Vlorë, epidemi nga uji i pijshëm, 25 persona në Urgjencë

    386
    Sigal

    Ujësjellësi i Vlorës nuk kloron ujin. Rrezikohet seriozisht shëndeti i qytetarëve

    Dyshohet për epidemi bakteriologjike në Vlorë nga uji i pijshëm. Qytetarët e Vlorës gjithmonë kanë reflektuar shqetësimet e tyre në lidhje me Ujësjellësin në qytetin e tyre. Gazeta “Telegraf” ka denoncuar dhe më parë skandalet që kanë ndjekur SH.A Ujësjellësit Vlorë, me drejtuesen aktuale znj. Varvara Gjika. Ky institucion është kthyer në qendër të kritikave dhe pakënaqësive të qytetarëve të Vlorës, jo vetëm për performancën e dobët të institucionit dhe punonjësve të saj, por, edhe sepse ky institucion përflitet për abuzime dhe shpërdorime të detyrës. Përpos mungesës së ujit në shumë lagje të Vlorës dhe arrogancës së drejtores ndaj qytetarëve, kur shkojnë në zyrën e saj për tu ankuar, tashmë qytetarët vlonjatë po përballen edhe me pasojat e ujit të ndotur. Rreziku për përhapjen e një epidemie të mundshme i vë vulën të gjitha problematikave dhe denoncimeve që kanë bërë qytetarët vlonjatë për Ujësjellësin dhe kreun e saj. Mesa duket, mungesa e papërgjegjshmërisë apo ndoshta dhe e paaftësisë së stafit të punësuar nga drejtorja aktuale ka sjellë dhe degradimin e situatës. Kur dihet se detyra kryesore e një institucioni të një rëndësie jetike për qytetarët është siguria e ujit. Dhe vetëm klorimi pastron ujin nga pesticidet dhe kimikatet e ndryshme. Por, mesa duket, drejtuesit e Ujësjellësit Vlorë nuk e dinë këtë.

    Ngjarja

    Brenda një periudhe prej 3 ditësh në urgjencën e spitalit të Vlorës janë paraqitur 25 persona me probleme gastrointestinal, 13 prej të cilëve janë fëmijë. Pacientët kanë temperaturë të lartë, të vjella dhe diare. Shkak i këtyre simptomave dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm. Të gjithë pacientët e sëmurë vijnë nga Komuna e Novoselës, çka bëhet fjalë për një epidemi në këtë komunë. Sipas Drejtorisë së Shëndetit Publik, janë marrë mostra dhe pritet të dalin përgjigjet për të vërtetuar origjinën e epidemisë. Por, nuk është hera e parë që ndodh kjo situatë. Uji i ndotur është bërë shpesh shkak i epidemive të tilla në Vlorë, por dhe më gjerë.

    Uji dhe siguria e tij

    Uji ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën e njeriut dhe sigurimi i tij duhet të jetë një sfidë për autoritetet përkatëse. Uji nënkupton pastërti, energji, por mbi të gjitha, diçka të sigurt për të pirë. Sipas OBSH-së, 88% e sëmundjeve të diarresë shkaktohen nga konsumimi i këtij lloj uji. Gjithmonë uji ka qenë faktor vendimtar në zhvendosjen e popullsive nga një vend në një tjetër, sepse ai është kushti themelor për një jetë të sigurt e të shëndetshme. Sipas mjekëve, uji i ndotur dhe jo i dezinfektuar, përmban përbërës të ndryshëm dhe lëndë të shumta toksike të cilët mund të shkaktojnë sëmundje në masë te njerëzit. Uji i pijshëm meriton vëmendjen kryesore gjatë kujdesit për shëndetin e gjithsecilit. “Konsumimi i ujit të pijshëm përveç shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme hepatitit, diarreje; përbën një rrezik për shfaqjen e kancerit. Në të mund të përmban elemente të ndryshme toksike që bëhen shkak për mutacione të ndryshme” shprehen mjekët specialistë. Për këtë, shprehen specialistët e shëndetit, është i nevojshëm klorimi ujit për t’u pastruar nga pesticidet dhe kimikatet e ndryshme.