e shtetit për mosfutjen ne përdorim të Letrave me vlerë i është drejtuar institucionit të Avokatit të Popullit. Në këtë material do të gjeni korrespondencën me këtë institucion dhe përgjigjen që ka dhënë institucioni për këtë problem. Shoqata e Letrave me Vlerë në një material dërguar gazetës shkruan se: “Me emërimin e ri në detyrën e Avokatit të Popullit, të z. Igli Totozani na u ringjallën  shpresat se ai do të impenjohej edhe për një problem që shqetëson rreth 800 000 – 1 000 000 shqiptarë. E kemi parë këtë zotëri të ekspozohet si i interesuar për disa komunitete minore në Shqipëri (dhe mirë bën), por për komunitetin më të madh që qeveria e ka lënë në baltë duke u lënë në dorë Bonot, për qytetarët dhe Lekët e Privatizimit për ish të përndjekurit politike, nuk kemi parë të bëjë asnjë aktivitet e as një ndërhyrje për të mbrojtur interesat e tyre”. Më tej thuhet se, për këtë arsye me institucionin e këtij zotërie që është i vetmi institucion në Shqipëri që i ka mbetur cilësimi “I POPULLIT”,  kemi zhvilluare individualisht e si shoqatë një korrespodence për të cilën çdo kush mund të gjykojë për papërgjegjshmërinë e veprimtarisë për këtë problem të këtij institucioni.

    Publikimi i një correspondence

    1-E-mail i dt. 13.2.2012.

    Mbi aktivizimin e Bonove e Lekëve të Privatizimit.

    Zoti Avokat i Popullit:

    Në radhë të parë edhe në emër të Shoqatës së Letrave me Vlerë ju urojmë për suksese në detyrën tuaj të rëndësishme.

    Në radhë të dytë Ju lutemi dhe ju kërkojmë që të rishikoni edhe një herë problemin e Aktivizimit te Bonove të Privatizimit dhe Lekëve të Privatizimit për ish të përndjekurit politikë pasi me gjithë përpjekjet që ka bërë kjo shoqatë pranë autoriteteve shtetërore nuk po gjen zgjidhje sepse Qeverive  dhe sidomos asaj aktuale u ka munguar vullneti politik për të bërë pronar popullin me pronën e vënë nga djersa e tij, në një kohë që ajo po shitet e po tjetërsohet edhe për të huajt, dhe nuk do që të bëjë aksioner qytetaret e vet qofte dhe në korporatën e KESH-it nga e cila do të mjaftonin vetëm rreth 5% e aksioneve të saj për të zgjidhur këtë problem.

    Shpresojmë se ky problem do të jetë ndër të parët në axhedën tuaj sepse në morinë e problemeve që ngrihen në këtë situatë për institucionin tuaj, ky duhet të jetë parësor sepse është mbarëpopullor. (Na falni për ndonjë material të përsëritur.)

    Faleminderit!

    2- E-mail i dt. 6/5/2012

    Mbi bonot e privatizimit.?

    Zoti Avokat ju kemi dërguar edhe më parë materiale për t’u ankuar tek ju që ta trajtoni këtë problem te qeveria, por çuditërisht nuk kemi parë asnjë reagim tuajin. Shpresojmë që të impenjoheni me këtë shqetësim mbarë popullor. Faleminderit!

    Bashkangjitur janë dërguar tre artikuj kryesorë për ta njohur më hollësisht me problemin.

    3-Përgjigje e Avokatit të popullit dërguar me e-mail dt. 14.06.2012:

    Lënda:                          Kthim përgjigje

     Drejtuar:                            Zyber Caco

    I nderuar z. CACO,

    Pranë institucionit të Avokatit të Popullit keni paraqitur ankesë sa i përket pamundësisë së përdorimit në vlerë reale të letrave me vlerë, duke përcaktuar gjithashtu dhe një sërë mundësish tashmë të tejkaluara, kur të tilla mund të ishin përdorur fare mirë. Për sa më sipër Ju sqarojmë se institucioni i Avokatit të Popullit i ka bërë prezent Qeverisë këtë shqetësim jo vetëm tuajin, duke  rekomanduar zhbllokimin e situatës së krijuar nga mosfutja në përdorim e letrave me vlerë dhe bonove të privatizmit. Rekomandimi në fjalë i është drejtuar Kryeministrit, z. Sali Berisha, ministrit të Financave, z. Ridvan Bode, ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z.Genc Ruli, si dhe Komisionit për Ekonominë dhe Financat pranë Kuvendit.  Në përgjigjen e tij, Kryeministri, z.Sali Berisha ka mbështetur plotësisht shqetësimin e ngritur nga institucioni ynë për përdorimin e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Ndër të tjera në përgjigje ai shprehet se: “Qeveria që unë drejtoj, e ka këtë çështje në rendin e problemeve për trajtim. Për këtë, unë kam instruktuar institucionet shtetërore përgjegjëse për të përgatitur bazën ligjore dhe nënligjore të nevojshme për të zbatuar politikat që ne kemi parashikuar në programin e qeverisë dhe që janë njëkohësisht në përputhje edhe me shqetësimet e përcjella në letrën tuaj”. Përfundimisht, ju bëjmë me dije se institucioni i Avokatit të Popullit ka sjellë në vëmendje të Qeverisë dhe organeve të saj këtë problem serioz, dhe në vijim ju njoftojmë se trajtimi i këtij problemi varet plotësisht nga përparësitë e axhendës së vendosura nga Qeveria për miratimin e akteve që janë në kompetencë të saj. Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj.

    K O M I S I O N E R E

    FLORINA NUNI

    A.Kruja 25.05.2012

    4-E-mail dt.18.06.2012

    Ankesë Publike.

    AVOKATIT TE POPULLIT

    LIDHUR ME PËRGJIGJEN PËR ANKESËN MBI LETRAT ME VLERË

    Zoti Avokat i Popullit, Unë pavarësisht se tek institucioni i juaj u ankova personalisht dhe jo në emër të shoqatës së Letrave me Vlerë ku jam anëtar i kryesisë së saj, ju kam dërguar edhe shumë materiale të shkruara, shpresova se duke u drejtuar personalisht do të kishte më tepër efekt ankesa ime, por lidhur me përgjigjen e dërguar nga Ju me datë 14.06.2012, të firmosur nga ndihmës komisioneri z. Arlind Kruja me 25.05.2012, jam zhgënjyer totalisht dhe po ja u them që në fillim se kjo përgjigje është bërë me një papërgjegjshmëri të plotë për këto arsye:

    1-Ju nuk na thoni nëse keni ndërhyrë aktualisht pranë qeverisë për të zgjidhur këtë problem mbarëpopullor (edhe ju e pohoni duke thënë se “këtë shqetësim jo vetëm tuajin”), por flisni se çfarë kanë bërë paraardhësit tuaj në vitin 2005, gjë për të cilën ne si shoqatë kemi marrë dijeni që atëherë dhe kemi ekstraktin e përgjigjes së Kryeministrit për paraardhësin tuaj, e cila mban datën 26 tetor 2005, ndërsa në përgjigjen tuaj Ju e citoni si aktuale!

    2-Në përgjigjen tuaj Ju thoni se “Rekomandimi në fjalë i është drejtuar Kryeministrit Z. Sali Berisha, Ministrit të Financave z. Ridvan Bode, Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Z. Genc Ruli, si dhe Komisionit për Ekonominë dhe Financat pranë Kuvendit.”. Ju bëjmë me dije së zoti Ruli ka disa vjet që është Ministër i Bujqësisë dhe jo i METE-s, zoti Avokat i Popullit, por pikërisht kjo është një argument për papërgjegjshmërinë e përgjigjes tuaj.

    Me qëllim që të sqaroheni edhe Ju po i përmend disa prej këtyre akteve ligjore që janë:

    – Dekreti nr.1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”

    (lekë privatizimi).

    – vendim nr.131, datë 20.3.1995 “Për shtypjen nga banka e Shqipërisë të bonove të privatizimit”.

    – Vendim, nr.140, datë 22.3.1995, “Për regjistrimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”.

    – Ligji nr.79l8, datë 13.4.1995 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.1030, datë 23.2.1995” “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekë privatizimi)” dhe dekretit nr.1049, date 27.3.1995 “për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit”.

    Përfundimisht zoti Avokat i Popullit, kërkojmë nga Ju që të influenconi dhe të ndërhyni publikisht tek qeveria që Bonot e Privatizimit për qytetarët dhe Lekët e Privatizimit për ish të përndjekurit politikë (emetimi i të cilave është bërë pikërisht për t’i përdorur në privatizim), prandaj t’i shndërrojë në aksione kudo që i ka shteti, duke përfshirë edhe HEC-et dhe të përshpejtojë zbatimin e akteve ligjore të mësipërme me qëllim që të hapi të gjitha mundësitë e përdorimit në masë, të këtyre Letrave me Vlerë. Shpresoj në mirëkuptimin tuaj dhe që këtij problem t’i kushtoni vëmendjen e duhur!

    Me respekt

    Zyfer CACO

    Në vëmendjen edhe të Shoqatës së Letrave me Vlerë