Skënder Beqiri: Çamëria, kushërira e parë e Labërisë dhe e Vlorës

    693
    Sigal

    Intervista/ Flet Skënder Beqiri, udhëheqësi historik i ansamblit “Çamëria”

    Ai që ka krijuar ansamblin “Çamëria” të Vlorës, quhet Skënder Beqiri. Është 85 vjeç e banon në qytetin e Vlorës, ku ka krijuar një familje shembullore dhe atdhetare. I thonë dhe Marubi i Vlorës e i Çamërisë. Fotograf mjeshtër, i talentuar. 70 vjet me aparat në dorë. Shkollë për brezat. E gjetëm në shtëpinë e tij të vjetër, por të pastër si bora, atje, në lagjen e vjetër të Vlorës, që sot mban emrin e simbolit të Epopesë së Vlorës, Osmën Haxhiut, në rrugën “Jani Vreto”. Në arkivin e tij të pasur pamë një miniarkiv kombëtar të çmuar me fotografi bardhë e zi, sidomos të ansamblit të famshëm “Çamëria”, qysh nga fillimet. Pas pritjes tradicionale fillojmë bisedën në trajtën e një interviste:

    Kush është Skënder Beqiri në Vlorë?

    Unë vij me rrënjë kah Çamëria, kushërira e parë e Labërisë dhe e Vlorës patjetër, e cila na priti, siç di të presë ajo. Vlorën e dua si dheun e të parëve të mi, atje në jugun mesdhetar, diellor, epiriot, shqiptar. Dhe Vlora më do. Pyet… Le që s’ke nevojë të pyesësh, se ndër ata që më nderojnë, je dhe ti me Pelivan Bajramin, me Bardhoshin e me gjithë ata shokë e miq e labë e vlonjatë e vëllezër. Unë kam bërë vetëm detyrën atdhetare. Jam munduar sa më mirë ta bëj. Atë e thoni ju. Po kur themi Bardhosh Gaçe, kemi thënë Vlorë e Çamëri bashkë.

    More, xha Skënder po unë të pyes për Skënder Beqirin në Vlorë, ti më flet…

    Dëgjo, dëgjo, nuk më takon mua të flas për vete, se më qorton im atë atje ku prehet, lëviz nga varri dhe vërehet: pse thyen doket e zakonet e vendit, do më thotë dhe do mërzitet pastaj, e as unë s’mund të jem i qetë, as në varr…

    Të lutem…

    Në qytetin tonë hero, ku kam punuar për gati një gjysmë shekulli (nga viti 1945 – ‘90) me ndershmëri, përkushtim e profesionalizëm të lartë, gjurma ime më e dukshme është në fushën e fotografisë. Këtë e dëshmojnë qytetarët, shkrimet për punën time dhe fototeka që ruaj, në kushte të vështira shtëpiake, të cilin e kam thesarin e jetës sime, të cilës i kam kushtuar gati jetën time. Ju faleminderit njerëzve të mirë për vlerësimet, por ai ngelet i madh, ndërsa  unë jam thjesht ky që jam: punëtor dhe atdhetar i vendit tim.

    Te fototeka juaj pamë shumë fotografi të ansamblit “Çamëria”, ndërkohë di e kam dëgjuar, se ju e keni krijuar këtë grup. Si është e vërteta?

    Ansambli Folklorik “Çamëria” e nis historinë e tij artistike kombëtare në vitin 1978, kur është krijuar, si duket dhe në nderim të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Qe i pari ansambël që u krijua në Shqipëri, ai që mban emrin e Çamërisë martire për Atdhe. Ashtu është, siç ju e dini dhe e keni vërejtur. Patjetër që pati drejtim ansambli i Çamërisë, se u krijua si plotësim i shpirtit kombëtar, se rrezet e nderimit ngrohnin nga Lidhja e Prizrenit, e 10 qershorit të 1878 – ës, se pati suksese të bujshme, që jehojnë dhe sot. Unë, Skënder Beqiri isha drejtues i këtij grupi të madh artistik, bashkë me Halim Halimin. Nga intelektualët çamë kanë ndihmuar Nexhat Veipi dhe shkrimtari i njohur, i paharruari ynë Fadil Zeqiri.

    Kush tjetër ka kontribuar?

    Kanë kontribuar të gjithë pleqtë e asaj kohe, ardhur nga Çamëria, qysh më 1944 në Vlorë. Ata erdhën me gjithë origjinalitetin e këngëve dhe valleve çame. Ata kanë vlera me tërë mënd, kanë meritë të veçantë, se e sollën të pastër flokorin burimor çam. Krahas Hajredin Balo Shabanit, ishin edhe pleqtë e tjerë, mbi 80- vjeçarë, në vitin 1978, si: Abaz Dasho, Nuredin Resuli, Jaho Çapuri, Zeqir Zeqiri, Elez Hyseni, Ali Nuhu etj.. Kanë kontribuar për ansamblin “Çamëria” edhe Mustafa Suljoti, Nuredin Isufi, Xhevdet Malaj etj.. Nuk mund të harroj këmbënguljen e shoferit të parkut, Caqe Gërra, që shoqëroi me autobus ansamblin tonë në Tiranë. Nderim përjetë të ndjerit Agron Çobani, drejtor TVSH në atë kohë, që sa i predispozuar u tregua me ne! Shumë mirë na trajtoi. Edhe Sali Nuredini ka punuar shkëlqyer me ansamblin “Çamëria”.

    Si qe organizuar ansambli?

    Ansambli qe i organizuar me grupe, sipas moshave dhe gjinive. Kishim grupin e burrave. I pari Hajredin Balo Shabani. Nuredin Resuli, Jaho Çapuri, Ali Nuhu, Abaz Dasho, Zeqir Zeqiri, Elez Hyseni, Tofik Mete, Jasin Balo Shabani, Afif Çano. Grupi i valltarëve burra përbëhej nga Osman Zeneli, Hamit Agaçe, Nuredin Resuli, Jaho Çapuri e Ali Nuhu. Kishim grupin e valltarëve pionierë, që përbëhej nga Afrim Tahsini, Arjan Beqiri, Petrit Zeqiri e Isuf Çufe. Po kështu, kishim dhe grupin e plakave, me gratë e vjetra,  pastaj grupin e grave të mesme dhe të vajzave. Në grupin e vjetër të mjeshtreve të folklorit çam, Anife Shabani qe kryesorja. Xhite Hysa, Mine Teme e Alije Beqiri (nëna e Skënderit, shën. im, AH) qenë mëmat çame, që u mësuan grave dhe vajzave të reja që të luanin vallet e grave të traditës dhe këngët e bukura çame, që vijojnë edhe sot e kësaj dite, si perla të shpirtit epiko – lirik të ligjërimit dhembshuror çamërisht. Grupi i grave të mesme qe shumë simpatik, i guximshëm dhe serioz. Art kullonin në zë, në veshje, në pamje, në qëndrim, në lëvizje, në meloditë që interpretonin, sipas teksteve dhe muzikës së burimit, të traditës, pra. Tamam folklor sinkretik, siç e quani ju sot. Pjesëmarrëset e grupit të parë, gra ishin Habibe Beqiri, Adixhe Teme, Bibì Halimi, Sadije Kasëmi, Vjollca Beqiri, Renata Beqiri, një e Mete, të tjera artiste me mbiemra (se emrat s’po më kujtohet tani, …ndoshta mosha, por mbiemrat s’i harroj kurrë, se janë mbiemra kënge e historie), si, Balo, Resuli, Malaj, Gjuzeli. Më vjen në kujtesë një rast. Viti 1981. Qe rinovuar grupi i dytë me ndërhyrjen e të madhit Agron Çobani. Ikën ansambli urgjent në Tiranë dhe menjëherë e në studio për incizim e shfaqje. Ndihmë të madhe në këtë rast ka dhënë Gjyslime Hasani, me motrat dhe kushërirat e saj, sidomos për vallet e këngët e vajzave. Sa e rreptë qe në prova, aq e ëmbël dhe e dashur tregohej, pas shfaqjeve, kur zjarri i duartrokitjeve të spektatorëve i mbushte me kënaqësi e krenari, se kishin nderuar jo vetëm veten e tyre apo grupin, por tërë Çamërinë.

    Gratë e Çamërisë janë bartëse të folklorit çam dhe margaritarë të folklorit shqiptar e të muzikës popullore shqiptare. Ku qëndron sekreti që këngët e vallet çame erdhën deri sot dhe aq mahnitëse?

    Korife për vallet e grave qe e papërsëritshmja Anife Shabani. 80 vjeçe, m’u si flutur. Qysh në vitet ’70 , plaka Anife u mësonte vajzave të reja këngët e vallet, që asaj ia kishte mësuar gjyshja e saj dhe që i kish parë nga e ëma t’i këndonte me moshën e saj, atje. Ua mësonte Anifeja këtyre të rejave këtu, se s’i dinin këto, nuk i kishin praktikuar as më shkollë, as me shoqet e tjera në Vlorë. Ajo plakë 80 vjeçe, Anifeja, qe thesar, flori e kaluar floririt, kur thonë, vërtet. Bashkë me ca moshatare të saj, mblidheshin te shtëpia ime (e Skënderit) e bënin prova deri sa e realizonin me nivel të lartë artistik atë do t’u transmetonin vashave të reja. Ngrohej Vlora nga “Tumakuqja” apo “Vallja e syzezës”, që këndonin Anifeja, Resmia ime, (e shoqja e Skënderit) me shoqet moshatare për t’ua mësuar çupave. Më kujtohet një festival i kohës. Në juri kanë qenë Profesor Panajot Kanaçi, Namik Xhafa, Xhebro Gjika; nga Ministria e Kulturës ka qenë Kozma Vasili nga Vunoi. Më kujtohet një moment, kur u ngrit Panajoti e tha: “Për të tillë valle grash, shkruajnë e thonë, se është hedhur në shekullin e 18 – të në Paris!” Edhe vallja e burrave “Xhamadani” është një vlerë e rrallë, që pak kush e ka. “Osman Taka” pëlqehet shumë nëpër festa, gëzime e dasma, jo vetëm në komunitete çamësh, por kudo në Shqipëri. Dhe kjo na bën të ndihemi me tërë mend krenarë për punën që kemi bërë e që kemi prurë deri tani, nga burimi të parëve tanë.

    Ndonjë detaj që dallon në ecurinë e grupit. Si vijoi stafeta?

    Stafeta e ansamblit “Çamëria” ka vijuar e ngritur mbi dy kolona: në ndjenjën e lartë kombëtare dhe në nivelin e lartë artistik. Ne u kërkonin këngëtarëve e valltarëve çamë, që mblidheshin vullnetarisht, por me shumë dëshirë atdhetare, sikur të ishin profesionistë, sikur të ishin artistë të Ansammblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të tërë Shqipërisë. Dhe ata e kishin të qartë. Në prova kishte disiplinë. S’ishte gjë disiplina ushtarake para disiplinës artistike të ansamblit “Çamëria”. Stafeta; po ja,  nëna e Sali Nuredinit, përgjegjësit të ansamblit, mbas meje (Skënderit) ishte mbesa e Muharrem Rushitit, kapetanit kordhëtar jo vetëm të Çamërisë, po të mbarë Shqipërisë, i cili luftoi në krye të çetës së Çamërisë, me 200 vullnetarë të lirisë për çlirimin e Vlorës nga Italia e Parë, më Njëzetën. dhe ky fakt vjen edhe nëpërmjet gurrës popullore të krahinës sonë, se e ka kënduar grupi i burrave: “Alush Taka me Muharremë/ Me djelt’ e vëndit skifterë/ Në ndihmë Vlorës i vanë,/ U shtruan mbi istikamë,/ Krahpërkrahë me Selamë,/ Lëftuan me breshkamanë:/ Llogora – Kanin’ Mavrovë,/ Gjersa Italin’ e shporrë.”  Dhe, si tani më kumbon në vesh ajo këngë që na ngrinte peshë të gjithëve, na frymëzonte, na bënte trima. S’e harroj atë zërin e Haredin Balos, që s’e arrin dot njeri! Çmimet e shumta, dhjetra çmime të para lokale, kombëtare, edhe ndërkombëtare, i dedikohen  padiskutim, sidomos Haredinit, pastaj ne të tjerëve.

     Ma keni përmendur emrin e Hajredinit, duke e theksuar disa herë. Ç’të veçantë kishte nga të tjerët?

    Dëgjo, more djalë! Në ison e këngës së bukur çame, ka kohë që mungon (dhe një lot i bukur, i dhembshur, i kulluar, i shket paleje faqeve si eshkë furtune artistit plak të Çamërisë , qesh e më vë  dorën në sup, tok gotën me mua e më sheh dritë në dritë të syrit). Një zë shpirti, por shpirt që u derdh në këngë, një  jetë të tërë. Dhe ky zë është i mikut dhe shokut tim të paharruar, Haredin Balos. Thonë, se një popull edhe mund të shuhet, po kënga e tij, kurrë jo. Se dalin djelm si Haredin Balua, që i japin shpirt e ndezin zjarr këngësh. Haredini nuk duket, por ai është i pranishëm në këngën çame, në ison çame dhe në tërë epikën çame, që nga fillimi e deri sa të ketë  jetë kjo këngë e bekuar. E ne, sa herë që mblidhemi tok e kujtojmë Haredinin. I them brezit që ngrihet, sa herë të këndojnë të mos e harrojnë, se ne s’e harrojmë, se është me ne, ai që ndezi këngën çame, Haredin Balua. Zëri i tij i ëmbël, melodia e shtruar dhe fjalët e tij të dhembshme janë simbolika e shpirtit të Çamërisë, ikona e  folklorit çam. Ato thesaret e tij të paçmuara na bëjnë ta ndjejmë veten më afër Çamërisë tonë atje. Vetëm një patriot si Haredin Balua mund t’i këndojë kaq me dhimbje e dashuri Çamërisë, që është akoma “gonglël e lidhur grekçe”, siç e quan biri ynë dhe poeti i madh çam Xhemil Lato. Haredini kish’ shpirt artisti dhe këtë shpirt  e derdhi në këngët e vendit të tij, të Çamërisë që e deshi shumë, që e duam shumë, që ta duan shumë të pasmit. Më fal që u zgjata, po do të vijnë breza të tjerë në jetë e do të këndojnë këngën çame, se ne jemi të ikshëm, kënga s’vdes. E meqënëse kënga nuk vdes, edhe Haredini s’ka vdekur. Ai është kënga çame, ai jeton në këngën çame dhe do të jetojë atje, tek isua çame, si e këndoi ai vetë.

    Si ecën sot puna artistike me ansamblin tuaj tashmë të famshëm?

    Fluturon kënga e valla çame, si shqiponja. Në kohët e reja, Luziana e ëmbël, e freskët, e bukur, e veshur hijshëm me veshjen në ngjyrë të simbolit tonë kombëtar dhe e magjishme në interpretimin e këngës popullore çame, është nderi dhe bukuria e një Çamërie të tërë. Po kam vërejtje për shoqatën “Çamëria” dhe i bëj kritikë që s’e mbështet artin e pasur të trevës. Atë që bën Sali Nuredini sot, mbështetur vetëm mbi bazën e foklorit burimor, që shkëlqen nga dekoratat e marra (s’po flasim për to), s’e bën akoma shoqata dhe e kritikoj me dhembje e me besim, që do ta përmirësojë punën kulturore – artistike dhe atdhetare, që mos të na qortojnë ata, që prehen.