Skandali, si i grabit dhe i sfilit qytetarët kontrolli i automjeteve

    500
    Sigal

    Vendimi/Autoriteti i Konkurrencës-Ministrisë së Transportit: Të liberalizohet kolaudimi!

    Dhënia me koncesion e kolaudimit të automjeteve kompanisë zvicerane “SGS Automotive Albania” në vitin 2009, i hoqi përfitime prej miliona eurosh sektorit publik, nëse ky shërbim do të administrohej nga shteti, siç në fakt rezulton të jetë në shumë shtete të tjera. Kolaudimi, është një proces kontrolli i përvitshëm që në bazë të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë është i detyrueshëm një herë në vit për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë. Që nga viti 2009 ky shërbim ka pjellë vetëm problematika, kryesisht në tarifa dhe shërbim, për drejtuesit e automjeteve, të cilët me të drejtë (falë edhe komunikimit me jashtë) bëjnë krahasime me vendet e tjera:

    Së pari, drejtuesit e automjeteve nuk janë dakord me tarifat e shërbimit. Që nga shtatori i vitit të kaluar të gjithë ata që kryejnë kolaudimin e makinës paguajnë 1960 lekë, nga 1800 lekë që ishte më parë. Rritja prej 160 lekësh ndoshta është e pakët për çdo individ, por është një shifër e majme për kompaninë koncensionare, ku bëhet kolaudimi i detyrueshëm i makinës. Në Shqipëri ka rreth 450 mijë mjete transporti, ndaj rritja e tarifës së kolaudimit me 160 lekë jep një rezultat shumë të majmë për koncesionarin që zotëron tregun e detyrueshëm.

    Së dyti, rritja e tarifës erdhi për një shërbim që as nuk i afrohet normalitetit. Jemi dëshmitarë të radhëve të gjata dhe pritjeve me orë të tëra në pikën e kolaudimit të kryeqytetit. Ky nuk është një shërbim normal nga koncesionari, të cilit i është dhënë e drejta të përfitojë nga një shërbim monopol (kontrolli teknik është i detyrueshëm).

    Së treti, ajo çka rrit artificialisht koston e shërbimit të kolaudimit janë dhe kilometrat që duhet të bëjë një drejtues automjeti, për shembull në periferi të Tiranës (Kërrabë), i cili duhet të bëjë rrugën vajtje-ardhje për të bërë kontrollin e detyrueshëm dhe askush nuk ia llogarit këtë kosto. Kjo, se firma koncesionare nuk rrit kapacitetet e saj.

    Së katërti, drejtuesit e automjeteve nuk janë dakord me kontrollin e përvitshëm të automjetit të tyre, ndërsa në vendet fqinje kolaudimi bëhet një herë në 2 vjet. Kjo gjë sjell dhe rritjen automatike të pagesave vjetore që duhet të bëjë një drejtues automjeti.

    Së pesti, një tjetër shqetësim është ndryshimi i tarifave duke iu referuar vitit të prodhimit të makinave. Ndërkohë që mendohet se më e drejtë do të ishte të shihej kilometrazhi, pasi një makinë mund të jetë më e re në vit prodhimi, por në fakt është më e vjetër në kilometrazh.

    Së gjashti, drejtuesve të automjeteve nuk u duken të drejta tarifat e rikontrollit. Kështu, në rast rikontrolli tarifa për t’u paguar është 40% e tarifës fillestare për rikontrollin e parë dhe 50% e tarifës fillestare për të gjitha rikontrollet e mëvonshme. Ndërsa për makinat që kanë mangësi në sinjalistikë, tarifat janë sa 20% e tarifës fillestare. Por, në rast se pas një muaji nga data e kontrollit, shoferi nuk paraqitet për rikontroll, atëherë pagesa e kolaudimit bëhet e plotë.

    Së shtati, drejtuesit e automjeteve mendojnë se derisa firmat kryesore të automjeteve kanë përfaqësuesit e tyre në vendin tonë, atëherë edhe kolaudimin ta bëjnë në firmën së cilës i përket automjeti i tyre.

    Autoriteti i Konkurrencës

    Duke u nisur nga këto problematika si dhe nga kërkesa e Komisionit të Ekonomisë për hetim të disa prej koncesioneve, Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar veprimtarinë e kompanisë koncesionare. Nga hetimi i këtij aktiviteti, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës që të merren masa sa i përket kontrollit teknik të mjeteve. Autoriteti jep një sërë sugjerimesh në vendimin e tij, duke shkuar deri te liberalizmi i shërbimit. Konkurrenca në vendim ndalet në dy zgjidhje që mund t’i shërbejnë përmirësimit të shërbimit për qytetarët. I pari është që në rast se koncesioni do t’i mbetet një kompanie, të sigurohet që të ketë më shumë pika për qytete të mëdha si Tirana, në mënyrë që të shmanget edhe radha. Por edhe pse si mundësi, kjo është në kundërshtim me linjën që sugjeron Konkurrenca për të mos pasur monopole. Kështu që si sugjerim i dytë vjen edhe mundësia e liberalizmit të shërbimit, duke lënë kështu kompani të tjera të bëhen pjesë e tregut.

    Komisioni i Ekonomisë

    Komisioni i Ekonomisë ka bërë një sërë kërkesash, të cilat duhet të merren parasysh për punën në këtë vit. Kështu, një ndër kërkesat është ajo e zgjerimit të hetimeve në disa koncesione monopol të dhëna nga qeveria pasardhëse dhe për të cilat ka pasur edhe një debat të gjerë nga ana biznesit, i cili ka kundërshtuar një pjesë të tyre për shkak të kostove që rrisin.

    Koncesionet

    – Lotaria Kombëtare

    – Skanimi i kontejnerëve

    – Kontrolli teknik i mjeteve

    – Markimi i karburantit

    – Pullat fiskale

    Vendimi i Autoritetit të Konkurrencës

     Komisioni i Konkurrencës pas shqyrtimit të raportit e Sekretaritit mbi monitorimin në tregun e shërbimit ekskluziv për kontrollin teknik të automjeteve dhe rekomandimet përkatëse dhe relacionin shoqërues të Sekretarit të Përgjithshëm,

    VËREN SE:

    – Autoriteti i Konkurrencës nisur nga shqetësimi publik për krijimin e radhëve për kontrollin e automjeteve në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014, ka kryer vlerësimin ex-post të mënyrës së funksionimit të tregut të shërbimit të së drejtës ekskluzive për kontrollin teknik të automjeteve. Ky shërbim, sipas ligjit dhe kontratës koncensionare, i është dhënë e drejta e ushtrimit të kësaj veprimtarie vetëm një operatori në mënyrë ekskluzive, e cila përbën një kufizim sasior për hyrjen në këtë treg.

    – Shqetësimi publik lidhet përgjithësisht me kufizimin sasior të pikave të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm vjetor sidomos për rrethet e mëdha, kryesisht Tiranë, që ka sjellë si pasojë radhë të gjata, shqetësime që duhet të adresohen për zgjidhje nga ana e koncensionarit dhe të mbikëqyren nga Ministria e Transportit.

    – Shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve, për sa i përket tarifave, është një treg i rregulluar nga Ministria e Transportit e cila ka përcaktuar këto tarifa sipas kategorive të shërbimit të publikuara në Marrëveshjen e Koncesionit; aneksi VI. Këto tarifa rezultojnë se janë më të larta se ato të aplikuara para nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

    -Kontrolli teknik i automjeteve në vende të ndryshme të botës, ofrohet sipas modeleve të ndryshme:

    * Modeli i centralizuar: referuar këtij modeli shërbimi i kontrollit teknik është i ndarë nga shërbimi i servisit.

    * Modeli i decentralizuar: referuar këtij modeli kontrolli teknik ofrohet nga disa operatorë të cilët kryejnë dhe shërbimin e servisit.

    PËR KËTO ARSYE

    Komisioni i Konkurrencës,vendosi:

    1. T’i rekomandojë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës:

    1.1. Në periudha afatshkurtër të kërkojë nga koncensionari SOCIETE GENERALE DE SURVEILLANCE S.A të krijojë më shumë se një mundësi për zgjedhjen e konsumatorit për kryerjen e kontrollit të detyrueshëm teknik vjetor të automjeteve në qytetin e Tiranës.

    1.2. Në periudha afatgjatë të shikohet mundësia e ofrimit të kontrollit teknik të automjeteve nga disa operatorë.

    1.3. Të kërkojë shprehjen e mendimit të Autoritetit të Konkurrencës në zbatim te Nenit 69-70 të Ligjit, pasi të marrë studimin e tregut nga koncensionari në lidhje me mënyrën e funksionimit të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm;

    1.4. Të marrë parasysh direktivën e re të BE-së lidhur me rregullat e reja për koncesionet duke zbatuar parimin e transparencës dhe të përcaktojnë kriterin e “tenderit me avantazhin më të mirë ekonomik” përgjatë procedurave të prokurimit, ku autoritetet publike do t’i mëshojnë rëndësisë mbi cilësinë, pasojave mbi mjedisin, aspekteve sociale ose risive, si dhe duke pasur parasysh çmimin si dhe jetëgjatësinë-ciklin-koston e asaj çfarë prokurohet për tu dhënë si e drejtë ekskluzive ose e veçantë.