Vasili: “Masat për tregtarët që rrisin çmimet dhe planet e bashkisë për vitin që vjen”

    414
    Sigal

    INTERVISTA/Flet nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, për çmimet e tregjeve

    Nisma e bashkisë për ngritjen e një grupi pune për kontrollin e çmimeve në tregje ka rezultuar e suksesshme për festat e fundvitit. Çmimet janë mbajtur nën kontroll nga grupi i ngritur dhe monitorimi i tregut bëhet rregullisht nga ky grup i ngritur për të ndaluar rritjen e çmimeve nga tregtarët në mënyrë abuzive. Në lidhje me kontrollin e tregjeve dhe situatën aktuale të çmimeve ka folur në një intervistë për “Telegraf” nënkryetari i Bashkisë Petrit Vasili. Ai ka theksuar se, nisma e ndërmarrë nga bashkia ka rezultuar e suksesshme dhe se do të vijojë kontrolli në tregje edhe në ditët në vijim. Ndërkohë që nuk do të hezitohet që të merret çdo masë nga ana e bashkisë për tregtarët që rrisin çmimet. Po ashtu nënkryetari i bashkisë bëri të ditur se janë marrë masat edhe për organizmin e festave të fundvitit.

     -Zoti Vasili, si paraqitet situata e çmimeve në tregje për festat e fundvitit, a ka pasur abuzime?

    -Situata me çmimet ka qenë nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm dhe ajo paraqitet nën kontroll dhe nuk janë vërejtur problematika lidhur me to. Ne kemi bërë publik vazhdimisht buletinin e çmimeve në mënyrë të përditshme si dhe kemi ndjekur me anë të inspektorëve tanë të gjithë këtë problematikë në të gjithë tregjet kryesore të kryeqytetit që përballojnë njëkohësisht edhe fluksin dhe volumin më të madh të blerjeve nga qytetarët.

     -Ashtu si edhe vitin e kaluar bashkia ka marrë masa për ngritjen e një grupi kontrolli nëpër tregje. Sa e suksesshme ka qenë kjo nismë dhe a janë marra masa për tregtarët?

    -Grupet e kontrollit janë vazhdimisht në teren, ata janë të përbërë nga Agjencia e Konsumatorit, Drejtoria e Tatim Taksave në Bashki, policia bashkiake dhe shoqata e konsumatorit, por edhe qytetarët kane qenë pjesë e aksionit tonë, sepse së pari detyrimi i kërkuar nga ne për afishimin e çmimeve si dhe krahasimi i tyre me buletinin e përditshëm të çmimeve ka bërë që edhe vetë qytetarët të jenë shumë më të informuar për situatën. Po ashtu këtë vit është shtuar  edhe një  partner i ri shumë i rëndësishëm siç është Shoqata e Konsumatorit e drejtuar nga Altin Goxhaj. Kjo shoqatë ka qenë një faktor i ri shtesë dhe shumë i rëndësishëm duke shtuar në këtë mënyrë transparencën që besoj se është mjeti më efikas për të realizuar këtë mbajtje të çmimeve nën kontroll.

     -Duke bërë një paralelizëm me vitin e kaluar, sivjet ka pasur më shumë abuzime apo më pak nga tregtarët?

    -Besoj që nga konstatimet e deritanishme situata është më e mirë se një vit më parë dhe ndërgjegjësimi i tregtarëve ka qenë edhe më i madh megjithatë në edhe këtë vit kemi marrë të gjitha masat për ngritjen në shumë pak kohë të një tregu alternativë në e do ta kërkonte nevoja dhe këtë do ta bëjmë pa asnjë hezitim vetëm e vetëm për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve duke i mbrojtur ata nga abuzimi.

     – Çfarë aktivitetesh ka përgatitur bashkia për natën e Vitit të Ri?

    -Besoj se bashkia ka bërë shumë për krijimin e një atmosfere feste, e cila ndihet dukshëm në të gjithë qytetin dhe kjo është evidente. Kjo ka krijuar një ndjenjë pozitive tek qytetarët përkundrejt zymtësisë së disa viteve më parë dhe Tirana në këto ditë ngjason shumë me mjaft metropole evropiane përsa i takon dekorimit të qytetit dhe përjetimit të klimës së festës kjo nuk është pak

     -Mund të na thoni diçka në lidhje me masat e sigurisë që do të merren për natën e Vitit të Ri?

    -Sigurisht që të gjitha shërbimet që kanë lidhje me bashkinë e Tiranës do të jenë në gatishmëri të plotë për gjatë gjithë natës duke bashkëpunuar edhe me policinë e shtetit bashkëpunim, i cili ka rezultuar mjaft i suksesshëm edhe në evenimente të tjera të mëparshme duke siguruar në këtë mënyrë qetësinë dhe rregullin e duhur në një metropol që feston. Gjithashtu, edhe shërbimet e tjera si pastrimi i qytetit e të tjera do të jenë në gatishmëri dhe këtu është rasti që unë t’u uroj festën veçanërisht këtyre punonjësve që nuk mund të festojnë pranë familjeve të tyre për shkak të detyrës.

     -Sa i suksesshëm ka qenë për bashkinë viti që po lëmë pas, a janë realizuar projektet e planifikuara?

    -Besoj se ka qenë një vit shumë intensivë dhe punimet e shumta në infrastrukturën e qytetit dhe depërtimi i këtyre projekteve tashme nëpër njësitë bashkiake dhe rrugët brenda lagjeve ka përmirësuar cilësinë e jetës në Tiranë si dhe ka dhënë mesazhe optimiste për një bashki afër qytetarëve dhe që zgjidh prioritetet e tyre. Gjithashtu, realizimi i planit urbanistik të qytetit si një sipërmarrje shumë e vështirë po aq e domosdoshme sigurisht shënon një arritje të rëndësishme dhe përmbushje të një premtimi aq të rëndësishëm por edhe aq të pritur nga qytetarët e Tiranës, të cilët e kanë të qartë se çfarë pamje do të ketë qyteti në të ardhmen dhe zhvillimin e tij perspektiv. Por edhe biznesi mori mesazhe të qarta për mundësitë e tij për të punuar e realizuar projekte madhore në Tiranë. Po kështu aksioni i madh i vënies nën kontroll të tregtimit të produkteve të mishit ishte një tjetër përgjigje në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Arritjet edhe në drejtim të uljes së taksave për biznesin dhe të shumë të tjera të pamundur për t’u renditur të gjitha e bëjnë vitin që lëmë pas një vit të suksesshëm për Bashkinë e Tiranës.

     -Çfarë projektesh do të realizoni për vitin që po vjen?

    -Viti që na pret është një vit shumë i rëndësishëm përsa i takon projekteve në infrastrukturën rrugore të Tiranës dhe do të shënojë një transformim të madh që do të eliminojë në maksimum diferencat e patolerueshme mes infrastrukturës moderne të rrugëve kryesore dhe asaj skandaloze në rrugët e brendshme të qytetit. Evitimi i këtyre kontrasteve përmirëson dukshëm cilësinë e jetës së qytetarëve por edhe është një lehtësi më shumë për biznesin kryeqytetas, i cili është dinamik dhe përcaktues për qytetin tonë.

    Masa ligjore për abuzuesit që rrisin çmimet

    -Nuk ka pasur nevojë deri tani për marrje masash drastike sepse paralajmërimi i atyre që kanë tentuar ta bëjnë një gjë të tillë ka qenë më se i mjaftueshëm por ne nuk do të hezitojmë aspak të ndërmarrim çdo masë për ta ndaluar abuzimin me çmimet nëse ai do të konstatohet. Janë riverifikuar dy raste të shkëputura, me një luhatje të lehtë çmimi, e cila është rikthyer në normalitet. I gjithë mekanizmi në tërësinë e tij, në të gjithë trupat tona të inspektimit është në vëmendjen maksimale dhe me të gjithë seriozitetin e ashpërsinë e duhur, që fenomeni i shëmtuar i spekulimit me çmimet të mos ndodhë për asnjë arsye dhe kushdo që do të guxonte ta bënte një veprim të tillë, kishte një përballje shumë të fortë me përfaqësuesit tanë të ligjit dhe kontrollorë.