Vexhi BUHARAJA/ “Përpara Tomorit”

    1468
    Sigal

    Vexhi Buharaja u lind më12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepia” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Mbaroi studimet në Medresën e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Në konkursin letrar që u shpall me 1 Janar 1942, kur ishte 22 -vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”.

     Bukuri këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,

    Më pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,

    Si shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë -valë,

    Ndënëqesh me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,

    Edhe zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:

    Gjer në fund të natës sime.

    Dhe kjo dritë dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri,

    Që po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,

    Gaz’ i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu

    Edhe gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu

    Nga dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime:

    Gjer në fund të natës sime.

    Zog’ i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!

    Shpuzë’ e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!

    Thuaja si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit

    Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,

    Qesh si qesh një shtizë hëne përmbi faqen e dëborës,

    Ndrin si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës

    Dhe këndo posi bilbili me aq mall e drithërime

    Gjer në fund të ditës sime.

    Dhe pasi të kesh marrë, frym’ e shpirt nga bukuria

    Dhe pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,

    Fute kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,

    Sesi nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar.

    Si buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,

    Si buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,

    Si buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…

    Del nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit,

    Dhe përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’e gjumit

    Pastaj ngjitet lartë -lartë ku ndez jeta në shkëlqime:

    Gjer në fron të ditës sime

    Dua të jem flutur!

    Dua të jem flutur të puth ngadalë
    Detin e livadhit si anij’ mbi valë…
    Të mshihem në fletë, të mshihem në hije,
    Të dëgjoj e heshtur këngë dashurie;
    Dhe pastaj të dal posi rrez’ e diellit,
    T’i mësoj bariut si t’i bjeri fyellit;
    Gjak prej trëndafili të marr dhe në buzë
    Vashës për t’ia hedhur, të duket si Muzë!…
    Dua të jem flutur, t’i vete një herë
    Mbretëris’ së bujkut, pastaj ti marr erë
    Shpirtit që të ndezë posi borzilok,
    Dhe në zjarr të vapës le t’i bëhem shok;
    Nga thesar’i shpirtit ca margaritarë
    Ndëne krah’t e lehtë fshehtazi t’ia marrë,
    Para Mbretëreshës gush-e-gji dëborë
    Varg-e-varg t’i derdhë … lule për kurorë…
    Dua të jem flutur, të gjej dritën time…
    Dhe si yll qe dridhet nëpër përvëlime
    T’i afrohem pranë, ti vijë vërdallë
    Dhe të parpulisem** sa të nxjerrë mallë;
    Që të shoh një herë se si zemra trime
    Shkrihet në venitjen, bëhet pluhur, hime…
    T’i mësoja botës se si dashuria
    Ndizet si kandili, hapet si shkëndia
    Qan pa derdhur lotë, … ndizet pa nxjerrë zë…
    Dhe pastaj mëshihet, … shuhet pergjithnjë…