Trageti Pogradec-Ohër, maqedonasit më të privilegjuar. Ndërkohë që masakrohet rruga kombëtare

    384
    Sigal

    Inaugurohet linja liqenore e Ohrit, ndërsa rruga e Pogradecit, një katrahurë e vërtetë

    Dje u inaugurua linja liqenore për pasagjerë Pogradec-Ohër dhe anasjelltas, nga Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe homologu i tij maqedonas z. Mile Janakievski. “Sot është një ditë historike, pas 100 vjetësh vendoset përsëri një linjë mes Pogradecit dhe Ohrit. Besoj se është një moment që shënon hapjen e një faqeje të re, jo vetëm për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, që sigurisht është shumë i shkëlqyer dhe me potenciale të mëdha, por është gjithashtu edhe një ditë e re e bashkëpunimit në një fushë me interes të përbashkët midis dy vendeve siç është ajo e turizmit”, tha Ministri Haxhinasto gjatë ceremonisë se inaugurimit.

    Kjo linjë liqenore, që sipas marrëveshjes do të funksionojë nga 15 Qershori deri në 15 Shtator, i shërben turizmit të të dyjave vendeve. Të tilla nisma të qeverisë duhen përshëndetur, por ne kurrsesi nuk mund të kemi turizëm elitar, nëse investime dhe iniciativa të tilla ngelen përgjysmë. Kjo, sepse investime të tilla duan dhe infrastrukturën e duhur për të promovuar turizmin elitar. Është për t’u theksuar se, më së shumti, ky investim i vlen fqinjit tonë Maqedonisë, falë problemeve dhe vonesave që sjell rruga e papërfunduar nga Qafë Thanë-Pogradec. Siç e thamë dhe më lart, linja liqenore ka filluar që në 15 qershor të funksionojë, sipas marrëveshjes, po rruga, në fazën në të cilën është, nuk mund të përfundojë shpejt, që nga gjithë ky investim të përfitojë në thithjen e turistëve edhe Shqipëria. Rruga nga Qafë Thana deri në Pogradec, për shkak të gropave dhe çakullit përshkohet për gati 2 orë, ndërkohë që çdokush mund të shkojë për gjysmë ore në Maqedoni dhe të kthehet më pas me traget në Pogradec. Pra, mesa duket, linja liqenore do i shërbejë më shumë fqinjit tonë, të paktën për këtë sezon veror, deri në 15 shtator sipas marrëveshjes dypalëshe. “Sot vendoset një linjë trageti midis Ohrit dhe Pogradecit, një nga lidhjet e shumta midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, që shënon gjithashtu dhe shumëfishimin e lidhjeve dhe mundësive të komunikimit midis dy vendeve. Kjo linjë është konceptuar si sezonale, por unë jam i sigurt që me këtë interes që shohim sot, dhe me perspektivën që ne kemi, për bashkëpunimin midis dy vendeve, jam shumë i bindur që kjo linjë do të jetë permanente dhe do të shtohen dhe shumë operatorë të tjerë”, tha Haxhinasto. Sipas marrëveshjes dypalëshe, linja liqenore për pasagjerë Ohër – Pogradec dhe anasjelltas do të funksionojë nga 15 Qershori deri në 15 Shtator. Do të ketë çdo ditë një lundrim ndërmjet dy qyteteve liqenore. Lundrimi nga Pogradeci drejt Ohrit zgjat rreth 2 orë.  “Mendoj se Liqeni i Pogradecit dhe gjithë zona përreth tij, të jetë një zonë e përbashkët turistike midis dy vendeve. Infrastrukturën për këtë zonë duhet ta koordinojmë së bashku, sepse jemi shumë të vegjël për t’i pasur gjërat e ndara. Kështu do të shfrytëzojmë më tej potencialet tona dhe do t’i japim më shumë zhvillim dy vendeve dhe do të sjellim më shumë mirëqenie për qytetarët tanë”, tha Ministri Haxhinasto.

    Është mirë që herë tjetër, në kuadër të promovimit dhe zhvillimit të turizmit elitar të merren masa edhe për infrastrukturën e duhur që investime dhe marrëveshje të tilla të shhfrytëzohen dhe t’i shërbejnë maksimalisht edhe vendit tonë. Në këtë aktivitet, kreu i Transportit dhe Infrastrukturës shoqërohej edhe nga Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit znj. Eglantina Gjermeni, Kryetari i Bashkisë se Pogradecit z. Artan Shkëmbi si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.