Suzana Zyrakja/ Projekte japoneze në ndihmë të Shqipërisë

    611
    Sigal

    JICA, agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, është organizata e qeverisë  japoneze, që zbaton ndihmën zyrtare të Japonisë nëpër botë. Bashkëpunimi teknik i Shqipërisë me Japoninë ka nisur pas viteve ‘90-të. Në bisedë më Sokol Konomin, koordinator i JICA-s për Shqipërinë mësojmë për disa nga fushat, ku qeveria japoneze ka investuar dhe vazhdon të ndihmojë në zhvillimin dhe progresin e vendit tonë. Kështu fusha e bashkëpunimit teknik ka përfshirë skemat e ndihmës GRANT, asistencën teknike dhe kreditë zyrtare për zhvillim të Japonisë. Në Shqipëri asistenca e Japonisë është e njohur nga Projekti 2KR “Rritja e prodhimit ushqimor”, skemë prej së cilës përfituan traktorë, makineri bujqësore, sera dhe linja të agro-përpunimit mijëra fermerë shqiptarë.

    Një aspekt tjetër i rëndësishëm i asistencës së Japonisë në Shqipëri është dhe ndihma GRANT për pajisje mjekësore, zbatuar në vazhdimësi nga viti 1999 deri më 2011.

    Asistenca teknike japoneze është fokusuar në fushën e studimeve dhe masterplaneve për zhvillim, projekte në ndihmë të mjedisit etj. Veçojmë studimin për masterplanin e industrisë minerare në Shqipëri, masterplani i kanalizimeve të Tiranës si metropol, plani tematik urban i qytetit të Tiranës, etj.. Përsa i përket kredive për zhvillim janë realizuar disa projekte të rëndësishme si rehabilitimi i digave te hidrocentraleve, linja konjeksioni të energjisë etj. Mbështetje e prekshme e asistencës japoneze në vendin tonë është dhe në fushën e mjedisit. Konkretisht, në parkun kombëtar të Divjakë-Karavastasë. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta ,është një ndër mrekullitë e natyrës shqiptare , një zonë e mbrojtur ,tepër atraktive  për  turizëm. E vlerësuar dhe e përzgjedhur për vlerat e biodiversitetit, vlerat ekologjike, botanike, zoologjike dhe hidrologjike, veçanërisht ato të lidhura me dimërimin dhe mbarështrimin e shpendëve, sidomos llojeve të një rëndësie globale, zona e Divjakë -Karavasta që nga viti 1995 është Zonë RAMSAR e Konventës së Ramsarit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare. Por edhe pse e shpallur Park Kombëtar dhe Zonë Ramsar deri kohët e fundit asaj i mungonte plani i menaxhimit. Në këto kushte, Ministria e Mjedisit iu drejtua disa donatorëve për hartimin e planeve të menaxhimit. Qeveria japoneze u tregua e gatshme si donatore e një vendi me përvoja të jashtëzakonshme për ruajtjen e natyrës dhe bashkëjetesës NJERI-NATYRË dhe zhvillimit  të qëndrueshëm. Kjo mbështetje tashmë realizohet përmes Agjencisë shtetërore të qeverisë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, JICA. Aktualisht, përmes projektit të JICA-s është bëri i mundur hartimi i draft-planit të menaxhimit të Parkut kombëtar të Divjakë-Karavasta, si dokumenti bazë e mbrojtjes dhe menaxhimit të Parkut. Suksesi i zbatimit të këtij projekti do të mundësojë shtimin në të ardhmen të kontributeve të donatorëve ndërkombëtarë, edhe për parqe të tjera kombëtare