Të taksosh ekonominë digjitale… edhe në Shqipëri

237

Taksimi i ekonomisë digjitale është një nga debatet më të nxehta sot në botë. Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Evropa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë

Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë një problematikë të madhe në botë dhe Evropë, atë të taksimit të ekonomisë digjitale. Rregullat e sotme të taksimit ndërkombëtar të kompanive nuk përshtaten më me realitetin e ekonomisë moderne globale, në bazë të të cilit sot një kompani mund të arrijë fitime nga shërbimet digjitale, pa qenë fizikisht të pranishëm. Rregullat aktuale të taksimit gjithashtu nuk arrijnë të identifikojnë rrugët e reja të krijimit të fitimeve në botën digjitale. Si rrjedhojë ka një mospërputhje mes vendit ku krijohet vlera dhe ku paguhen taksat. Për të adresuar këtë problem, në mars të këtij viti, Komisioni Evropian propozoi dy nisma të reja për të bërë të mundur që aktivitetet e biznesit digjital të taksohen në mënyrë të drejtë në BE, të cilat pritet ende të marrin një formë përfundimtare. Nisma e parë synon të reformojë rregullat e taksimit të kompanive në një mënyrë që fitimet të regjistrohen dhe taksohen atje ku bizneset kanë ndërveprim domethënës me përdoruesit, përmes kanaleve digjitale. Në bazë të kësaj reforme, secili shtet anëtar do të jetë në gjendje të tatojë fitimet e krijuara në territorin e tij, edhe nëse kompania nuk ka prani fizike, duke i barazuar ato në mënyrë efektive me kompanitë tradicionale. Prania digjitale do të konsiderohet e qëndrueshme nëse kompania tejkalon 7 milionë euro të ardhura vjetore, nëse ka më shumë se 100,000 përdorues në një vit fiskal dhe nëse janë lidhur më shumë se 3,000 kontrata për shërbime digjitale ndërmjet kompanive dhe përdoruesve. Propozimi i dytë lidhet me thirrjet nga disa shtete anëtare për një taksë të përkohshme, që mbulon disa nga aktivitetet digjitale që aktualisht u shmangen taksave në BE, si ato të fituara nga shitja e hapësirës online reklamuese (p.sh., Google), nga aktivitetet e ndërmjetësimit digjital që thjeshtojnë shitjen e mallrave dhe shërbimet përmes përdoruesve (psh eBay) dhe shitjen e të dhënave të krijuara nga informacionet e ofruara nga përdoruesit (p.sh Facebook).

 Po Shqipëria?

Ndonëse me ritme më të ngadaltë se Evropa, për shkak të zhvillimit më të vonuar në teknologji, edhe Shqipëria po përballet me një situatë të tillë. Kompani të huaja të shërbimit po veprojnë indirekt në Shqipëri përmes internetit, si p.sh., streaming video (apo kontent TV) bastet online, apo dhe operatorë si, Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime). Këto kompani, ndonëse ofrojnë shërbim në Shqipëri dhe marrin të ardhura nga konsumatorët shqiptarë, për momentin nuk janë të rregulluara dhe nuk paguajnë taksa. “Taksimi i ekonomisë digjitale në përgjithësi nuk ka qenë i lehtë, pasi kryerja e shërbimit nëpërmjet internetit kufizon aftësinë e shtetit për të identifikuar tatimin ndaj këtij ofruesi. Në këtë pikë, shtetet kanë mungesë të aftësisë administrative për të ekzekutuar pretendimet tatimore jashtë kufijve të tyre të juridiksionit”, thanë burime zyrtare nga Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Sipas tyre, një nga mënyrat që sugjerohet për zgjidhjen e këtij problemi kompleks është harmonizimi i rregullave, por sërish sfida e zbatimit të një normative të unifikuar paraqet vështirësi, pasi shpesh ofruesit e këtyre shërbimeve janë jashtë Evropës. Ajo çka rezulton të preferohet më shumë është përcaktimi i juridiksionit dhe zbatimi i rregullave të vendit të origjinës së këtyre subjekteve. AMA sot nuk ka bazë ligjore që të identifikojë të dhënat lidhur me numrin e përdoruesve së platformave, që operojnë shërbime audiovizive kur nuk janë të regjistruara në Shqipëri si vend origjine.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve, të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike (një nga këto shërbime është edhe ofrimi shërbimit të internetit (internet service provider). Neni 2, i ligjit nr. 9918/2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” përcakton se:

“Ky ligj nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike”. Pra operatorët digjitale që nuk janë të regjistruar në Shqipëri, nuk janë pjesë e rregullimit / monitorimit nga AKEP dhe nuk raportojnë të dhëna statistikore në AKEP. Burimet e institucionit thanë se, AKEP nuk është institucioni, i cili vlerëson përmbajtjen ose content-in e një faqeje dhe si pasojë, as nuk mund të jetë institucioni iniciues i procesit të mbylljes së një platforme ose faqe të caktuar, por vepron në bazë të kërkesave që vijnë nga organet apo institucionet kompetente. Vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara, AKEP urdhëron sipërmarrësit e komunikimeve elektronike (ISP) për mbylljen e aksesit në atë faqe.

Rekomandime si mund të taksohen këto aktivitete

Edland Graci, konsulent i PwC në Spanjë, për transferimin e çmimeve thotë se është i papranueshëm fakti që kompanitë digjitale po përfitojnë nga shërbimet publike, duke mos kontribuar në mënyrë proporcionale në arkat e secilit shtet. “Kjo është e papranueshme në nivel institucional, pasi shtetet duan të tatojnë fitimet që nxirren në territorin e tyre, në nivel publik, pasi qytetarët po marrin më pak shërbime publike sesa duhet të merrnin nëse multinacionalet do të paguanin mjaftueshëm tatime dhe në nivel komercial, pasi kompanitë konvencionale janë në dizavantazh në konkurrencën me këto kompani digjitale, duke paguar një nivel efektiv tatimesh shumë më të lartë”. Ai shton se Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë dhe pjesë e këtij integrimi është edhe adaptimi i politikave qeverisëse. Graci është i mendimit që edhe Shqipëria duhet të përshtasë propozimin e Komisionit Evropian, kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale si shitja e hapësirave online të marketingut, platformat digjitale të ndërmjetësimit midis përdoruesve dhe shitja e të dhënave digjitale të përdoruesve, duhet të tatohen mbi xhiron (dhe jo mbi fitimin) që kanë në secilin shtet me shkallë tatimore 3%. Kjo taksë evropiane e internetit është një taksë e re që BE synon të vendosë menjëherë në mënyrë të përkohshme, që të detyrojë gjigantët e web-it të paguajnë taksat e nevojshme aty ku fitimet janë prodhuar. Për këtë qëllim, Komisioni i BE-së ka propozuar një tatim prej 3% për:
-të ardhurat nga shitja e hapësirës reklamuese (si Google);
-transferimi i të dhënave (siç është Facebook);
-ndërmjetësimi ndërmjet përdoruesve dhe biznesit (si Uber).
Për të taksuar gjigantët e internetit, Brukseli propozon 3 kritere për të identifikuar praninë digjitale të tatueshme nga autoritetet tatimore kombëtare:
-nëse shoqëria digjitale bën 7 milionë euro në të ardhura vjetore në një Shtet Anëtar;
-nëse ka më shumë se 100 mijë përdorues të regjistruar në një shtet;
-ose nëse ka më shumë se 3,000 kontrata për shërbime digjitale për përdoruesit e biznesit.
Ekspertët pohojnë se në rastin e Shqipërisë, shifrat duhet të përshtaten në madhësinë e tregut.

Në numrin e ardhshëm të “Gazetës Telegraf” do të lexoni dy intervista me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) në lidhje me piraterinë televizive dhe përdoruesit e platformave që ofrojnë shërbime audiovizive, të cilët nuk janë të regjistruar në Shqipëri si vend origjine.