Universi krijues i gjeniut të kombit, Akademik Rexhep Qosjes

    620
    Sigal

    Ç’presim të shkruajë dhe të botojë ende Rexhep Qosja

    Ka më se një shekull që në letrat shqipe botohen përmbledhje studimesh për autorë a përmbledhje veprash më të plota të autorëve të shquar shqiptarë, por jo të gjithë autorët dhe jo të gjitha vëllimet me studime a tekste letrare të tyre kanë shënuar ngjarje të rëndësishme në jetën kulturore dhe shkencore të popullit shqiptar, por  zor të gjendet një përmbledhje e veprave të plota e botuar në përmasa më se ekskluzive, ashtu si është botuar vepra e Profesor Rexhep Qosjes.

    Vepra e plotë e profesorit

    Prej tërësisë së tyre, në të vërtetë prej ndarjes së tyre në pesë cikle të mëdha dhe prej bashkimit të tyre në njëzet e nëntë vëllime nuk është vështirë të shihet njëkohësisht edhe botimi i parë i tyre veç e veç, kur kronologjik e kur përmbajtësor. Në ciklin e parë: vepra historiko-letrare, veç tjerash janë përfshirë vëllimet me studime historiko – letrare, sikur është kryevepra e tij në tri vëllime: romantizmi, monografitë për Naim Frashërin dhe Asdrenin, apo manifesti Tri mënyrat e shkrimit shqip; në ciklin e dytë: vepra letrare, veç tjerash janë përfshirë romanet dhe dramat Vdekja më vjen prej syve të tillë, Mitet e zhveshura, Një dashuri dhe shtatë faje dhe sidomos kryevepra e tij romanore Bijtë e askujt; në ciklin e tretë: vepra historike dhe historiko-dokumentare, veç tjerash është përfshirë veprat brilante të mendimit historik dhe politik shqiptar Çështja shqiptare – historia dhe politika, Paqja e përgjakshme, Tronditja e shekullit dhe Rilindja e dytë; në ciklin e katërt: vepra publicistike, veç tjerash janë përfshirë veprat që kanë shënuar epokën tonë Populli i ndaluar, Strategjia e bashkimit shqiptar, Fjalor demokratik, Demokracia e shpërdorur; ndërsa në ciklin e fundit: vepra polemike, janë përmbledhë diskutimet rreth jetës kulturore në vitet ’70 në Kosovë dhe manifesti i identitetit kombëtar për gjuhën, vetëdijen fetare dhe ideologjike, të ndërlidhura më tej edhe me polemikat me shkrimtarin Ismail Kadare. Prej njohjes që kemi për veprën e tij ndërkaq këtu po theksojmë mospërfshirjen në këtë përmbledhje të botimit të rreth 14.000 faqesh, i tri veprave të para Episode letrare, Kritika letrare dhe Dialogje me shkrimtarët, si dhe të vëllimit të parë të Antologjisë së historisë së letërsisë shqipe (poezia dhe proza); po njëkohësisht edhe mospërfshirjen brenda këtyre vëllimeve edhe të shumë studimeve, teksteve letrare e historike të botuara vetëm në shtypin ditor e revistat shkencore.

    …Dhe më tej!…

    Prej lexuesit të tij sigurisht kërkohet të dijë se cila është vepra që do t’i pasvjen veprës së njëzetë e nëntë. Çka do të shkruajë, në të vërtetë, çka do të botojë Rexhep Qosja në vëllimin e tridhjetë, në vëllimin e tridhjetë e një, në vëllimet e mëtejme. Prej studiuesit që ka mbajtur ditarë, ka ‘shkruar’ apo do të shkruaj memoare, në të vërtetë lexuesi pret të njoh kujtimet dhe biografinë e tij për periudhën e viteve ’50 dhe ’60, pamja jetësore dhe letrare e të cilit mungon në biografinë e tij; pikëpamjet e tij për marrëdhëniet serbo-shqiptare, interesimi për të cilat po shtohet gjithnjë e më shumë; fqinjësinë mitike, historike, kulturore, politike dhe etike në Ballkan etj. Dhe jo vetëm për vitet ’50 e ’60, po edhe vitet ’70, në të cilat ndikimi i tij në jetën kulturore, letrare, shkencore dhe madje filozofike është mjaft i madh; si dhe vitet ’80, kur fati i sigurisë së intelektualit shqiptar shkonte për teh të shpatës. Çka mund të pres lexuesi prej studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë që ka shkruar Historinë e letërsisë shqipe (Romantizmi I, II, III ), përveç se njërin prej vëllimeve, sikur shkruan në Parathënien e vëllimit të parë, të projektuar me titull Letërsia e vjetër, Prej romantizmit deri te realizmi, Letërsia sociale dhe Letërsia e sotme. Prej intervistave të mëparshme dhe prej pyetjeve të gazetarëve, se kur do të fillonte të shkruante pjesën tjetër të Historisë së letërsisë shqipe, Rexhep Qosja qe përgjigjur përafërsisht kështu: ‘kur të fillojnë të kthehen autobusët me të rinj, që tash po shpërngulen me dhunë. Nuk e di a mund të shkruhet sot për poetikën e letërsisë së vjetër= duke parë se si po shpërngulen të rinjtë që do të duhej t’i lexojnë këto vepra’, shprehej Profesor Qosja. Prej përgjigjeve të tij sot, ndërsa, mund të kuptojmë se vepra e tij e ardhshme e projektit të Historisë së letërsisë shqipe, duhej të ishte Letërsia e vjetër, ndërsa prej vëllimit të studimeve të tij, mund ta marrim me mend se vepra e tij e ardhshme duhej të ishte Prej romantizmit deri te realizmi. Prej studimeve të tij për autorë dhe probleme historiko-letrare të një periudhe prej më shumë se katër dekadash, nuk është vështirë të kuptohet se autorit të saj i duhej vetëm vëllimi i parë Poetika dhe përplotësimi i vëllimit të dytë a të tretë (sigurisht edhe kjo periudhë do të ketë tri vëllime) me disa nga përfaqësuesit më të mirë të saj: Anton Xanonin, Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Ndoc Nikajn, Anton Zako Çajupin, Aleks Stavre Drenovën – Asdrenin, Mihail Gramenon, Papa Kristo Negovanin, Luigj Gurakuqin dhe Hilë Mosin, për personalitetin e shumë prej të cilëve ka shkruar monografi historiko-letrare (për Asdrenin), studimeve sintetike (për Andon Zako Çajupin dhe Luigj Gurakuqin) ose ese përkushtuese (për Gjergj Fishtën dhe Faik Konicën). Çka mund të presë lexuesi prej studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë që ka shkruar monografitë më të mira për Naim Frashërin dhe Aleksandër Stavre Drenovën – Asdrenin, përveç se një monografi për Fan Nolin, për personalitetin e të cilit ka shprehur vlerësimin e tij shumë herë; për Faik Konicën, modelin e të cilit jo rrallë mund ta gjesh pikërisht te modelet e teksteve të tij; për Gjergj Fishtën, monografinë e të cilët e kishte planifikuar madje para Naim Frashërit e Asdrenit, kur e kishte propozuar për tezë doktorate, dhe më në fund edhe monografinë për Ismail Kadarenë, portretin intektual dhe historiko-letrar të të cilit, në kohën kur ai lavdërohet= dhe sulmohet skajshmërisht, zor të gjejmë historian të letërsisë që do ta bënte më mirë dhe më të plotë se sa Rexhep Qosja. Le t’i referohemi vetëm arsyes për të shkruar monografinë për Gjergj Fishtën. Rexhep Qosja ka lindur dhe ka kaluar një pjesë të rinisë së tij në ambientin ku Fishta është frymëzuar për veprën e tij, për ti dhënë predispozitën e njohësit më të mirë të shtresave epike të veprës së tij dhe eposit shqiptar përgjithësisht. Ai është njohësi më i mirë i marrëdhënieve të veprës epike të Fishtës me veprat e bardëve kombëtarë të letërsive fqinje: Njegoshit, Karaxhiqit, Ivan Mazhuraniqit etj., pa të cilët nuk mund të konsiderohet i plotë studimi mbi Fishtën. E të tjera e të tjera. Çka mund të presim sot prej shkrimtarit që admiron, apo i konsideron krijues të vërtetë të formatit madhor: shkrimtarin portugez Hose Saramago, shkrimtarin italian Umberto Eko, shkrimtarin gjerman Gynter Gras, shkrimtarin pakistanez Selman Ruzhdi, shkrimtarët francezë Mishel Turnje e Zhan D’Ormeson etj., prej shkrimtarit që ka shkruar romanin Vdekjen më vjen prej syve të tillë dhe romanet e dramat e tjera, përveç se edhe një roman tjetër, në mos vëllimin e tretë të romanit Bijtë e askujt. Cili lexues i pasionuar i veprës së tij Bijtë e askujt, nuk do të dëshironte që në Tiranë të kthehet sërish personazhi i këtij romani Marin Bushati, tash jo për të vazhduar a zgjeruar gjurmët e fatit tragjik të intelektualit Tarik Saraqi, po për të bërë kërkime mbi fatin tragjik të kohës, fatin tragjik të Rudina Dertit. Çka mund të presë lexuesi prej studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë dhe gojëtarit e polemistit që ka shkruar në letrat shqipe traktatin Tri mënyrat e shkrimit shqip, përveç se një vepër teorike dhe kritike Oratoria në gjuhën shqipe, titullin e të cilës prej shumë vjetësh e ka paraqitur në projektet e Institutit Albanologjik të Prishtinës.Çka mund të presë lexuesi prej studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë, kritikut, prozatorit, dramaturgut, polemistit, autorit të shumë vëllimeve me intervista, përveç se  po kaq shumë vëllime me intervista, që më parë se sa çastet e lumtura të tij, kanë= shprehur revoltën, protestën, shqetësimet dhe përpjekjet e tij kundër shumë dukurive dhe fenomeneve, që dekada me radhë kanë përshkuar popullin, të cilit i ka takuar. Personalitetet e këtilla historianët zakonisht i kanë quajtur pararojë e popujve të tyre! Çka mund të presë lexuesi prej studiuesit, përkatësisht historianit të letërsisë, prozatorit, dramaturgut, polemistit e kritikut që ka përgatitur dy antologji të poezisë shqipe Antologjia e lirikës shqipe dhe Antologjia e letërsisë shqipe (poezia dhe proza), përveç se edhe vëllimin tjetër të Antologjisë së letërsisë shqipe (drama dhe kritika), në mos edhe një vëllim të Antologjisë së letërsisë shqipe (periudha e romantizmit) dhe pse jo edhe një Antologji të letërsisë shqipe (letërsia bashkëkohore), në kohën kur letërsia bashkëkohore shqipe e sidomos letërsia e shekullit XX, i është nënshtruar një tipologjie klanore, krahinore dhe ideologjike të bërësve të saj. Sigurisht më parë se sa t’i kërkojmë të gjitha këto, prej gjeniut të madh të kombit, atij që më parë duam t’i urojmë shëndet dhe jetë të gjatë!

     Dje, Arbën Xhaferi: “Qosja, personazh i parehatshëm

    Në një intervistë në një të përditshme shqiptare, Arbën Xhaferi del në mbrojtje të standardit të shqipes, dhe është disi i shock-uar nga mendjelehtësia sektare me të cilën trajtohet ky problem,   ai cek edhe çështjen “Qosja”, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares “Në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, është folur shumë për një ftesë të munguar të Akademisë së Shkencave për akademikun Rexhep Qosja. A keni një reagim për këtë rast?” Xhaferi përgjigjet: “Profesor Qosja gjithsesi nuk është i rehatshëm. Ai është polemist i lindur dhe nuk i duron situatat ku ai duhet ta luajë rolin që dikush tjetër ia cakton. Ndjenja e tij për dinjitet dhe integritet është shumë e zhvilluar, kështu që ai nuk përton që të polemizojë me ata që, sipas tij, kanë qëndrime të gabueshme. Mendoj se kriteret që manifestojnë cilësinë e kulturës së tij, postulatet e tij morale, i krijojnë më shumë probleme atij se sa shoqërisë shqiptare. Duke marrë parasysh kontributin e tij ndaj kulturës dhe kauzës shqiptare, mendoj se duhet të tolerohet, të pranohet ashtu si është ai dhe jo si e parapëlqejnë të tjerët.”