Shërbimi spitalor në Durrës i “pushtuar” nga korrupsioni

    383
    Sigal

    Nga drejtuesit lokal tek ministri flasin për luftë kundër korrupsionit, por qytetarët boshatisin xhepat në spitale

    Shërbimi spitalor dhe përgjithësisht ai i bluzave të bardha sot në shkallë vendi vlen shumë për të dëshiruar. Hallexhiu dhe pacienti sapo shkel në ambulancë, urgjencë dhe spitale, përballet me sjellje harbute të sanitareve, infermiereve dhe arrogancën e mjekeve, ku për çudi edhe pse janë të paaftë, këta të fundit janë edhe më të korruptuarit. Prej vitesh mjekët dhe personeli bluzave të bardha tek ne e ka humbur zellin e pasionit për të lexuar dhe mësuar çdo ditë, nga rastet e paraqitura, por i është kthyer anti-vlerës njerëzore dhe anti-humane siç është ryshfeti. Madje, ka mjekë që paranë e kërkojnë me format nga më të ordineret. Nuk do të isha shprehur dhe menduar kështu, në qoftë se një miku im, qytetar i Durrësit, nuk do të më kishte skandalizuar me historinë e vajzës së tij, kur e kishte vizituar me urgjencë në spital. Duke mos dashur të identifikohet për etikë (megjithëse mjekja nuk e meriton atë) qytetari dhe babai i vajzës 13 vjeçare tregoi se “në spital nga sanitarja dhe infermierja dhe më keq deri tek mjekja e turnit, demonstruan një sjellje antinjerëzore, anti-humane, anti-profesionale, duke e lënë vajzën pa mjekim, pakujdesje dhe duke hedhur romuze, për të kërkuar shkak acarimi dhe për të marrë ryshfetin”. Raste si ky, ka me dhjetëra në ditë në spitalin e Durrësit dhe spitalet e tjera të vendit. Po përse kjo sjellje, përse kjo harbutëri, përse asnjë masë dhe kontroll nga Drejtoria e Spitaleve Durrës, përse asnjëherë kjo drejtori nuk ka marrë në konsideratë seriozisht qindra denoncime të ardhura nga qytetarët e përdhosur, e diskriminuar nga mjekët dhe infermieret ? Përse ky kaos dhe ky banalitet në spitale? Përse kjo paaftësi lejohet të bëjë ligjin në pavione, përse mjekë të korruptuar tolerohen dhe madje ngrihen në detyra, përse drejtoria spitalore nuk kontrollon dhe verifikon punën e tyre gjatë 24 orëshit? Pra gjithë këto pyetje të mbetura pa përgjigje po e shkatërrojnë prej vitesh nga themelet shërbimin spitalor. Spitalet tona sot i ka mbuluar pisllëku, paaftësia dhe korrupsioni, rrëmuja dhe mungesa e medikamenteve, sepse mjekë dhe infermiere lidhen me farmacitë brenda dhe jashtë spitaleve, duke e kthyer në biznes gjithçka. Ministri Beqja e njeh fare mirë situatën (ose nuk e di se çfarë bëhet) në Durrës dhe gjithë vendin, por sërish pyes si qytetar dhe si gazetar, përse ju z. ministër nuk merrni masa urgjente ndaj zhvatësve të xhepave të qytetarëve? Kur do të marrë fund demagogjia. Ju z. ministër e dini se në Maternitet një lindje kushton 300 mijë lekë, ju e dini që një shërbim sado i vogël kushton për xhepin e qytetarit, ju e dini se spitalet dhe mjekët sot u gjejnë vendin medikamenteve dhe i shesin në farmacitë e tyre jashtë spitaleve. Atëherë kush dhe kur do të ndalet kjo valë e egër dhe e turpshme korrupsioni? Sot pasionin e dikurshëm të mjekëve e ka zëvendësuar korrupsioni, sjelljen humane e ka zëvendësuar brutaliteti, edukatën e ka zëvendësuar fjalori banal dhe përgjigjet pa etikë të personelit, sepse ata janë të etur nga paraja e ryshfeti. Asgjë nuk i ndal ata, as rritja e rrogave nga qeveria, as kontrollet, as denoncimet, as presionet e qytetareve për padi penale, nga babëzia për paranë e pistë, sepse ajo u duket atyre e pastër, u mbush xhepin dhe i bën të ndjehen mirë kur dalin nga institucioni. Situata alarmante kërkon masa urgjente, por duket se më shumë se kurrë korrupsionin e bluzave të bardha tek ne e mbrojnë me heshtjen e tyre drejtuesit dhe titullarët e dikastereve.