Skandali me pronat, matrapazët i kërkojnë paradhënie 1 milion euro ambasadës

    383
    Sigal

    Fjala “skandal” për ato që nuk e dinë fort mirë do të thotë: “… Ngjarje e pahijshme, shkelje e turpshme e ligjeve, e rregullave, e moralit shoqëror etj., që merret vesh nga të gjithë. Skandal i madh. Plasi një skandal. U zbulua një skandal”.

    Për fat të keq, skandalet e kësaj qeverie e njerëzve të saj të afërt me të janë të përditshme, në të gjitha fushat dhe segmentet e shtetit e te shoqërisë. Madje, nuk kursejnë as selitë diplomatike ndërkombëtare.

    Ka më shumë se një vit që Ambasada e Rusisë në Republikën e Shqipërisë kërkon një truall për të ndërtuar një rezidencë për njerëzit dhe punët e saj.

    Dhe për këto kërkesa kaq të majme, është e natyrshme (sidomos në Shqipëri) të aktivizohen segmente, grupe, individë, sekserë, avokatë, noterë, katundarë… deri edhe parti politike, ministra të kabinetit, këshilltarë të qeverisë etj.,etj., etj. për t’i ofruar blerësit të madh rus truallin më të mirë dhe me çmimin më të mirë.

    Por poshtërsitë dhe mashtrimet nisin kur Ambasadës Ruse i ofrojnë për blerje një tokë, e cila ndodhet brenda vijës kufizuese të zonës së Parkut Kombëtar të Liqenit.

    Konkretisht, sekserët mafiozë i ofrojnë një parcelë të ndodhur brenda zonës kadastrale 3266, e cila sipas studimit të KRRTSH-së është zonë gjelbërimi, zona e mbrojtur dhe që nuk lejohet asnjë lloj ndërtimi, madje edhe ato që janë ndërtuar pa leje janë planizuar për t’u prishur.

    Mirëpo, skandali vijon me premtimin ndaj ambasadës në fjalë se: “Ju duhet ta blini këtë parcelë, sepse për të ndryshuar studimin e miratuar do të ndërhyjmë deri lart. Për këtë fakt, kemi vënë ne dijeni edhe zotin Edi Rama. Por, që të bëhet ky ndryshim destinacioni, ju duhet të parapaguani paradhënie, as më shumë e as më pak, por fiks një milion euro…”.

    Por kush janë këta xhambazë…? Dy zyrtarë të lartë të LSI-së si dhe dy anëtarët e PS-së. Për kryerjen e këtyre punëve të pista është caktuar edhe një avokate,  e njohur për mashtrime të ngjashme edhe në disa raste të tjera në Tiranë dhe më gjerë.

    Tallja dhe mashtrimi vijon edhe me pronarët e truallit të cilëve u ndryshojnë çmimin real të ofertës shitje/blerje. Pronarit të vërtetë ia kërkojnë me 200 euro/m2, ndërsa xhambazët ambasadës ia ofrojnë me 500-600 eruo/m2…! Hajde dhe mos e beso po deshe..!

     Tan Kozmai & Era Bici