Vajza 7 vjeçare vdes nga të ftohtit, Veliaj i “Mirëqenies” foto në çdo kg sheqeri e shpërndarë ndihmë

    435
    Sigal

    Akuza e babait: “Asnjë lloj ndihme nuk më ka dhënë askush. I kam bërë apel ministrit Erion Veliaj, por nuk më ka dhënë asnjë ndihmë”

    Të enjten e kaluar, ndërsa në Kuvend, maxhoranca dhe opozita harxhuan një ditë dhe një natë të tërë, duke akuzuar njëra-tjetrën për krimin dhe korrupsionin, disa kilometra më larg, në spitalin e Pediatrisë së Tiranës, një vajzë 7 vjeçe iu shua jeta në gojë, nga të ftohtit. Ngaqë ajo, motra e saj 3 vjeçe dhe prindërit e saj jetojnë në një kasolle.

    Tragjedia

    Edhe “Poema e Mjerimit” e viteve 1930,  ai Luli i Vockël, do të duket tashmë si një vjershë e vockël, përpara tragjedisë së vdekjes së 7-vjeçares Pamela Jahja, nga e ftohta e marrë, ngaqë nuk kishte një batanije të mbronte trupin e saj të vockël. Familja Jahja në Mal Bardhë të Kurbinit jetonte në një barakë pa asnjë ndihmë dhe në kushte çnjerëzore. Vajza e mitur, Pamela Jahja, ka gjetur vdekjen në Pediatrinë e Tiranës, si pasojë e pneumonisë. Kushtet e vështira të jetesës në një barakë thuajse të shkatërruar plotësisht, ku jetonin pjesëtarët e kësaj familje, ka bërë që ajo të marrë ftohje të shkallës së lartë, duke mos mundur që të shpëtojë. Babai i vajzës së mitur, Sadik Jahja thotë se i ka kërkuar disa herë pushtetit vendor dhe qendror që t’i gjendet një strehim, duke e paralajmëruar në këtë mënyrë edhe tragjedinë, por askush nuk ka marrë asnjë masë. “Këtu është rritur ajo vajzë dhe këtu ka marrë plevitin. Asnjë lloj ndihme nuk më ka dhënë askush. Kam kërkuar boll. I kam bërë apel ministrit Erion Veliaj, por nuk më ka dhënë asnjë ndihmë”, shprehet me lot në sy Sadik Jahja. Sadiku thotë më tej se, edhe vajza tjetër, e cila është vetëm 3-vjeçe, Ribela, vuan nga një ftohje dhe i duhet që ta dërgojë për mjekim në spital. “Të gjithë në familje jemi të papunë dhe nuk kemi asnjë të ardhur. Vajza është rritur në kushte tepër të vështira dhe nga i ftohti ka marrë dhe pneumoninë. Madje, një muaj më parë i kam bërë apel nëpërmjet medias, shtetit që të më ndihmojnë dhe kanë qenë vetë vajza, që e kanë bërë këtë apel. Unë këtë tragjedi e kam paralajmëruar, por kjo nuk ka shqetësuar askënd. I bëj thirrje shtetit që të më ndihmojnë dhe të më gjejnë një shtëpi ku të fusim kokën, pasi në këtë banesë nuk jetohet më”, thotë Sadik Jahja.

    Ministri Veliaj, foto në çdo pako ndihme që ndahet

    Ironikisht, kryeministri i vendit, po atë ditë, që Pamela 7 vjeçare dha shpirtin e saj të vockël, ngaqë zemra e saj nuk njohu ngrohtësi njerëzore, po, po kryeministri i vendit, tallej nga podium i Parlamentit, duke cilësuar “Pamela” një deputete të opozitës. Vdekja e dhunshme e 7 vjeçares, nga acari çnjerëzor i politikave, duhet të ishte bërë kryelajmi, kryetema e vetë Parlamentit! Çfarë vlere kanë debatet, llogjet në Parlament, kur politika sociale e një shteti, si shteti ynë, nuk i siguron Pamelës 7 vjeçare dhe motrës së saj 3 vjeçare një batanije të mbrojnë zemrën e vockël nga të ftohtit? Jemi në shekullin e 21-të! Lulin e vockël të “Poemës së Mjerimit” e kemi lënë 1 shekull mbrapa! Ironia e fatit të Pamelës 7 vjeçare, është vetë figura e ministrit që vetëquhet i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, që këto ditë, regjison çdo herë që fytyra e tij të duket në çdo foto që publikohet për shpërndarjen e ndihmave për të mbyturit! Për kë shpërndan ndihma ky ministër i vetëquajtur i Mirëqenies, kur ka mbyllë veshë dhe derë edhe ndaj apelit që i bënte babai i Pamelës 7 vjeçare, për një ndihmë, që edhe vajzat e tij të kishin të drejtë të …jetonin! Si ka mundësi që nëna e ministrit, me pensionin e saj, siguroi të ardhura të birit, pra ministrit, që të bëjë dasmë në Kështjellën e Gjirokastrës, ku as Ali Pasha Tepelena, në 81 vjetër e jetës të tij, nuk guxoi të bëjë dasmë në një kështjellë lufte! Dhe a mund të përgjigjet ky dhëndër që dasmën e vet e bën në kështjella lufte, Erion Veliaj, dhe sot është ministër i Mirëqenies Sociale, përse babai i Pamelës 7 vjeçare, nuk ka lekë që t’i sjellë vajzave të tij 7 dhe 3 vjeçare as një copë batanije, të mbrohen nga të ftohtit? Përse ministri Veliaj, nuk begenisi të dëgjojë apelin e babait, që të shpëtonte nga acari vajzën 7 vjeçare? A ka ndjeshmëri njerëzore ky ministër i pseudoMirëqenies Sociale, sa të shpëtojë, qoftë edhe tani, motrën 3 vjeçare të Pamelës? Deri kur foshnjat dhe fëmijët, nuk do të mundin dot të jetojnë në acarin e politikës sociale që prodhon politika anti-njerëzore e Erion Veliaj?

    Jakup B. GJOÇA