Simon Mirakaj: Me këtë ritëm, dëmshpërblimet zor se përfundojnë edhe në 2028-n

    347
    Sigal

    Flet z.Simon Mirakaj, Kryetari i Shoqatës Antikomuniste: Kjo qeveri e përgjysmoi buxhetin për ish të përndjekurit

    Ish-të përndjekurit politikë do të marrin 40% më pak nga buxheti i shtetit 2014. Ata shprehen të pakënaqur nga shifra që po jep shteti për vitin e ardhshëm. Simon Miraka, kryetar i Shoqatës Antikomuniste, në një intervistë për “ Telegraf” thotë se “me këtë ritëm, shlyerja përfundimtare e tyre zor se përfundon në vitin 2028”. Ish-të përndjekurit nxjerrin si problem edhe ecurinë e ngadaltë të shqyrtimit të dosjeve nga ana e ministrisë së Drejtësisë, pasi që nga shtatori dhe deri tani nuk ka dalë asnjë listë me emrat që duhet të marrin dëmshpërblimet.

    Z. Mirakaj, më në fund u zbardh fondi që do përfitojnë për dëmshpërblim ish të përndjekurit. Ky fond është vetëm 18 milion dollarë?

    Kjo qeveri e përgjysmoi fondin për ish të përndjekurit krahasuar me vitin paraardhës nga qeveria “Berisha”. Nëse fondi nga buxheti 2013 ishte 30 milion dollarë, ky i sivjetshmi është 18 milion dollarë, pra gati sa gjysma e fondit të kaluar. Ne në fakt nuk është se prisnim më shumë nga kjo qeveri. Megjithatë, ka një shenjë pozitive në gjithë këtë, sepse është hera e parë që Partia Socialiste flet për ish të përndjekurit politikë, edhe pse me gjysmën e fondit, prapë unë e marr si një shenjë pozitive.

    Por, ndërkohë ju z. Simoni jeni shprehur se në takimet që keni bërë, kur ishit në krye të Institutit të të Përndjekurve, keni kërkuar që në fondin e ri të parashikohej dhe gjetja e eshtrave të njerëzve të ekzekutuar, kërkesë që mesa kuptoj nuk është pasqyruar në fond?

    Keni shumë të drejtë. Është e vërtetë që në takimet që kam bërë kam shtruar dhe problemet në aprovimin e fondit, sepse shtresa e të përndjekurve ka shumë probleme. Ndër to, një problem mjaft i dhimbshëm është dhe gjetja e eshtrave të njerëzve që janë ekzekutuar qoftë me gjyq, e qoftë pa gjyq që nuk gjenden, mirëpo për të bërë këto gërmime duhet një fond. Ne i jemi drejtuar me një shkresë edhe ministrit të financave në mënyrë që me aprovimin e buxhetit të ri të shihet mundësia e aprovimit të një fondi për gërmimet në vendet ku nëpërmjet gojëdhënave dëshmive apo nëpërmjet dokumenteve që mund të gjenden në arkivën e Ministrisë së Brendshme. Por mesa duket asgjë nuk është marrë parasysh nga kërkesat tona, përkundrazi fondi u përgjysmua.

    Po përsa i përket shqyrtimit të dosjeve ç’mund të na thoni?

    Dosjet shqyrtohen në Ministrinë e Drejtësisë dhe që nga shtatori deri më tani, nuk ka dalë asnjë listë me emrat që duhet të marrin dëmshpërblimet. Kjo, edhe për shkak se specialistët të cilët kishin vite në ato vende pune, janë pushuar dhe tani duhet të presim të “rinjtë socialistë”  që të mësohen me procesin e punës.

    Deri sa mund të zgjasë, sipas jush, dëmshpërblimi i ish të përndjekurve?

    Sipas Ligjit për Dëmshpërblimin, deri në vitin 2017 ky proces duhej të kishte përfunduar. Po me këtë ritëm, rrezik dhe viti 2028 shihet me dyshim si përfundimi i dëmshpërblimit.

    Kompensimi për të përndjekurit politikë, 18 milion dollarë

    Në buxhetin e vitit 2014, për ish të përndjekurit ofrohen 1.2 miliardë lekë më pak. Kompensimi për të përndjekurit politikë është parashikuar këtë vit të arrijë në 1.8 miliardë lekë nga 3 miliardë që u dhanë këtë vit. Por fondi mbetet gati i njëjtë me shumat e dhëna para këtij viti. Mirëpo vlera nuk është e mjaftueshme për përmbylljen e procesit, pasi fatura totale e tij është rreth 400 milionë euro. Ministria e Financave po shpërndan këstin e parë dhe të dytë për ish të përndjekurit, pa kufij moshe. Në 23 vendime të Këshillit të Ministrave, gjatë gjithë këtyre viteve u është njohur e drejta e përfitimit të dëmshpërblimit financiar më shumë se 11 700 ish të dënuarve. Ndërsa ish të burgosurit ende gjallë janë rreth 2900 persona, që kanë përfituar këstin e parë, por nuk dihet ende se sa nga këta janë gjallë për të përfituar të dytin. Numri i njerëzve që kanë aplikuar për t’iu njohur statusi i ish-të dënuarit politik është 23 mijë në total. Sipas Ministrisë së Financave, ish të burgosurit politikë që përfitojnë këstin e dytë të dëmshpërblimit duhet të paraqesin në Ministrisë e Financave dokumente të reja, nëse kanë ndryshuar status. Nëse ish-të dënuarit politikë ose trashëgimtarët ligjorë, kanë ndryshime të gjendjes civile, duhet të dërgojnë pranë Ministrisë së Financave dokumentacionin shtesë, që duhet të jenë: Certifikatë e vdekjes, akt trashëgimie për të vdekurit, certifikatë cungu, fotokopje të kartës së identitetit sipas përfituesve ose përfaqësuesit të autorizuar dhe vërtetim. Kompensimi për të përndjekurit politikë, në fund të muajit tetor 2013, arriti në rreth 3 miliardë lekë ose rreth 8 milionë lekë më shumë se parashikimi i periudhës, duke qenë në të njëjtën kohë rreth 99.7 për qind e planit vjetor. Kundrejt një viti më parë, këto shpenzime rezultojnë rreth 1.3 miliardë lekë më të larta.

    Të persekutuar atëherë, të persekutuar edhe sot

    Lili Ndoci

    E kemi ditur se çfarë është thënë në tavolinë me një grup ish të përndjekurish politikë. E dimë që Kryeministri ynë, z.Edi Rama nuk e njeh kategorinë e ish të përndjekurve dhe pronarëve. E ç’mund të presësh nga një person që vjen me mllef, me shkatërrime dhe gjëja e parë që bën kur vjen në pushtet është largimi nga puna (administrata shtetërore) e fëmijëve të ish të burgosurve politikë?!  Rama më kujton ish kryeministrin Bufi, i cili doli dhe deklaroi se “edhe 7 ditë bukë kishte”, duke futur në panik mbarë popullin shqiptar. Kështu, edhe Rama nuk ka ditë që të mos dalë përpara ekraneve dhe të ankohet se nuk ka lekë, jemi në borxhe, ekonomia është keq etj., etj.. Ndërsa shtresa e ish të përndjekurve politikë,  kurrë, nuk ka dalë dhe të reklamojë vuajtjet e veta dhe të kërkojë pa fund në emër të tyre. Megjithëse nuk na i kthejnë dot të gjitha, të na japin, të paktën, ato që na takojnë. Ne na ka borxh shteti shqiptar, jo partitë. Ne nuk kishim si të prisnim shtimin e fondit, kur po na i heqin fëmijët nga puna. Pas 23 vjet demokracie, ne jemi po njësoj. Ne nuk i harrojmë dot burgjet dhe vuajtjet tona, na acaron ende fotoja e Enver Hoxhës, por kemi thënë që do të ecim përpara dhe do të korrigjohemi rrugës. Por, kjo situatë është e patolerueshme. Ne, tashmë, nuk falim, por do t’i kërkojmë të drejtat tona deri në fund. Vuajtjet tona ende nuk kanë mbaruar. Ne të persekutuarit po përjetojmë vuajtjen prej tre brezash; më parë prindërit tanë, pastaj ne dhe tani fëmijët tanë, të cilët pushohen nga puna pa ndonjë shkak, por vetëm se janë ish të përndjekur. Ne vuajtëm, por i shkolluam fëmijët tanë. Iku Enveri me byronë e vet, erdhi byroja tjetër. Në s’kemi më asnjë shpresë. Rama na e vari shpresën!